Mbrëmje bamirësie në New York për nënat dhe fëmijët e Kosovës

Amerika

Mbrëmje bamirësie në New York për nënat dhe fëmijët e Kosovës

Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 15:31
Ilustrim

Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ (AMC) nga Prishtina, organizon nesër në New York, mbrëmje bamirësie për të ndihmuar gratë dhe fëmijët e Kosovës.

Sipas një komunikate nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ngjarjes bamirëse do t’i bashkohet edhe  Valerie Rockefeller Wayne, nga Rockefeller Brothers Fund,  dhe Dua Lipa, këngëtare, filantrope dhe patrone e Fondacionit "Sunny Hill".

Kjo mbrëmje do të organizohet për të  ndihmuar në mbledhjen e fondeve që ndihmojnë në uljen e nivelit të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në Kosovë. 

Ngjarja bamirëse ka grumbulluar mbështetje të madhe si nga njerëzit e biznesit, skena politike, po ashtu edhe nga njerëzit e kulturës. Pjesë e organizimit të ngjarjes janë personalitete të mirënjohura nga Kosova si dhe Shtetet e Bashkuara, si: Richard Lukaj, Bekim Ahmetaj, James C. Strickler, Michael Gold, Haki Abazi dhe Fadil Berisha.

Konsulata e Kosovës në Nju Jork si dhe Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbështetjen e tyre që në fillim të organizmit të ngjarjes, duke ndihmuar që të tregojnë për punën e AMC-së në komunitetin filantropik të Nju Jorkut dhe më gjerë.

Janinë Mehmeti, Koordinatore për Ngjarje dhe Ngritje Fondesh në AMC, shprehë mirënjohjen e saj të thellë për pritjen e përzemërt që AMC ka hasur në përpjekjet për të organizuar këtë mbrëmje bamirësie, mbrëmje kjo që do të mbështesë programet shëndetësore në Kosovë për përmirësimin e jetës së nënave dhe fëmijëve. Mbështetja e entiteteve si lokali i mirënjohur “Russian Tea Room”, Fondacioni Lukaj, Doro Group Restaurant, e kanë bërë këtë mbrëmje një realitet. 

Biletat për ngjarjen ende mund të sigurohen online në platformat e AMC-së. Programi do të zgjasë për 30 minuta dhe pjesa tjetër e mbrëmjes do të jetë për shoqërimin mes mysafirëve  nën shoqërimin e një koktel rasti.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat