Halil Rama, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve, shqiptaro-amerikane, me seli në New York

Amerika

Halil Rama, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve, shqiptaro-amerikane, me seli në New York

Nga: Kadri Tarelli Më: 22 qershor 2022 Në ora: 11:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ditën e Martë, datë 21 Qershor 2022, në mjediset pranë Akademisë së shkencave Shqiptare, në Tiranë, u organizua një takim me miq, shokë dhe veprimtarë intelektualë, për të festuar e gëzuar së bashku, pranimin e Z. Halil Rama, si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve, Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, njëkohësisht edhe përurimi i librit “Magjia e fjalës”. I pranishëm në këtë kuvend të diturish, ishte z. Skënder Kodra, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, ardhur posaçërisht nga SHBA, për t’i dorëzuar z. Halil Rama fletën e pranimit.

Unë pata nderin të jem i pranishëm në këtë ngjarje madhore për mikun tonë Halil Rama, ku munda të them pak fjalë, në shenjë nderimi dhe urimi, që e titulloj:

“HALIL RAMA, PERSONALITET QË NUK RESHT TË DOJË DHE NDEROJË MËMËDHEUN”.

Të nderuar pjesëmarrës!

Kam kënaqësinë të them pak fjalë për mikun tonë Z. Halil Rama,  “heroi” i këtij kuvendi kaq të bukur, i mbledhur për një vlerësim kaq të lartë, për pranimin si anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane. Është nder dhe vlerësim i merituar për këtë personalitet të njohur në letrat shqipe, që mban titullin “Mjeshtër i madh”, si shkrimtar, poet, studiues, publicist, njëkohësisht edhe veprimtar shoqëror.

Që në kryefjalë të këtij shkrimi të shkurtër, po them: “Halil Rama, është personalitet që nuk resht të dojë dhe nderojë mëmëdheun”.

Personalisht jam takuar rrallë, por kam njohur një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij letrare e publicistike, dhe ca më shumë ç’kanë thënë të tjerët për të, ku përfshihen pena të njohura të letrave shqipe.  Besoj se të bëhesh personazh i ajkës letrare kombëtare, është nderim dhe lakmi për të gjithë krijuesit.

Një gjykim i shpejtuar, por jo i nxituar, më shtyn ta shtrydh mendimin: Në të gjithë prodhimtarin e tij intelektuale, që dikush e quan, “Testament i vyer historiko-kulturor”, dominon atdhedashuria, si kumti më i qenësishëm për çdo shqiptar. Fjalia e, shkurtër se, “Atdheu fillon nga familja”, në mënyrë lakonike flet shumë, duke jetësuar një fjalë të urtë Amerikane, që thotë: “Dashuria e madhe për atdheun, lind nga dashuritë e vogla për vendlindjen”. Të gjitha më çojnë në mendimin logjik, se “Për Halil Ramën, e para është Shqipëria”.  

Ajo që sërish më duhet të nënvizoj, është: Në të gjithë jetën e tij në krijimtari, kurrë nuk mund të gjesh, qoftë edhe një rresht të vetëm që të mbjellë përçarje. Jam i bindur, se kjo përbën një pasuri shpirtërore dhe intelektuale me shumë vlera, si qytetar e atdhetar. I lumtur ai që zotëron një pasuri të tillë shqiptarie. Unë e quaj, si gjëja më e bukur, madje e shenjtë për çdo shqiptar, që e ndjen dhimbjen brenda lëkurës së tij, se të gjitha prapësitë e këtij vendi, na vijnë nga përçarja që kemi mes vedit. Halili e ndjen se kjo është një plagë e hapur, ndaj unë po guxoj të them, se përmendore sa mali i Dajtit do t’i ngrihet atij që merr përsipër dhe realizon pajtimin kombëtar. E gjitha shkon në një udhë me porosinë e Presidentit Xhon Kenedi, që thoshte: “Mos pyet se çka mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bësh ti për vendin tënd”.

I nderuar Miku ynë Halil Rama, në fund më lejo të citoj, Ata Turk, Mustafa Qemalin, që shprehej: "Në jetën tënde, ti ndoshta ke dashuruar. Por a e ke provuar të të duan të tjerët? Kjo është një kënaqësi që nuk e ka shoqen në botë. E sidomos kur të do populli. Më lini ta shijoj edhe disa çaste këtë kënaqësi". Jam i bindur se të pëlqen të shtoj pa frikë edhe dy fjalë nga vetja ime: Miku ynë, ke edhe shumë vite të shijosh këtë kënaqësi, të cilën do ta pasqyrosh dhe do ta rrëmbesh në shumë libra të tjerë. Sot janë 20 duke shpresuar se 40 do të jenë pak.

Në fund, kam dëshirë të dëgjoj thirrjen që Euripidi na sjell nga lashtësia: “O njeri! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut!

Urime! Jetë të gjatë dhe nderim paç ndër vite. Vlerësimi yt, na gëzon dhe na nderon të gjithëve.

 

Miqësisht!

Kadri Tarelli

21. Qershor, 2022.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat