Meta bën homazhe në varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York, i nderon me dekoratën “Nderi i Kombit”

Amerika

Meta bën homazhe në varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York, i nderon me dekoratën “Nderi i Kombit”

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 15:23
Foto nga vizita

Gjatë vizitës së tij në New York, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë homazhe në varrezat e vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, të rënë për lirinë e Kosovës.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Meta ka bërë të ditur se dje në Ditën e Çlirimit të Kosovës kishte vendosur një buqetë me lule “me nderim, respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku” të rënë për lirinë e Kosovës, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, historisë së lavdishme të UÇK-së dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.”

“I dorëzova nënës heroinë Bahrije dhe babait fisnik Ahmet, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, që u akordova djemve të tyre të paharruar.
Me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, vëllezërit Bytyçi do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja të shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit që nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë”
, ka shkruar Meta.

“Kur kanë kaluar mbi dy dekada nga vrasja e tyre e pabesë dhe ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz është domosdoshmëri vënia e drejtësisë që do të lehtësojë dhembjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi”, ka shtuar Meta.

Sipas Presidentit të Shqipërisë, zbardhja e gjenocidit dhe të gjitha krimeve të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajon.

Meta ndodhet në një vizitë në SHBA ku ka marrë pjesë në një event për 110-vjetorin e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat