Ejani të investoni, jo të humbisni, por të fitoni

Amerika

Ejani të investoni, jo të humbisni, por të fitoni

Nga: Zef Pergega Më: 16 maj 2022 Në ora: 18:02
Albin Kurti thirrjet për investime mërgatës, gjatë në Detroit

"Ejani të investoni, jo të humbisni, por të fitoni. Qeveria ju garanton mbrojtje ligjore!". Kjo ishte njëra nga thirrjet që kryeministri i Kosovës i bëri mërgatës në Amerikë, në një takim vëllazërorë, që u zhvillue në xhaminë shqiptare të Detroitit, me një pritje tepër të ngrohtë nga besimtarët e të tri feve dhe nga imami Shuaip Gërguri, i cili në fjalën e mikpritjes fisnike dhe të hareshme ndër të tjera tha: "Sot është një ditë e veçantë për ne mbasi po e presim në qendrën tonë, në këtë vatër fetare e atdhetare, e cila ka qenë gjithmonë predikuese e vlerave atdhetare dhe se sot ne sapo kemi përfunduar dhe vënë në funksion ambientet e reja me anekse, që iu janë shtuar xhamisë duke e bërë atë më funksionale. Si qendra e parë përmendet ajo e themeluar në Main State. Noli e përmend vatrën e kulturës islame me 1917 në Michigan për të ardhur në ngritjen e xhamisë së re në vitin 1949 nga Imam Vehbi Ismaili. Gjithmonë aktive kjo vatër përbashkuese, për të ruajtur gjuhën dhe traditën e mirë shqiptare e këtë me ua trashëgue brezave që rriten në Amerikë, por ajo ka spikatur në luftën për lirinë e Kosovës. Këtu u krijue fondacioni "Vendlindja thërret" dhe vendosëm shpejt lidhjen tonë me Shtëpinë e Bardhë... duke i vazhduar këto lidhje për t’i konsoliduar në dobi të çështjes kombëtare.!"

Imam Shuaipi në emër të institucionit që ai drejton prej shumë vitesh i akordoi kryeministrit të Kosovës çmimin: "Hoxhë Hasan Tahsini", të cilin e kanë marrë edhe dy presidentët e Shqipërisë.

Në fjalën përshëndetëse kryeministri Kurti ndër të tjera tha: "Është një nder i veçantë që ndodhem në mesin tuaj. Kënaqësi që ju shoh bashkë pa dallime dhe falënderoj imamin Shuapin që i kultivon këto vlera dhe për çmimin që më akordoi. Pozitën e lartë e shikoj si shërbim i lartë. Ju falënderoj për kontributin që keni dhënë për kombin, familjen dhe për SHBA-në. Ju jeni edhe shqiptarë edhe amerikanë, një urë e fortë komunikimi dhe për këtë ju jam mirënjohës. Tradita e mërgatës fillon me veprimtaret shqiptare të Michigenit e sidomos për luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Ju e keni bërë punën si ambasadorë pa e patur shtetin dhe keni mundësuar politikën amerikane ti kthejë sytë nga Kosova. Kemi një seri takimesh në Amerikë. Qëllimi ynë nuk është të bëjmë takime, por të sigurojmë investime, sidomos ato amerikane. Me kompaninë energjetikës siguruam investimin 236 milionë dollarë me një marrëveshje dypalëshe. Në Kosovë janë 650 kompani që po eksportojnë. Investime të mëdha kemi bërë për mbrojtjen dhe bujqësinë. Synojmë arsimin dhe shëndetësinë. Ka një terren të favorshëm për investime në Kosovë, prandaj ejani të fitoni dhe jo të humbni. Do të bëjmë një ligj për mërgatën që do t’ju garantohet vota. Do të institucionalizohet shkolla shqipe në diasporë. Ju duhet të siguroni mësues të nivelit amerikan, sepse fëmijët tuaj më parë mësojnë në shkollat amerikane. Kosova nuk ka interes të hapet me Serbinë, Rusinë dhe Kinën, por me SHBA-në dhe Europen. Ne e njohim mirë Serbinë, dhe për këtë Shqipëria duhet të na pyes ne. Me qeverinë shqiptare do të bëjmë mbledhjen e dytë dhe do të bëjmë bilancin dhe do të firmosim marrëveshje të reja. Ju kam thënë ministrave nëse i keni qejf paret shkoni e merruni me biznes dhe jo në shtet. Ministër në latinisht do të thotë shërbëtor e unë jam kryeshërbëtori. Ne duhet të përsërisim të vërtetën, ndërsa Serbia përsërit gënjeshtrën. Unë jam për ta institucionalizuar politikën me SHBA-në. Kemi tri fe në harmoni që na ka zili bota dhe dy shtete. Ata që e kritikojnë qeverinë janë ata që ua kemi prish lidhjet me korrupsionin!"

Më tej kryeshërbëtori i Kosovës iu përgjigj pyetjeve të shumta që bënë bashkatdhetarët nga të gjitha krahët. Kurti vizitoi Universitetin e Michigenit dhe studentët shqiptar si dhe kaloi një darkë me një përfaqësi malësorësh, ku mori pjesë edhe senatori demokrat Gery Piters. Sonte me 16 maj 2022 Kurti do të pritet në një darkë solemne në kishën e Shen Palit kryesisht nga malësorët e Malësisë së Madhe.

Takimin në xhami e moderoi nacionalisti z. Demneri dhe u pasqyrua nga ACTV dhe TV i shqiptarëve të Amerikës.

Kurti gjatë vizitave në Amerikë shoqërohej nga zv.ministrja e punëve të jashtme Liza Gashi, ambasadori i Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli, shefi i administratës, Luan Dalipi dhe stafi i tij me dy këshilltarë.

Imam Vehbi Isamili nuk ka qenë vetëm arkitekti i xhamisë, por mushkëria dhe fryma e balancimit midis fesë dhe kombet. Ai ishte miku më i ngushtë i Gjergj Fishtës dhe në saje të Ismalit u përkthyen në arabisht veprat e Koliqit, duke u bërë pjesë e librarisë së Egjiptit. Shkrimtari amerikan Schvartz thoshte se rruga e shtetformimit të Kosovës kalon nga Vetëvendosja, ndërsa ajo e integrimit Europian nga Roma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat