Rreth një milion amerikanë po marrin një çek rimbursimi prej 500 dollarësh nga administrata e Trump, lidhur me Aktin e Kujdesit të Përballueshëm (ACA), i njohur si Obamacare.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë në shtator 2026, çeqet janë për “tarifat e tepërta të Obamacare, të mbledhura nga administrata Biden”. Presidenti Donald Trump tha se bëhet fjalë për kthimin e tarifave të tepërta për amerikanët që nuk morën ndihmë për primet e sigurimit shëndetësor në 30 shtete që përdorin tregun federal HealthCare.gov.
Sa është shuma dhe kur merren?
Çdo përfitues merr 500 dollarë. Pagesat filluan më 30 shtator 2026 dhe vazhdojnë gjatë tetorit. Nuk kërkohet asnjë aplikim paratë depozitohen automatikisht ose dërgohen me çek.
Kush kualifikohen?
Persona që kanë blerë sigurim shëndetësor përmes HealthCare.gov dhe kanë paguar koston e plotë të primave pa asnjë subvencion. Përfshihen edhe ata që fitojnë midis 100% dhe 400% të nivelit federal të varfërisë, por që nuk kanë marrë ndihma.
Cilat shtete janë të përfshira?
Alabama, Alaska, Arizona, Arkansas, Delaware, Florida, Hawaii, Indiana, Iowa, Kansas, Louisiana, Michigan, Mississippi, Missouri, Montana, Nebraska, New Hampshire, North Carolina, North Dakota, Ohio, Oklahoma, Oregon, South Carolina, South Dakota, Tennessee, Texas, Utah, West Virginia, Wisconsin dhe Wyoming.
Ku përfitojnë më shumë shqiptarët?
Sipas Census (ACS 2020-2024), komuniteti shqiptaro-amerikan është më i pranishëm në:
• Michigan – rreth 26.600 (Metro Detroit dhe Sterling Heights)
• Florida – rreth 17.500 (Jacksonville, Tampa Bay dhe South Florida)
• Wisconsin – rreth 5.300
• Texas – rreth 5.300
• Ohio – rreth 4.300
Shtete të tjera me prani të dukshme janë Arizona, North Carolina, Missouri, New Hampshire, South Carolina dhe Tennessee.
Pse New York dhe New Jersey nuk përfitojnë?
New York dhe New Jersey nuk janë të përfshira dhe nuk ka asnjë plan që të përfitojnë. Rimbursimi vjen vetëm nga tarifat e mbledhura nga HealthCare.gov.
• New York ka tregun e vet: NY State of Health
• New Jersey ka tregun e vet: Get Covered New Jersey
I njëjti rregull vlen edhe për Massachusetts, Connecticut, Pennsylvania dhe Illinois.
Nëse jetoni në një nga 30 shtetet e listuara, keni përdorur HealthCare.gov dhe keni paguar primin e plotë pa ndihmë, çeku ju vjen automatikisht.
Letra që po marrin pothuajse 1 milion amerikanë së bashku me çekun e 500 dollarëve:
“Për vite me radhë, administrata Biden ju ka kërkuar më shumë para sesa duhej për të financuar funksionimin e HealthCare.gov. Ato para u përkasin amerikanëve punëtorë, jo qeverisë, dhe tani unë po i kthej…
Me këtë veprim historik, administrata ime po merr fondet e tepërta të grumbulluara nga ‘taksa mbi primet’ e Obamacare dhe po u jep një rimbursim të vetëm prej 500 dollarësh amerikanëve që përdorin platformën HealthCare.gov për të blerë sigurimin e tyre shëndetësor, por që nuk marrin subvencione nga taksapaguesit.
Ju keni kontribuar në këtë sistem dhe tani, më në fund, po merrni diçka mbrapsht. Fondet për kujdesin shëndetësor duhet t’u sjellin dobi pacientëve, jo kompanive të sigurimit dhe burokratëve qeveritarë.
Që kur jam rikthyer në detyrë, kam luftuar për të ulur kostot e kujdesit shëndetësor, për të rritur llogaridhënien dhe për t’i vënë pacientët në plan të parë.
Nëpërmjet ‘TrumpRx’ ne po ofrojmë zbritje të mëdha për barnat me recetë… dhe marrëveshjet e mia të çmimeve të bazuara në parimin e ‘kombit më të favorizuar’ u kanë kursyer tashmë amerikanëve më shumë se 1 miliard dollarë.
Jam krenar që po jua kthej paratë tuaja dhe nuk do të ndalem kurrë së luftuari për t’i dhënë përparësi popullit amerikan, për të rikthyer përballueshmërinë ekonomike, për të mbrojtur paratë tuaja të fituara me mund dhe për të ulur kostot e kujdesit shëndetësor.
Zoti ju bekoftë dhe le të vazhdojë Ai të bekojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”