​Në New York vdes gazetari Alban Dega

Amerika

​Në New York vdes gazetari Alban Dega

Më: 8 qershor 2025 Në ora: 08:53
Alban Dega

Mbrëmë ka ndërruar jetë gazetari i Alban (Hamdi) Dega, i cili do të mbahet mend si disident, i pakompromis dhe shumë i dashur për kolegët e tij.

Ai fillimisht kishte emrin Hamdi por vite më parë e kishte ndërruar në Alban. Për vdekjen e tij njoftoi gazetari Qazim Doda

Albani ndërroi jetë në mbrëmjen e 7 korrikut në New York pranë njerëzve të tij të afërm. Ai la pas vetes bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Alban Dega u shkollua në një universitet prestigjioz në Kinë dhe u kthye menjëherë në Shqipëri, ku në fillimin e viteve të pluralizmit politik në Shqipëri, ai vazhdoi të punonte në ATSH si dhe për disa agjenci telegrafike të Evropës.

Siç ka shkruar Dodan, derisa i njihte udhëheqësit politik të të dy krahëve, Hamdiu ishte i pakënaqur me paraqitjet e tyre dhe filloi t’i denonconte publikisht pa rreshtur për rrezikun që mund t’i shkaktonin Shqipërisë e kombit shqiptar në përgjithësi. Si rezultat e disidentizmit të pathyeshëm, ai detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në New York.

“Me ardhjen e tij në New York, ai vazhdoi punën e tij në gazetari ku përpos që bashkëpunonte për agjenci të ndryshme të lajmeve, ai udhëhoqi edhe gazetën më të guximshme të viteve 90-ta “Albanian Herald” e cila botohej nga atdhetari i dalluar shqiptaro-amerikan Gjokë Martini. Në atë gazetë ai paralajmëronte për rrezikun që i kanosej kombit shqiptar nga bashkëpunimi i politikanëve dhe disa kriminelëve të njohur në Shqipëri me shërbimet sekrete serbe ku kishin filluar ta thyenin embargon e OKB-së ndaj Serbisë duke e furnizuar me naftë ushtrinë vrastare të Millosheviqit. Ai po ashtu kishte paralajmëruar se kjo veprimtari antishqiptare mund të sillte destabilitet në Shqipëri e deri tek lufta qytetare gjë që edhe ndodhi në vitin 1997 ku u vranë me mijëra qytetarë të pafajshëm dhe akoma kanoset rrezik i madh nga armatimi i pakontrolluar që posedohet nga qytetarët. Para fillimit të luftës në Kosovë, gjatë luftës dhe pas luftës, Alban Dega ishte një zë i fuqishëm këshillues e informativ duke iu përgjigjur nevojave të kohës. Në këtë kohë, ai e ndërroi edhe emrin nga Hamdi në Alban Dega duke sqaruar se ia kishte dhënë vetes detyrë që të mbante emrin shqiptar, të vepronte si shqiptar dhe t’i shërbente çështjes shqiptare deri në frymën e fundit”, ka shkruar ai.

Alban Dega ishte njëri ndër këshilltarët e njerëzve të luftës në Kosovë dhe nuk ndalej në përkrahjen e çdo delegacioni që vinte në Amerikë t’i këshillonte se si duhet të bashkërenditen bashkë me Amerikanët planet për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat