Raif Hyseni, promovon muzikën e bukur Shqiptare nëpër Amerikë

Amerika

Raif Hyseni, promovon muzikën e bukur Shqiptare nëpër Amerikë

Beqir SINA - New York Nga Beqir SINA - New York Më 17 shkurt 2017 Në ora: 18:47
Ansambli i njohur i Raif Hysenit

Ansambli i njohur i Raif Hysenit, me studentët amerikanë të muzikës, dha Koncertin Pranveror,  duke u paraqitur me një program shumë të pasur që zgjati rreth 40 minuta.

NEW JERSEY : Në kuadër të koncerteve me studentët që studiojnë muzikën gjegjësisht muzikën Shqiptare, pranë universitetit prestigjioz Montclair State University, në kantonin Montclair, në New Jersey, dje, Ansambli i njohur i Raif Hysenit, me studentët amerikanë të muzikës, dha Koncertin Pranveror,  duke u paraqitur me një program shumë të pasur që zgjati rreth 40 minuta.

 Ky koncert është tradicional dhe mbahet për çdo vit ne këtë universitet, ku jep mësim edhe muzikanti i njohur shqiptar Raif Hyseni. Gjatë, këtij koncerti studentët e tij tregojnë, dhe shfaqin talentin e tyre, për mes këndimit, ose luajtjes së instrumenteve m ‘varësisht se çfarë instrumenti ata studiojnë.

Mjeshtri i fisarmonikës, dhe themeluesi dhe udhëheqësi i këtij Ansambli, thotë se ai është i përbërë prej 20 studentëve të muzikës, gjatë semestrit të Pranverës, dhe se gjasat janë që ky numër i të interesuarve të rritet me një ritëm më të shpejt.

“Në këtë Ansambël, përveç studentëve marrin pjesë edhe profesor me grada shkencore, por që ligjërojnë lënd të tjera. Studentët, e ansamblit tonë, sqaron Raifi, janë student Amerikan, dhe student nga vende të ndryshme të botës që studiojnë instrumentin e tyre, të zgjedhur për muzikë klasike, ose  jazz, kompozicion, band, orkestër, orkestër kamertale, performance, terapi muzikore, muzikologji. Ndërsa, e gjejnë vetveten, dhe ndihen shumë të kënaqur, dhe të gëzuar që janë pjesë e këtij Ansambli”, thotë ai.

 Gjithashtu, sipas tij, edhe këngëtarët, që studiojnë solo këndimin për muzikë klasike, opera, kor, apo Broadway, në këtë Ansambël, ata e shohin veten të sfiduar, dhe në të njëjtën kohë shumë të interesuar për çdo detaj të vogël.

Duke folur për pjesëtaret e Ansamblit gjatë këtij koncerti, Raif Hyseni, thotë se ata ishin: Grupi i këngëtarëve: Tamaru Geller, Mackenzie Brown, Konstantina Siokis, Nicole Beyer, Jacqueline Martha Wachulec, Mariana Gomez, Klarinet: Justin Romano, Violin: Jessica  Finkelstein,Tastiere: Dr. Lisa DeLorenzo, Harmony Chau,Trompet: Cesar Mejia, Laura Berger, Deshaun Hinson Trombon: Federico Perez-Trasante, Tuba: Gregory Edmond, Cello: Ardith Collins, Kitar: Masaaki Saito, Loder-daulle Susan Cohen DeStefano.

Ai na tha se ky është viti i 3-të që studentët pranë Universitetit të Montclairit, kanë mundësinë që të shijojnë, mësojnë, dhe t’a studiojnë muzikën Shqiptare nga afër aq më tepër nga ne, që, ne jemi akoma burimi i parë.

“Unë vet kam qenë student pranë këtij universiteti, përmendi mjeshtri i fizarmonikës, dhe mbarova Master për muzikë, në këtë universitet prestigjioz. Duke qenë i pranishëm në këtë universitet, që është një ndër universitetet më të njohura në New Jersey dhe në Amerikë, unë i propozova senatit të këtij universiteti që të hapej Katedra për muzikën Shqiptare – Ballkanike. Dhe, pas disa seancave dëgjimore, ata u dakorduan me mua që të hapet kjo degë, e cila në fakt kjo ka qenë edhe një ndër ëndërrta e mia, dhe për këtë falënderoj Zotin që ma dha këtë  mundësi që ti shpalosim vlerat tona të mëdha artistike, kulturore, tradicionale, moderne, edukative dhe historike".

Raif Hyseni, më pas tregon se rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ish mentorja e tij, si dhe shefe e Katedres, për edukimin muzikor në nivel master zonja Dr. Lisa DeLorenzo që dha kontributin e saj maksimal që kjo ëndërr e tij, të bëhet realitet, por pa harruar edhe përkrahjen e disa profesorëve të tjerë, që ligjërojnë në Universitetin Montcalir të Nju Xhersit.

Ëndrra e tij, për promovimin e muzikës, kulturës dhe traditës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, vazhdon .

 Raif Hyseni, dhe këngëtarja e mirënjohur Merita Halili , në vazhdën e këtij misioni ishin të ftuar për herë të parë, due nga Pitsburgh University, Pensilvani, që të ligjërojnë për muzikën Shqiptare.

“Është hera e parë që artist shqiptarë, tha ai që ftohen nga ky universitet që të ligjërojnë për një gjë të tillë. Gjithashtu, gjatë qëndrimit tonë këtu do t’i përgatisim orkestrën e këtij universiteti, që të luajnë valle dhe këngë Shqiptare. Për këtë duhet të falënderoj me këtë rast zonjën Dr. Adriana Von Helbig, që është shefe e Departamentit të Muzikës, e cila na bëri ftesën. Merita Halili, është drejtuese e grupit të këngëtarëve, ndërsa me orkestër dhe përgjegjës për të gjithë Ansamblin, jam unë” trigonë Raif Hyseni

Në mbyllje duhet theksuar, se deri më tani Ansambli i njohur i Raif Hysenit, me studentët amerikanë të muzikës, nga universtiteti prestigjoz Monteclair në Nju Jersey, është paraqitur në disa festivale ndërkombëtare në New York dhe New Jersey, po ashtu ata kanë luajtur live në radio dhe Televizione të ndryshme amerikane, dhe kanë përformuar në prani të 3000-4000 vetave.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat