Rikthehet Festivali i Shkollave Shqipe në Tri-Shtetëshin New York – New Jersey – Connecticut

Amerika

Rikthehet Festivali i Shkollave Shqipe në Tri-Shtetëshin New York – New Jersey – Connecticut

Nga: Beqir Sina, Nju Jork Më: 22 mars 2023 Në ora: 00:16
Foto nga vendngjarja

NEW YORK : Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, u zhvillua sot një takim midis drejtuesve të shkollave shqipe për të diskutuar dhe risjellë traditën e bukur të festivalit të shkollave shqipe. Pas realizimit të 5 festivaleve, kjo traditë u ndërpre përkohësisht për shkak të pandemisë.

Jo pa qëllim, takimi u mbajt në mjediset e Konsullatës së Kosovës. Ishte pikërisht kjo Konsullatë që nën iniciativën e ish-Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në New York, z. Bekim Sejdiu solli idenë e festivalit të përvitshëm të shkollave të Tri-Shtetëshit NY-NJ-CT. Bashkë me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë ato e kanë mbështetur këtë aktivitet për vite me radhë dhe vazhdojnë ta mbështesin edhe aktualisht.

Në takim mori pjesë edhe z. Fatmir Zajmi, diplomat në Konsullatën e Kosovës në NY. Ishin të ftuar të gjitha shkollat pjesëmarrëse të festivaleve të mëparshme megjithëse ndonjë prej tyre nuk ishte i pranishëm për arsye objektive.

Sipas traditës, cdo vit njëra nga shkollat merr rolin e organizatorit të festivalit në një renditje të përcaktuar rotacioni. Këtë vit do të jetë Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” ajo që do kujdeset për organizimin; pa dyshim në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shkollat pjesëmarrëse.

Në takim u diskutuan detaje të nevojshme për përgatitjen dhe koordinimin e veprimeve në mënyrë që festivali i radhës ashtu si edhe më pare, të jetë i suksesshëm.

Festivali i shkollave shqipe mbetet një traditë me vlerë që ndër të tjera ka këto vlera:

- Motivon akoma më shumë fëmijët ta duan, mësojnë dhe përhapin kulturën dhe gjuhën shqipe.

- Nxit ndjenjën e bashkëpunimit dhe lidhjet mes fëmijëve me të njëjtën prejardhje edhe përtej grupit të vogël ku ata zakonisht mblidhen.

- I bën jehonë kulturës sonë mes bashkështetasve amerikanë dhe atyre të kombësive të ndryshme që jetojnë në Amerikë e që gjithashtu e vlerësojnë dhe ruajnë kulturën e vet.

Festivali i 6-të do të zhvillohet në 4 qershor 2023. Detaje të mëtejshme do të ndahen së shpejti me lexuesit.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesve të shkollave shqipe që ishin prezentë iu dhuruan Abetare dhe libra të tjera për mbështetjen e mësimit të gjuhës sonë të bukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat