Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj

Amerika

Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj

Nga: Merlin Tushe Më: 21 maj 2022 Në ora: 06:28
Gjon Buçaj, ish-kryetar i "Vatrës"

Për nder të figurës e veprimtarisë patriotike të Dr. Gjon Buçaj, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, Famulltari i Kishës "Zoja e Shkodrës" në New York, Dom Pjetër Popaj, mbajti një Meshē për familjarët dhe komunitetin shqiptar në SHBA.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi rolin dhe përkushtimin e Dr. Buçaj, si një bashkëshort e prind i mirë dhe si një patriot e human i përkushtuar ndaj shqiptarizmit dhe çështjes kombëtare. "Dr. Buçaj - tha mes të tjerave Famulltari Popaj - ishte edhe një besimtar i devotshëm i Kishës tonë Katolike, ku çdo të dielë do të ishte i pranishëm me bashkëshorten Nikoletën e fëmijët e tyre."

Kurora e buqeta me lule të freskëta ishin vendosur përreth arkivolit me trupin e pajetë të Dr. Gjon Bucaj, ku mes tyre ishte edhe një kurorë me lule të bardha nga Organizata e Gruas "Shpresë & Paqe", organizatë që ka gjetur kurdoherë derën hapur në "Vatër" gjatë kohës kur Dr. Buçaj ka qenë Kryetar i saj. 

Për t'i dhënë lamtumirën e fundit në Kishën "Zoja e Shkodrës", morën fjalën edhe mbesa e nipi i tij - Besa edhe Leka, të cilët të përlotur e me zërin e mekur njëzëri thanë "Lum ne për Babagjyshin tonë", aq shumë e donin dhe çmonin gjyshin e tyre, që ishte kujdesur për ta, për dashurinë prindërore, atdhetare, mësimin e gjuhës shqipe e fesë katolike, si besim i familjes.

Profesor Mithat Gashi gjithashtu përshëndeti në këtë ceremoni duke treguar në detaje mbi njohjen e tyre ndër vite, familjes dhe veprimtarisë së palodhur të Dr. Gjon Buçaj, në dobi të komunitetit shqiptar e veçanërisht për çështjen kombëtare. 

Të pranishëm gjithashtu në këtë ceremoni ishin edhe shumë personalitete të diasporës shqiptare në SHBA dhe veprimtarë të "Vatrës", ish i burgosuri dhe i internuari politik Z. Lek Mirakaj me nipin e tij Agustin Mirakaj, Drejtori i Divizionit për EuroAzinë Dr. Elez Biberaj, ish drejtori i TV Zëri Amerikës Z. Frank Shkreli, aktivistët e njohur Zj. Rita Saliu me bashkëshortin Z. Adem Saliu, të cilët si kurdoherë të palodhur udhëtojnë nga larg nga Rhode Island për çështjen kombëtare, përfaqësues të Partisë së Legalitetit në SHBA, ish i arratisuri politk dhe aktivisti Z. Simon Qafa, veprimtari nga Washington, DC, Z. Ari Zoto, Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptare-Amerikane Joe DioGuardi me bashkëshorten Shirley Cloyes DioGuardi, shkrimtarët Leta Mirakaj, Tom Mrijaj dhe Mëhill Velaj, përfaqësuese të Organizatës së Gruas "Shpresë & Paqe" e të tjerë. 

Mesazh ngushëllimi familjes Buçaj për këtë rast i dërgoi edhe ish Zv. Ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe sot deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë Z. Kreshnik Çollaku. 

Pas Meshës dhe ceremonisë mortore për të nderuar bashkëshortin, babain e gjyshin e tyre të dashur e të paharruar, Zj. Nikoleta Buçaj me fëmijët shtruan një drekë lamtumire në Restorantin "Tre Angelina" në New York.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat