​Kurti bëri homazhe te varret e vëllezërve Bytyqi

Amerika

​Kurti bëri homazhe te varret e vëllezërve Bytyqi

Më: 22 maj 2022 Në ora: 23:37
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vrasja e vëllezërve Bytyqi është krim i Serbisë që ende nuk është zbardhur plotësisht dhe Kosova do të vazhdojë të kërkojë që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të arrestohen dhe dënohen, në mënyrë që ata që sakrifikuan jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të prehen të qetë.

Ai këto komente i bëri pas homazheve që bëri te varret e tre vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut.

I pari i qeverisë ka thënë se sakrifica, patriotizmi dhe humanizmi i vëllezërve Bytyqi është vlerë kombëtare mbi të cilën ndërtohet Kosova shtet i pavarur dhe mbi të cilën përparon i mbarë kombi shqiptar.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përpjekje e përbashkët e të gjithë shqiptarëve edhe në Ballkan edhe në mërgatë, e Batalioni “Atlantiku” është dëshmi për këtë”, ka shtuar ai.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, të cilët ishin shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë vrarë në Serbi nga policia serbe në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Trupat e tre vëllezërve u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv me shqiptarë të tjerë të vrarë.

Me rastin e nderimeve te varrezat për vëllezërit Bytyqi, kryeministri Kurti ka pasur një bashkëbisedim edhe me ish-pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, pjesëtarë të së cilit ishin edhe vëllezërit Bytyqi.

Ky batalion përbëhej nga burra e gra të cilët në vitin 1999 erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për çlirim nga regjimi i Serbisë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat