Nderim për “Avni Rustemin e Nju Jorkut” - “Bacën e flamurit kuq e zi”

Amerika

Nderim për “Avni Rustemin e Nju Jorkut” - “Bacën e flamurit kuq e zi”

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico Tirane, 18 gusht 2016 Më: 26 gusht 2016 Në ora: 12:38
Agron Fico

Më 2 gusht të këtij viti ndërroi jetë në Nju Jork Ahmet Zherka, një personalitet i nderuar, atdhetar i flaktë.

Ahmet Zherka, i njohur edhe si “Avni Rustemi i Nju Jorkut” si “Baca i flamurit kuq e zi”, ka lindur në fshatin Zherkë të Tropojës, në një familje më tradita trimash dhe luftëtarë të lirisë, brez pas brezi.

Ahmet Zherkën e lindi Historia, e lindën malet, fushat e lumenjtë dhe bjeshkët shqiptare. Ahmet Zherkën e lindi lufta e pandërprerë për liri, për pavarësinë e Kosovës, për bashkim kombëtar.

I lindur dhe i rritur në një familje me tradita të shquara atdhetare dhe luftarake, ai meritoi nderimin e mbarë bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kosovë.

Pas burgosjes së të atit nga regjimi komunist në Shqipëri, familja shpërngulet për në Ferizaj, në Kosovë. Pushtimi serb, ndjekja dhe persekutimi i shqiptarëve nga policia e fshehtë e Tito-Rankoviçit, shkelja e çdo të drejte njerëzore dhe kombëtare nga regjimi sllavo-komunist  jugosllav, ngjallën tek i riu Ahmet Zherka ndjenjën e fortë të urrejtjes dhe nxitën veprimtari kundërshtimi  “ndaj sllavëve të Karpateve”, siç i cilësonte serbët pushtues në shkrimet e veta.

Në Ferizaj vihet nën ndjekjen e policisë dhe shërbimit të fshehtë serb për aktivitetin e tij anti-serb, prandaj detyrohet të arratiset dhe të strehohet në disa të njohur te shqiptarët e Malit të Zi. Por edhe këtu nuk e ndërpret veprimtarinë atdhetare, vazhdon të ndiqet nga policia serbo-malazeze, prandaj largohet për në Itali. Qëndron pak muaj në një kamp për emigrantët dhe në maj të vitit 1968 vendoset familjarisht në Amerikë.

Në “Amerikën e bukur”, në vendin e demokracisë dhe të lirisë, gjen truallin e ngrohtë dhe më të mirë për jetesën dhe veprimtarinë atdhetare.

Krahas punës së përditshme, edhe me orë të zgjatura, që të mbante familjen, i kushtohet me të gjitha forcat e shpirtit dhe të mendjes veprimtarisë atdhetare për Kosovën dhe Shqipërinë. Merrte pjesë në demonstrata, madje shpesh sillte edhe fëmijët se, atëherë kujton ai, të paktë shin ata që afroheshin në këto veprimtari. Bashkëpunon me kroatët kundër shtypjes dhe okupimit serbo-jugosllav. Po çdo ditë radhët me shqiptarë shtoheshin.

Veprimtaria atdhetare e Ahmet Zherkës është e gjerë dhe përfshin që nga demonstratat, shkrimet publicistike, tubimet shqiptare e gjer tek vrasja e shkelësit të flamurit kuq e zi.

Pas shfaqjes së filmit Skënderbeu në Shqipëri, kishte ardhur edhe një kopje e filmit në Diasporën shqiptare në Boston. Një grup patriotësh, me në krye Ahmet Zherkën, shkuan dhe e morën në Boston dhe organizuan shfaqjen e filmit për shqiptarët e Nju Jorkut. Kjo veprimtari kulturore-atdhetare ndeshi në qëndrimin e një grupi emigrantësh politikë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe donin ta pengonin. Qëndrimi i fortë dhe  burrëror i Ahmetit dhe i mbështetësve të tij bëri të mundur shfaqjen e filmit Skënderbeu në një kinema të qytetit të Nju Jorkut dhe shqiptarët i shprehën mirënjohjen Ahmet Zherkës për këtë veprimtari atdhetare.

Trimi Ahmet Zherka e “qëndisi” me shtatë plumba në ballë shkelësin e flamurit kombëtar, në atë ditë gushti të vitit 1975, mu në zemër të Nju Jorkut, në Manhattenin magjik. Ahmet Zherka u bë një Avni Rustem i Nju Jorkut.

Siç përmenda më lart, Ahmet Zherka punonte shumë për të mbajtur familjen me pesë fëmijë të vegjël. Në vendin e punës kishte një të ndarë si “dhomëz” ku ndërronte rrobat e punës dhe mbante ushqimin e ditës e ndonjë send vetjak. Në dhomëz kishte mbi tryezë një flamur kuq e zi të kombit shqiptar dhe në mur kishte varur një gazetë ku ishte edhe portreti i Skënderbeut. Përgjegjësi i punës, sa herë vinte tek dhomëza e Ahmetit, me shfrime i kërkonte që t’i hiqte këto simbole, pa dhënë ndonjë shpjegim. Kërkesa e përsëritur e këtij fodulli dhe kapadaiu e kishin stresuar Ahmetin, që përpiqej të kuptonte shkakun dhe të shmangte ballafaqimin e mundshëm. Ngjarjet morën drejtim tjetër.

Në fillim të gushtit 1975, Ahmeti kishte dalë shpejt nga shtëpia; pasi piu një kafe me disa miq të zemrës, ishte drejtuar për në punë. Veshi rrobat e punës dhe ndërsa po pinte edhe një duhan, me egërsinë e ujkut, pa trokitur dhe pa përshëndetur, në “dhomëz” hyri Smithi, kështu quhej ky farë përgjegjësi. Shtriu dorën drejt flamurit të ndritur kombëtar, e shkeli, disa herë, e pështyu dhe u largua.

Asnjëherë në jetë nuk ishte gjendur më vështirë Ahmet Zherka. Bubullimat dhe gjëmimet e Alpeve shqiptare, kur afrohen stuhitë dhe rrebeshet qiellore, i ranë mbi krye Ahmet Zherkës në ato çaste të rrufeshme. Zotëroi fort veten, mbaroi cigaren e porsafilluar, nxori nagantin, i futi tetë plumba, i puthi grykën.

Ishin kohë të vështira dhe njeriu duhej të vetëmbrohej.

Tërhoqi derën “e dhomëzës” së tij dhe u ngjit në katin e dytë, ku kishte zyrën Smithi. Trokiti në derë dhe hyri. Smithi me një buzëqeshje sarkastike, e pyeti pse kishte ardhur. Ahmet Zherka i tha me një ton të qetë dhe të qartë:”Kam ardhur, zoti Smith, që të zbatoj vullnetin e popullit tim, të mbroj nderin e flamurit të përdhunuar nga ju...!” Ndërsa Smithi u përpoq që të fitonte kohë Ahmeti, si njeri që vinte nga zona e barutit, nxori nagantin dhe me një saktësi të plotë i zbrazi në ballë dhe në kraharorin e majtë 6 plumba shkelësit arrogant të flamurit kombëtar.

Doli  në rrugë, u ul në një anë të saj dhe po pinte duhanin e fundit në liri. Zgjati dorën para një mikrobusi të policisë. Në fillim ata nuk po kuptonin gjë. Por, kur dy oficerët u afruan, Ahmet Zherka, me atë anglishten e ngadalshme iu tha: “Unë kam...” Pa mbaruar pjesën e dytë të foljes e puthi nagantin dhe ua zgjati me grykë nga vetvetja oficerëve të policisë, që u ngurtësuan para tij, zgjati të dyja duart që ta prangonin dhe, si e hipën në fugonin e tyre, e shpunë në stacionin e policisë.

Më vonë në shënimet e veta, oficeri i policisë së Nju Jorkut, Skot M., shkruan se: “Kam mbi 25 vjet në shërbim... Kam pasur raste të ndryshme të vështira. Po ky rast është i veçantë...!”

U bënë hetimet e para dhe u mësua motivi i ngjarjes nga vetë i ndaluari. Ai, Ahmet Zherka, kujton Skot M, përsëriste vazhdimisht katër fjalë: “Soldier, fatherland, order, flag”, që më vonë u deshifruan qartë: “Jam një ushtar i thjeshtë i atdheut tim dhe zbatova urdhrin e tij, të mbroj edhe me jetën time nderin e kombit, flamurin kombëtar.

Lajmi u përhap brenda ditës ndër shqiptarët e Nju Jorkut, të cilët krijuan një grup që të mblidhnin fonde për gjyqin. Letra dhe telegrame iu drejtuan gjykatës së Nju Jorkut për lirimin e menjëhershëm të “Njeriut të flamurit”.

Meriton të kujtojmë se dita e gjyqit u kthye në një manifestim paqësor. Dhjetëra e dhjetëra shqiptarë me qeleshe të bardha mbi krye, mbushën oborrin e gjykatës. Kishte edhe pankarta të tilla si: “Të lirohet menjëherë Ahmet Zherka, mbrojti nderin e kombit!”, “Rroftë flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore”!

Ai u lirua pas pak viteve dënimi. Diaspora e priti dhe e rrethoi me nderim.

Ai tashmë ishte bërë tribun i  Diasporës.

Ahmet Zherka filloi të shkruante një faqe tjetër të veprimtarisë atdhetare. Në vitin 1978 botoi buletinin “Bashkësia shqiptare”, që dolli vetëm 3 numra. Në numrin 3 të këtij buletini u botua një memorandum, që titullohet “Barbarizmat greke në Çamëri”. Dokumenti është një dëshmi konkrete e genocidit grek ndaj popullsisë çame. Dokumenti mbeti i panjohur për një farë koh. Në vitin 2005 e botova në gazetën “Illyria” (30 gusht - 1 shtator 2005; f. 27 dhe 2-5 shtator 2005; f. 30, 35).

Më vonë profesori i nderuar Peter Prifti e përktheu këtë dokument në anglisht, që u shpërnda edhe në rrjetet elektronike.

Baca Ahmet ka shkruar edhe mjaft artikuj në shtypin e Diasporës dhe të Kosovës.

E quaj veten me fat që gjatë viteve të mia në Nju Jork kisha në krah një burrë të vërtetë të fjalës së rëndë dhe besës së madhe. Kudo që ishim, Ai nderohej.

Shpesh takoheshim dhe ai më thoshte: “Po vij profesor, tek stacioni i Rrogozhinës”. Kështu e quante stacionin përballë hyrjes se kopshtit zoologjik.

Ahmet Zherka ishte një thesar i urtësisë dhe i mençurisë popullore, nga ai kishe se çfarë të mësoje.

E jetoi me një gëzim të madh shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe shkoi aty ta ndante këtë gëzim me miqtë dhe shokët e shumtë. Kudo u prit si hero, si atdhetar, si luftëtar popullor. Dhe kishte të drejtë, se Ai dhe e gjithë familja kishin bërë gjithçka për ta afruar këtë ditë të madhe - pavarësinë e Kosovës.

Ahmet Zherka ishte vizionar. Ai ëndërronte dhe dëshironte bashkimin e gjithë shqiptarëve nën një flamur, në një shtet, në një gjuhë. Ishte Ai që më shtyu dhe më frymëzoi që të botoj librin: “Rilindja e Shqipërisë etnike” (2009).

Ahmet Zerka ishte trim i rrallë, që e tregoi gjatë gjithë jetës. Ishte mbi të gjitha një atdhetar i shquar që me vepra, me shkrime dhe diskutime, përcillte vetëm atdhetarizëm dhe fisnikëri.

Ahmet Zherka edhe fëmijët i rriti dhe i edukoi me frymën atdhetare dhe me veprimtari në demonstrata, tubime etj. Ilir Zherka, jurist, ka punuar në administratën e Bill Klintonit; Kujtimi dhe Naimi u bënë biznesmenë të suksesshëm; ndërsa motra e tyre, Nexhmija, oficere e shquar që, kur ndërroi jetë, u nderua me flamurin kombëtar amerikan, dërguar nga Presidenti Bush i Vjetri.

I qetë, i heshtur si Alpet shqiptare nga erdhi, i urtë dhe plot hijeshi në sjelljen e vet burrërore, i thjeshtë edhe fjalëpakë, por me shkreptima rrufesh në shikimin e vet, ai nuk kërkoi as lavdi, as emër, as njohje, por ndërkaq Ahmet Zherka fitoi adhurimin, dashurinë dhe nderimin e të gjithë shqiptarëve që e njohin e kudo që janë. Ai meritoi emrin e bukur - simbol “Baca i Flamurit kuq e zi” dhe të shpallet “Nderi i Kombit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat