Në një ceremoni të mbajtur sot në Nju Jork, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dekoroi disa anëtarë të dalluar të Diasporës Shqiptare me Medaljen Presidenciale të Meritës, për rolin dhe kontributin e tyre në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ndër të dekoruarat ishte edhe aktivistja dhe këshilltarja e njohur, Shqipe Malushi, e njohur për dekadat e përkushtimit në mbështetje të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe popullit të Kosovës.
Znj. Malushi është ndër themelueset e Shoqatës “Motrat Qiriazi” në Nju Jork, dhe një figurë kyçe në organizimin dhe mobilizimin e Diasporës gjatë krizave më të rënda që ka përjetuar Kosova. Gjatë krizës së refugjatëve në vitin 1999, ajo udhëhoqi përpjekjet për mbledhjen e fondeve dhe ndihmoi në sigurimin e mbështetjes financiare, logjistike dhe emocionale për mijëra kosovarë të zhvendosur.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është krenar që ka pasur rastin të punojë nga afër me Shqipen. Ajo ishte anëtare e Bordit të RrGK-së nga viti 2022 deri në 2024, duke dhënë kontribut të paçmuar në fuqizimin emocional dhe profesional të anëtareve tona përmes këshillimit dhe mbështetjes së vazhdueshme.
“Shqipja është shembull i një gruaje që ka shndërruar dhimbjen kolektive në forcë kolektive. Ajo ka qenë dhe mbetet një zë i palëkundur i solidaritetit, kujdesit dhe veprimit në diasporë,” – thuhet në reagimin e RrGK-së pas ndarjes së çmimit.
RrGK e falënderon sinqerisht znj. Malushi për angazhimin e saj afatgjatë dhe e përgëzon për marrjen e këtij çmimi të merituar, që njeh punën e saj të palodhur në mbrojtje të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe drejtësisë sociale.