Rasim Alija - Njeriu që la gjurmë të pashlyshme në sektroin e ekonomisë së Kosovës pas luftës së dytë botërore

Amerika

Rasim Alija - Njeriu që la gjurmë të pashlyshme në sektroin e ekonomisë së Kosovës pas luftës së dytë botërore

Nga: Prend Ndoja Më: 9 korrik 2022 Në ora: 09:11
Prend Ndoja

Dy fjalë për Kooperativën e dikurshme „Beci“

Edhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si shumë herë tjera më parë, shqiptarët i gjeti të papërgatitur për t´u përballur me sfidat, jo vetëm me ato të ruajtjes së qenësisë dhe identitetit nacional, por edhe me mbijetesën dhe hapjen e perspektivave të zhvillimit ekonomik. Ndonëse ishte ndalur zjarri i luftës, tymi i robërisë sillej vërdallë mbi vendin tonë, duke rënduar mbi popullin shqiptar, por tash me forma e mënyra më të sofistikuara, që synonin shmangien e rajoneve me shqiptarë në planet zhvillimore dhe në mirëqenien ekonomike.

Në fshatra, bujqit luftonin për ekzistencën tyre dhe sigurimin e prodhimeve bujqësore. Më pas filloi ballafaqimi me të ashtuquajturën "reformë agrare", që në fakt ishte varfërim i shqiptarëve. Ashtu si në mbarë Kosovën, edhe bujqit e rajonit të Dushkajës, në komunën e Gjakovës ëndërronin të rikthenin pronat e tyre dhe të bëheshin zotër shtëpie, e drejtë kjo që u ishte mohuar padrejtësisht dhe në mënyrë djallëzore. Por, megjithë rëndesën dhe vështirësitë, iniciativat për të bërë hapa drejt rimëkëmbjes ekonomike nuk kishin munguar asnjëherë. Në vitin 1945 nga pleqësia e bujqve individualë të fshatit Bec dhe të disa fshatrave përreth të komunës së Gjakovës u themelua Kooperativa bujqësore "Beci" në Bec. Anëtarët e këshillit, për të filluar hapat e parë të kooperativës, i paguanin nga 5 dinarë për kryetar të familjes dhe nga 2 dinarë për secilin anëtar të familjes. Kooperativa e filloi punën me tre punëtorë, të cilët bartnin barrën fillestare të punës dhe të organizimit. Kooperativa krijoi një fond të vogël të tokës bujqësore, por pa ndonjë mjet pune. Viti 1947 ishte viti që i gjunjëzoi bujqit kosovarë. Në këtë kohë popullata vuante nga uria, pra ishte kërkesë urgjente ngritja dhe zhvillimi ekonomik, për të siguruar ekzistencën. Kështu u intensifikuan përpjekjet organizative që të gjendeshin forma të shfrytëzimit të resurseve natyrore, të punohej toka dhe të siguroheshin produkte bujqësore, për të shmangur krizën me ushqime, e cila mund të shfrytëzohej nga qarqe të caktuara, si mjet për ta gjunjëzuar popullatën dhe heqjen dorë nga kërkesat politike, që synonin barabarësinë e shqiptarëve me popujt tjerë në krijesën sllave që kishte dalur pas Luftës së Dytë Botërore, që për shqiptarët po bëhej një burg i ri.

Gjatë kësaj kohe, Kooperativës së Becit iu dhanë në shfrytëzim edhe disa hektarë tokë pune dhe, për fat të mirë, ekonomia filloi të zhvillohej me hapa të shpejtë. Në vitin 1948 u hapën shitoret e para në fshatrat Bec dhe Doblibare. Toka lëvrohej me kuaj, ndërkohë edhe furnizimi i dy shitoreve të kësaj kooperative bëhej me qerre që tërhiqeshin nga kuajt.

Aty kah mesi i vitit 1949, me ndihmën e prodhuesve individualë u ngritën për herë të parë 62 ari vreshta, ndërsa numri i punëtorve arriti në 11. Më 26 qershor1949 u themelua asambleja e Kooperativës "Beci" me 11 anëtarë, ku kryetar u zgjodh Mal Haxhi Shala nga fshati Cërmjan. Sipas rregullores së asmblesë, të gjithë anëtarët dhe kryetari zgjedheshin me një afat njëvjeçar.

Në vitin 1959 drejtor i përgjithshëm i Kooperativës së Becit u zgjodh Rasim Alija, ndërsa pleqësia e bujqve individualë, në bashkëpunim me anëtarët e drejtorisë së kooperativës, që përbëhej nga 21 anëtarë, kryetar të pleqësisë e zgjodhën Mark Hasan Krasniqin nga fshati Meqë. Nga ky vit filluan ndryshimet, si ato në sektorin privat, ashtu dhe në zhvillimin e Kooperativës.

Mund të themi se, mesi i viteve 50-të ishte kohë e zhvillimit të hovshëm ekonomik të Kooperativës së Becit. Në vitin 1956 u ble traktori i parë "Zadrugar" dhe një makinë shirëse "S'metaj". Kjo qe një arritje e madhe. Që nga mëngjesi e gjer në perëndim të diellit nuk ndalej traktori së punuari dhe, për herë të parë, me lëvrimin e thellë të tokës, u largua parmenda njëherë e përgjithmonë nga fshatrat tona.

Rasim Alija-njeriu që triumfoi në kohëra të vështira

Shikuar nga perspektiva historike, duket qartë se, njerëzit e mëdhenj lindin rrallë. Ata lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mungesa e tyre ndihet ndër vite. Fshati Bec e pati fatin e mirë që të kishte në një njeri të tillë, siç ishte drejtori i Kooperativës së Becit, Rasim Alija. Ai, përveç si njohës i ekonomisë, poashtu ishte një njeri i mirë, i cili i solli gjithë ato të mira për fshatin dhe tërë Kosovën. Por, për fat të keq, ndonëse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, ai njeri mbeti i pazëvendësueshëm në sferën e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe në shumë lëmi tjera.

Në vitet 1959, mund të thuhet lirisht se ai e filloi punë nga zeroja, me pak hektarë tokë dhe me një grusht punëtorësh. Por, duke qenë i zellshëm, mendjendritur, largpamës, i qytetëruar dhe me një kulturë të lartë njerëzore e me vlera të trashëguara autoktone, ai arriti të krijonte një kompani të fuqishme-Kooperativën bujqësore „Beci“, nami i së cilës arrin deri në ditët e sotme.

Duke dëgjuar intervistat e tij në vitet 70-të dhënë televizioneve, Rasim Alija të mahnitë me gjuhën e rrjedhshme letrare dhe vizionin e tij për të ardhmen tonë. Idetë e tij zhvillimore dhe parimet profesionale, ua ndryshuan gjendjen ekonomike, jo vetëm fshatrave të Dushkajës, por efektet e saj u ndjenë më gjerë. Ai triumfoi duke depërtuar në kohë robërie, e bëri të pamundurën të mundur për zhvillimin ekonomik të vendit, për të dhënë dritë mbi tokën e tij amnore.

Poashtu, Rasim Alija ishte atdhedashës i zjarrtë, e njëherit edhe politikan i spikatur, cilësi të cilat i zbatonte përmes punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Ai, nga fshatarët e rëndomtë krijoi profesionistë që dhanë shembullin e mirë në lëmi të ndryshme të biznesit; i trajnoi nëpër kurse dhe shkollim universitar falas; i transferoi dhe i bëri fshatarë kreativë e të suksesshëm. Lavërtarin e transformoi në agronom; nga drejtues të qerreve tërheqëse, i bëri vozitës të kamionëve që transportonin me tonelata produket bujqësore nëpër rrugët e Evropës. Ishte njohës i mirë i natyrës së popullit të tij. Bazuar në natyrën dhe aftësitë e individit, ai krijonte rrugë zhvillimore, për të ecur tutje e për t’u profilizuar, varësisht nga afinitetet dhe interesat personale. Qindra punëtorë fillonin punën çdo ditë në bujqësi, shumë tjerë në fabrikën "Thertorja e shpezëve" e me dhjetra të tjerë zhvillonin tregtinë me të gjitha vendet e rajonit. Në fshatra të ndryshme të Kosovës u ndihmonte bujqve të mëkëmbnin ekonominë e mos të mbetej cep toke e papunuar. Kooperativa shpërndante fidane të sojeve të ndryshme falas, ndihmonte në lëvrimin e tokës, mbjelljen dhe dhënien e hardhive falas; u ndihmonte fshatarëve në ngritjen e fermave për kultivimin e shpezëve dhe gjedheve. Të gjitha këto dhe shumë tjera, i shtynte si një lokomotivë e asaj kohe, me të vetmin qëllim që të zhvillohej ekonomia dhe mirëqenia e popullatës.

Nëse e krahasojmë kohën e atëhershme me të sotmen, do të shohim se, përmes duarve të tij qarkullonin miliona euro. Ai kishte mundësi të jetonte me standardet e më të pasurve të asaj kohe. E kishte mundësinë të jetonte në qytete në villat më të bukura, e kishte fare të lehtë të krijonte pasuri edhe për shumë breza që do të vinin pas tij. Por, jo, korrupsioni dhe vjedhja nuk ekzistonin te ai, e as afër tij. Jetonte në fshat, si gjithë të tjerët, me një standard absolutisht të njëjtë me bashkëfshatarët e tij. Nga shtëpia në punë dhe anasjelltas ecte këmbë. Çdo ditë takohej dhe përshëndetej me bashkëfshatarët. Ishte në takime dhe komunikime me burrështetasit dhe biznesmenët më të mëdhenj të Ballkanit, por kur kërkohej nevoja, si në korrje-shirje, kur ishte vrulli më i madh i punës për të sjellë rendimentet në hambar, ai punonte edhe si kombajnier. Në kohën e vjeljes rrushit bënte shumë pak gjumë, shpesh shihej edhe si traktorist. Dashuria për vendin e popullin e tij i jepte vrull dhe fuqi shpirtërore. Sa pamje të bukur kishte vendi atëbotë, kur çdo lëvizje e njerëzve në fshat e kishte efektin e vet pozitiv; nxënës, studentët, punëtorë e gjallëronin pamjen gjatë tërë ditës.

Në fillim të viteve 80-të shtrirja e zhvillimit ekonomik e kishte ndikimin e saj në 84 fshatra të komunës së Gjakovës, por në veçanti, ky zhvillim shtrihej në fshatrat e Dushkajës. Që nga Beci e Cermjani e deri në Kryq të Rakocit, djerrinat i transformoi në plantacione të cilësisë së lartë të prodhimit, me një agrokulturë aq të bukur e frytdhënëse, që të kënaqej syri dhe zemra kur e shikoje. Tokat pjellore, me një natyrë të mrekullueshme, i mbushnin hambarët përplot bereqet, për tërë rajonin e Dukagjinit dhe më gjerë. Grurin dhe rendimentet tjera bujqësore, përpos që i siguronim për banorët tanë, ato edhe i eksportononim, ndërsa sot, në liri, në të njëjtën tokë, me më pak banorë e importojmë grurin. Të rinjtë e fshatrave të Dushkajës dhe më gjerë nuk ishin të detyruar që për shkaqe ekonomike ta braktisnin vendin, sepse për të gjithë kishte punë të mjaftueshme. Njerëzit e kishin si prioritet ndërtimin e jetesës në vendlindje, përmes djersës dhe punës së tyre.

Sot, kur e vizitoj fshatin, përpos ndjenjës së gëzimit për vendlindjen, për lirinë, që është ombrellë e të gjitha të mirave dhe ndërtimet e shumta që u bënë nga kontributi i mërgimtarëve, më mbushet zemra vaj kur shikoj tokat të kthyera në djerrina. Deri vonë qëndronin disa hardhi të mbuluara me ferra, që krijonin pamje të rëndë. Ndërkaq, Kooperativa që dikur ishte si një koshere bletësh, tani, e mbetur gërmadhë, me mure të rrënuara është e frikshme t`i afrohesh nga frika e gjarpërinjve dhe qenve endacakë. Nga një pamje e tillë del vetëm ky konkludim: Kur vdes një njeri i madh, nuk është vetëm dhembja për humbjen e tij; dhembja vazhdon kur pas tij shuhen edhe shumë gjëra të tjera me vlerë për vendin.

Rasim Alija – vdekja e dyshimtë e një ekonomisti të shquar

Reflektimi i punës së drejtorit Rasim Alija u binte në sy armiqve të asaj kohe. Përpos disa miqve kroatë, që ishin me origjinë ilire, të tjerët në ish-Jugosllavi e kishin halë në sy; ia zinin pritën në çdo shteg të zhvillimit tregtar dhe ekonomik. Megjithatë ishte e vështirë t´ia ndalonin aktivitetin, sepse lidhja e ngushtë me tokën dhe etninë, ia siguronte atij mëvetësinë, ndonëse vepronte në kohën e vështirë të robërisë sllave.

Pas pjesëmarrjes në një tubim në Beograd, ku shqyrtoheshin çështjet ekonomike edhe për rajonin tonë, ai rezistoi i vetëm në mes bishave, duke mbrojtur interesat ekonomike të vendit tonë. Por, si gjithmonë, pasojat e dinakërisë sllave ndihen më vonë. Menjëherë pas kthimit në shtëpi nga takimi në Beograd, Rasimi filloi të mos ndihej mirë, duke iu përkeqësuar gjendja vazhdimisht. Kishte një shtrëngim në krahëror dhe, pasi e dërguan në spitalin "Isa Grazda" në Gjakovë, as intervenimet dhe kujdesi maksimal i stafit mjekësor nuk mundën t´ia shpëtonin jetën.

Rasim Alija (i lindur në vitin1934) vdiq nga një sulm në zemër në vitin 1985. Meqë deri në atë moment gëzonte shëndet të plotë, dyshimet janë të mëdha se vdekja i erdhi si pasojë e dorës vrastare - ndonjë helmim nga UDB-ja gjatë kohës së qëndrimit të tij në Beograd. Për kontributin e tij në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për vlerat atdhetare e njerëzore, Rasim Alija mbetet çdoherë në kujtesën, jo vetëm të familjarëve e të atyre që e njohën, por edhe të qarqeve të biznesit dhe të ekonomisë-për idetë dhe famën e tij si drejtues ekonomie i zoti dhe i papërsëritshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat