Në datën 10 janar 2026, në varrezat publike Maple Grove Cemetery, Kew Gardens, Queens – Nju Jork, u zhvillua pelegrinazhi i përvitshëm në përkujtim të Major Abaz Kupit, simbol i rezistencës kombëtare shqiptare. Këtë vit, për herë të parë pas 50 vitesh, (u ndie dhe mungesa e Partisë Lëvizja e Legalitetit) ceremonia u organizua në bashkëpunim të me Vatrën dhe me familjen Kupi.
Me dhjetëra pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar i Nju Jorkut, dhe rrethinave u mblodhën për të nderuar figurën e heroit të 7 prillit 1939 – komandantin që në krye të forcave besnike të Mbretit Zog organizoi qëndresën e parë dhe të vetme të armatosur serioze kundër pushtimit fashist italian, duke i dhënë Shqipërisë dinjitet në atë ditë tragjike.
Për gjysmë shekulli, diaspora e vjetër shqiptare në Amerikë, e mbajti gjallë këtë kujtim, duke vlerësuar meritat e Abaz Kupit në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë dhe duke kundërshtuar mohimin dhe shpifjet e regjimit komunist të Tiranës, i cili për më shumë se 50 vjet e trajtoi padrejtësisht atë dhe shumë figura të tjera të nacionalizmit shqiptar.
Ceremonia përkujtimore u përshëndet në fillim të saj nga Sokol Kupi, nipi i Abaz Kupit, në emër të familjes. Ai falënderoi pjesëmarrësit për nderin dhe respektin e treguar në 50-vjetorin e vdekjes së gjyshit të tij dhe theksoi se Abaz Kupi pati vetëm një ëndërr të madhe: Kosovën e lirë dhe të pavarur, Shqipërinë demokratike dhe zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare. Ai kujtoi se këto ideale ishin në harmoni me sakrificat e mijëra heronjve të tjerë që luftuan që vendi të mos udhëhiqej nga ata që e plaçkitën dhe e vjedhën Shqipërinë.
Pelegrinazhi i përvjetëshëm u mbyll me vendosjen e kurorave dhe buqetave me lule të freskëta te varri i Abaz Kupit, si dhe me atë fotografinë tradicionale “familjare” para varrit, ku morën pjesë anëtarë të familjes Kupi (Gjergji, Dani), miq dhe të afërm.
Para ceremonisë, në të njëjtën sallë përkujtimore, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra organizoi një Simpozium Shkencor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Major Abaz Kupit.
Simpoziumi zgjati 1 orë e 30 minuta (11:30– 14:00) dhe u hap nga Sokol Kupi me fjalë mirëseardhjeje. Ndërkohë që Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, mbajti fjalën e përshëndetjes.
Kumtesat kryesore të këtij simposiumi përfshinin:
• Prof. Nikolla Pano (lexuar nga Rafaela Prifti)
• Eugjen Merlika – “Abaz Kupi, një figurë qendrore e Mbretërisë Shqiptare” (lexuar nga Julka Prifti)
• Frank Shkreli – “Abaz Kupi i keqtrajtuar nga historia shqiptare” (lexuar nga Ylli Dosku)
• Gjek Gjonlekaj – referenca nga libri “Bijtë e Shqipes” i Julian Amery-t:
(Harold Julian Amery, Baron Amery i Lustleigh, PC (27 Mars 1919 - 3 Shtator 1996) ishte një politikan i Partisë Konservatore Britanike, i cili shërbeu si Anëtar i Parlamentit (MP) për 39 nga 42 vitet midis viteve 1950 dhe 1992. Ai u emërua në Këshillin Privat në vitin 1960. Ai ishte dhëndri i kryeministrit konservator Harold Macmillan.)
• Prof. dr. Roland Gjini – “Abaz Kupi dhe Lufta Antifashiste në Shqipëri” (kumtesë e 1992-)
• Prof. dr. Fejzulla Berisha – “Abaz Kupi, rishkrimi i historisë dhe vendosja në kujtesën kombëtare” (lexuar nga Shpend Gjocaj)
• Prof. as. dr. Bernard Zotaj – “Abaz Kupi, vendi dhe roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë”(lexuar nga Veri Taushllari)
• Prof. as. dr. Gëzim Mustafaj – “Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare” (lexuar nga Bashkim Musabelliu)
• Dr. Paulin Marku – “Aktiviteti politik i Abaz Kupit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”
• Rafael Floqi – “Abaz Kupi, Legaliteti dhe operacioni BGFIEND – Një pasqyrë kritiko-historike” (lexuar nga një anëtare e familjes Kupi)
Përshëndetën gjithashtu, Asllan Bushati ish Sekretar i Vatres, publicisti Tomë Mriaj (Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit) dhe Ndrec Gjergji (anëtar i Senatit të Partisë Lëvizja Legaliteti).
Simpoziumi u moderua nga Sokol Paja, i cili premtoi se kumtesat e plota do të publikohen në gazetën Dielli, përfshirë edhe punimin e tij me titull “Ceremonialin përkujtimor të Abaz Kupit”. të cilin nuk lexojë por e la për ta botuar te Dielli .
Gjatë ngjarjes u përmend sërish nevoja për kthimin e eshtrave të Major Abaz Kupit në atdhe. Abaz Kupi, heroi kombëtar i 7 prillit, u dekorua pas vdekjes më 28 nëntor 2014 nga Presidenti Bujar Nishani me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Ky 50-vjetor nuk qe vetëm një ceremoni zie, por një akt i fuqishëm kujtimi aktiv, reflektimi shkencor dhe shprese për drejtësi historike të plotë.