Frank Shkreli: Demokracia nuk pret

Amerika

Frank Shkreli: Demokracia nuk pret

Më: 30 mars 2017 Në ora: 15:31
Ballina e librit

Ky është titulli i librit të ri nga Frank Shkreli, një përmbledhje e disa artikujve subjektesh të ndryshme, të botuar në gazeta dhe portale në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare dhe në diasporë.  Ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit të autorit, me shpresë se në vëllimet e ardhëshme do të mund të përfshihen një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve të shkruar e të botuar deri tani.  

Për sponsorizimin e botimit të këtij vëllimi falënderoj nga zemra gazetën Telegraf në Tiranë, por mbi të gjithë u jam mirënjohës lexuesve që i kanë ndjekur besnikërisht shkrimet e mia gjatë viteve.  Dëshiroj gjithashtu të falënderoj edhe miqtë e mi që patën mirësinë të shkruajnë parathënjet që vijojnë, të librit “Demokracia nuk pret”, Profesor Sami Repishtin, Dr. Elez Biberajn dhe Simon Mirakaj.  U jam mirënjohës gjithashtu për fjalët e tyre fisnike, të shprehura me rastin e botimit të librit, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Mosiut, Dr. Halim Kosovës, si dhe drejtuesve të gazetës Telegraf, botuesit, Z. Agim Çirakut dhe Drejtorit Ëngjëll Musait. 

 

                            KANË THËNË PËR LIBRIN:            

                 PARATHËNJE NGA PROFESOR SAMI REPISHTI PËR

                            LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET” 

Paraqitja në publik me këte vëllim të gazetarit, transmetuesit të programeve radio-televizive dhe analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Gjeto Shkreli ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për shqiptaro-amerikanët, qoftë për materialin që kemi para nesh, qoftë për autorin që e përgatiti.   Frank Shkreli, i lindun në nji fshat të zonës së Ulqinit (ish Jugosllavi), njihet në mesin tonë si nji i ri me nji të ardhme premtuese që në fillim. Me 1969, emigroi në Itali dhe ma vonë në Shtetet e Bashkueme me familjen e tij. Ai ashtë nji shembull i dhimbshëm i turmave shqiptare që u detyruen me u largue nga trojet e veta stërgjyshore e me marrë rrugët e mërgimit – të ‘kurbetit’ të mallkuem!  -  të breznive të mapareshme.  Familja e tij ka qenë viktimë e ngjarjeve të randa e shpesh herë shkatërrimtare të jetës në vendin e lindjes – lëvizje e çvendosje të imponueme nga jeta e veshtirë e trazimet akoma ma të vështira. Kjo e kalueme ka lanë gjurmët e pashlyeshme në mendjen e tij.

Me origjinë nga “bajraku” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër, krahinë e njohun për qëndresën e banorëve të saj në përpjekje me mbrojtë votrat e tyne, familjet, tokët që e ushqejshin, burrat e Shkrelit u vranë, u sakatuen, u dërmuen nga kamba shtypëse e agresionit sllav sa herë që gjendja ndërkombëtare trazonte jetën paqësore të banorëve fatzez, dhe sa herë që sundimtari i huej – sidomos halldupi i Anadollit që e shtypi për pesë shekuj të gjatë, kalonte nepër ato vise “mik i paftuem” ose “anmik i luftuem”, e mizor për natyrën e tij.  Mbas ikjes tij, Shkreli filloi nji jetë ma të qetë, kur malsori nuk u vra ma me urdhën të “pashës” e të sejmenëve të tij; toka nuk u zaptue nga “spahijtë” e “jeniçerët” dhe kur femia u rrit pa përjetue lufta e ekspedita ndëshkimore. Por, vetëm për nji kohë të shkurtë!  

Me 1939, erdhi pushtuesi italian, e i hueji u dynd me ushtri, “mik i paftuem!” Përleshjet gjakesore u rritën çdo ditë me humbje jetë, e pasunie. Kur i hueji u largue me turp, e pritej dita e lirisë e shpëtimit, fati e deshti që Shqipëria të bie nën kambën e Moskovit sllav, pa kondita, pa rezerva. 

Nji valë urrejtje mbuloi vendin e në Shkrelin e Frankut u vranë burrat, u internuen gratë e femijtë, u dogjën shtëpitë, e arat e bukës mbeten shkret ose u banë pronë kolektive e shtetnore…! Uria u ba “buka e përditëshme” terrori zëvendsoi qetësinë e vendit e vrau qytetarin kudo që ai e kundërshtoi. Legjone të tana u lëshuen pa mëshirë mbi kurriz të nji popullsie që nuk gjeti shteg tjetër veçse rrugen e mërgimit, largimin nga shtëpia, katundi, bajraku e atdheu i dhunuem. “Refugjatë” pa dëshirë, të padëshiruem, shpesh të përbuzun, turmat e çveshuna e të urituna, morën rrugët e botës që nuk njihshin në kërkim të nji jete te re- që zakonisht as kënaqë as lehtëson! Frank Gjeto Shkreli e familja e tij përfunduen në kampe refugjatësh të Italisë dhe ma vonë arritën në New York Ciy, SHBA, ku Franku, djal i ri, u gjet para nji situate të re, të panjohun, por që premtonte nji të ardhme ma të mirë. Dhe ashtu doli!

Image

Baba Gjeto, nana Mrikë, vllau dhe dy motrat që e shoqnojshin i u vunë punës në vendin e ri, me hov të ri, e shpresa të mëdha qe fatmirësisht nuk i zhgënjyen. Franku nuk u shkurajue! Punë e arsim: dy mjetet ma efektive për sukses, u banë të dy krahët e fortë që e ngritën në sferat ma të nalta të shoqënisë së re amerikane që Franku përqafoi, përkrahu dhe shërbeu me pasion dhe aftësi shembullore.  Frank Gjeto.Shkreli ashtë pa dyshim shëmbulltyra e “refugjatit endacak” qe “…andërronte me qenë i lirë!” simbas premtimit të zonjes “Liberty!” – dhe që arriti me sukses me qenë i lirë, dhe me punue për lirinë e të tjereve, në vendet ku Liria u quejt krim dhe u dënue randë….! 

Kontaktet e para, Franku, besimtar me bindje, i mori me klerikët katolikë shqiptarë ne New York City.  Aty gjeti këshillin e fjalën e mirë. Aty gjeti prehjen shpirtënore ne Kishën Katolike Shqiptare dhe në qëndrat e veprimit katolik.  Franku gjeti përsëri familjen e madhe që humbi në Shqiperi, e përqafoi dhe e ndihmoi me aftesitë e tij si editor i revistës “Jeta katolike”.  Studimet e bame në Kroaci në kolegje katolike, studimet e klasikëve, dhe religjion e filozofi, dhanë frytet e para. Frank Gjeto Shkreli fitoi mendjet dhe zemrat e lexuesve! 

Viktimë e terrorit komunist pyeste veten: “Si ashtë e mundun që njeriu të damtojë njeriun, vlla e motër, kështu?”  Me ndihmue këte të mjerë, të shtypun, të vorfën, u ba “leitmotivi” i djaloshit Frank. Duhej arsimi. Franku filloi kurset në kolegjet e Hunter-it dhe Lehman-it të New York City-s, dhe u shque me shkrimet e tia në bultinin kolegjor “Meridian” kryesisht me kritikat e tia per rregjimin komunist. I inkurajuem, ai themeloi “The Albanian Youth in Exile” dhe e transformoi atë në nji tribunë të hapun për të rinjtë. 

Ne vitin 1974, ai mori kontakt me “Zeri i Amerikes”, ”a life changing opportunity” si e quen ai.  Atëherë, fati i parë pruni të dytin: fejesen me zonjushen 19-vjeçare Victoria Markgjonaj, vajzë e nji familje katolike anti-komuniste që kishte njohë të gjitha peripecitë e mërgimit të dhunëshëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavinë. Franku e quejti “most lucky moment!” dhe ashtu doli!  Tashti me familje dhe i punësuem në administratën amerikane, i paisun edhe me arsim të naltë pranë George Washington University (Washington,DC.) Franku ishte i përgatitun për punën që i kërkohej. Hap mbas hapi ai u ngjit në shkallët ma të nalta te USIA (Information Agency).  Nga folësi në radio ma parë, dhe në TV ma vonë, ai u ba editor, prodhues programi, dhe përgatitës i programit shqip në “Zëri i Amerikës”, si dhe për programet botënore të kësaj agjensie. Tani, ai i dedikoi jetën profesionale administrimit dhe mbikeqyrjes së programeve në fushën e transmetimeve ndërkombëtare, në bashkëpunim me qindëra gazetarë nga Europa e kontinente tjera. Numri i bashkëpunetorëve të tij arriti shifren 250 persona të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ai ka qenë drejtor, nën-drejtor, këshilltar në nivele të ndryshme te USIA. Roli i tij ka qenë veçanërisht i randësishëm, dhe i çmuem gjatë periudhes se Luftës së Ftohët dhe vitet e luftës në Ballkan (1991-1999) që perfshinë edhe vitet e agresionit millosheviqian në Kosovë. Tue folë për plotësimin e pikësynimeve strategjike dhe objektivave të detyrës se tij, ai shprehet: ”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën Amerikane!” Ka qenë gjatë kesajë periudhe që Frank Gj. Shkreli zgjanoi me sukses programet e Zërit të Amerikës për Europën Qendrore dhe atë të programit shqip. Njikohësisht, ai trasformoi me sukses programet trasmetuese radiofonike në atë televizive që kemi sot. 

Image

Për nji reformim ma të plotë, gjatë luftës ballkanike të viteve 90-ta ai hapi programet për Bosnjen dhe Maqedoninë. Kjo ka qenë periudha kur nji grup i kufizuem udheheqsish serbë treguen kriminalitetin e tyne të papërmbajtun për asgjasimin e bosniakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. “Lajmet ma të besueshme janë dhanë nga “Zeri i Amerikës”.   Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zeri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovietik dhe Europen lindore. Gjatë kësaj periudhe Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendim-marrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore- si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë USIA.

Mbas nji karriere të admirueshme, e shërbimi shembullor, ne vitin 2003, Franku doli ne pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime ne organet të ndryshme. Ma vonë, 2005-2007, ai u emnue drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C.. Njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjithë burimet e tia me shërbye kauzën e shqiptarëve – kudo në Ballkan- me aftësi e pasion të veçantë. 

Gjatë shërbimit e tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departmentit të Shtetit, Departmentit të Mbrojtjes, Bankes Botënore, Fondit Monetar Ndërkombetar, Departmentit të Drejtesise, të Thesarit e tjera institucione të qeverisë amerikane. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA. 

Nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme per Frankun ka qenë titulli “Qytetar nderi” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”dekorata ma e çmueshme”.  Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim”, u shpreh ai. 

E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga disa ide qendrore, si bosht i filozofisë së jetës tij.  Besimi në Zotin dhe besnikeria per Kishën Katolike Apostolike Romane Shqiptare zanë vendin e parë.  Binomi “Fe e Atdhe” i trashiguem nga popullsia katolike shqiptare që në kohët ma të vjetra, e sidomos që në ditet e lavdishme të epokës skenderbegiane, ashtë frymëzimi i tij.  I dyti, dhe i pandashëm, ashtë shërbimi për Atdheun – në rastin e tij: Shqipëria dhe Amerika. E treta, ashtë nji përpjekje koshiente dhe konstante me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri dhe kudo që ajo paraqitet. Dhe këte e ka ba me bindje absolute! 

E kaluemja e Frank Gjeto Shkelit në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish Jugoslavinë, tragjedia e popullit shqiptar sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive, poshtënimi i psuem si “shqiptar” në nji shtet sllav, kanë lanë gjurmët e tyne të thella tek i riu Frank dhe nuk janë sherue asnji herë…!   Ato janë “lehtësue” me veprimtarinë e tij në luftë me padrejtësitë e jetueme, me veshtirsitë e kalueme dhe kjo “frymë”lexohet në çdo rresht që ai ka shkrue, në çdo fjalë që ai ka folë, në jetën private dhe atë publike, me zanin e tij të fuqishëm  e me pendën e tij të fortë. 

Frank Gjeto Shkreli ka qenë dhe mbetet përherë nji figurë e plotë e veprimtarit që ka punue dhe akoma punon, si nji misionar! 

 

Ridgefield, CT. USA                                          Sami Repishti, Ph.D. 

                                                                              Pedagog në pension

 

                PARATHËNIE NGA DR. ELEZ BIBERAJ PËR LIBRIN

                                     “DEMOKRACIA NUK PRET”

Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30 vjeçare në Zërin e Amerikës. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës, dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Franku ka arritur të gjejë një këndvështrim të veçantë, duke u paraqitur lexuesve të tij analiza objektive dhe të thella për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur në shtypin vendor. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndveshtrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike.

Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë.  Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare – polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo, dhe mungesen e mundësive të barabarta ekonomike.  Por gjithsesi ai është optimist se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjet e duhura që në fund të fundit, do t'i ndihmojnë të realizojnë potencialin demokratik, për ta lidhur kombin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme me familjen e shoqërive demokratike.

Me këtë përmbledhje të përzgjedhur me kujdes, të veçantë, dhe bindëse, Franku jep një ndihmësë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Libri i tij do të jetë një burim i pazëvendësueshëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët.

Dr. Elez Biberaj

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

Zëri i Amerikës

Uashington

Image

                     SIMON MIRAKAJ: PARATHËNJE E LIBRIT

                                     “DEMOKRACIA NUK PRET”

Frank Shkrelit -- edhe pse larg Atdheut të tij të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë -- zemra dhe mendja i rrahin dhe nuk e ndalin punën për vendin e tij “të zënë rob” nga diktatura komuniste. Zëri i tij tek Zëri i Amerikës të jepte pakëz dritë dhe shpresë në atë pus të errët dhe të pafundmë në Shqipëri.  Nuk ishin të pakët ata që vraponin për të kapur orën e 8 e 30 minuta, se çfarë do na thoshte Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj e tjerë.  Ishte ai za, ushqimi ma i mirë për ne mbas një pune tmerrësisht të lodhshme e të pasigurisë së ekzistencës tonë. Kontributi i Franit, i këtij personaliteti të diasporës shqiptare është shumë i madh, si në shëmbjen e  komunizmit, po ashtu edhe në pavarësinë e Kosovës.  Me shkrimet e tij, që përçohen nga fryma kombëtare, ai sensibilizoi kancelaritë ndërkombëtare për gjenocidin serb në Kosovë. Tani Frani është prezent në shtypin e shkruar dhe pikërisht te gazeta “Telegraf”.  Për vlerat kombëtare të tij, Komuna e Shkrelit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e bëri “Qytetarë Nderi” të komunës.  Unë, si lexues, i rregullt, por edhe si mik i familjes ndihem krenar për kontributin e Franit, për çështjet e ndryshme kombëtare. Me këtë rast i uroj shëndet dhe si gjithmonë e falënderoj për kontributin e tij për shtresën e ish-të përndjekurve politikë!

Simon Miraka,

Kryetar i Shoqatës Anti-Komuniste të ish-përndjekurve politikë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat