Netë të paharruara në Festivalin e Dytë Shqiptaro-Amerikan në Detroit

Amerika

Netë të paharruara në Festivalin e Dytë Shqiptaro-Amerikan në Detroit

Ramazan Çeka Nga Ramazan Çeka Më 11 qershor 2017 Në ora: 07:12
Detroid

E fillova këtë shkrim me një titull kaq të bukur e domethënës që e huazova nga miku im gazetari i shquar Beqir Sina, i cili kishte pasqyruar këtë aktivitet në gazeten "Bota Sot" në Amerikë, i sigurtë që sado që të lodhesha nuk do të gjeja një titull më të bukur, sepse kështu ishin ato tre netë në qendrën e Detroitit, ku vetëm toka ishte amerikane e çdo gjë tjetër ishte thellësisht shqiptare.

Unë isha atje së bashku me një ndër gazetarët dhe skenaristët më të shquar të televizioneve shqiptare z.Ilir Buçpapaj, të ftuar nga një ndër personalitetet që nuk ka shoq ndër të tjerë, si dashamirës dhe përçues i vlerave shqiptare në Amerikën e largët. Ishim pra të ftuar nga z.Ndue Ftoni, malësori ynë shkodran, i njohur jo vetëm si një biznesmen i shquar, por edhe si krijues i një "Mecenati" që ka qenë gjithmonë një shtëpi e madhe dhe bujare për të gjithë artistët e botës shqiptare.

Image

Ishte pra pikërisht ky burrë i nderuar që mundësoi që për herë të parë televizioni publik shqiptar të jetë me kameren e tij prezent në një festë të madhe të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, për ta përcjellë atë dhe për t'i treguar shqiptarëve kudo që jetojnë se ka ardhur dita për t'u prezantuar në botë si një komb i lashtë, i ri dhe gjithmonë i bashkuar.

Unë që po shkruaj këto mbresa së bashku me mikun tim Ilir Buçpapaj e falenderojmë nga zemra këtë malësor me zemër të madhe, i cili meriton me të vërtetë atë titull që shkrimtari i madh Fadil Kraja i vë në ballinen e romanit që i kushton këtij heroj "Guxo".

Me 27 maj 2017 fluturuam mbi Atlantik për të përjetuar nga afër festën e madhe që do të organizohej për herë të dytë në atë qytet ku jetojnë e punojnë breza të tërë shqiptarësh, që kanë rreth 100 vjet me një komunitet të konsoliduar shpirtëror dhe kombëtar.

Festivali, që këtë vit do të ishte i dyti është vepër krijuese e shoumenit shqiptar të apasionuarit dhe atdhetarit të shquar Ben Pllumaj, i cili me modesti lavdëron mbështetjen e madhe që ka pasur nga kisha katolike "Zoja Pajtore" me drejtues Dom Ndue Gjergji dhe nga dy televizione të fuqishme të shqiptarëve në Amerikë, siç janë televizioni ACTV në Michigan me president z.Ndue Ftoni dhe drejtor Eduart Aliko dhe ALBTVUSA, Boin në Detroit, si dhe nga gazetat "Bota Sot" dhe "Illyria" në New York.

Image

Për ta sjellë këtë atmosferë në Shqipëri, ky festival kishte fatin të kishte prezent një ndër personalitetet më të shquar të gazetarisë dokumentare televizive z.Ilir Buçpapaj, ku dhe unë pata nderin të kontribuoj me hartimin e libretit të këtij festivali.

Këto që po shkruaj, unë së bashku me z.Buçpapaj, i përjetuam nga afër dhe ndoshta një shkrim në gazetë nuk do të mund të rrokë magjinë e vërtetë që përjetuam ne dhe gjithë pjesëmarrësit në këto tre netë të paharruara.

Atmosfera ishte e papërshkrueshme. Organizatorët kishin projektuar në këtë shesh një dekor thellësisht kombëtar, por edhe miqësor e mirënjohës, ku valviteshin flamujt e dy popujve miq, Shqiptaro-Amerikan, por dhe ku nga një postër i madh gjigand jepte bekimin nëna e madhe e njerëzimit, Shenjëtorja Shqiptare Nënë Tereza.

Në hapsirën elektrizuese të sheshit për tre netë me radhë Festivali startoi me tingujt madhështor të Himnit tonë Kombëtar, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Anila Hoxha Gjermeni.

Image

Lart në kupenë e qiellit xhironin aktivitetin drone dhe helikpoterë që do të përcillnin në ekranet e televizioneve në çdo cep të Amerikës pamjet e mrekullueshme të këtij Festivali madhështor.

Këto netë magjike nuk do të ishin të tilla sikur në tribunen gjigande të mos ngjiteshin përfaqësues të shquar të artit e të kulturës shqiptare.

Në këtë skenë përformuan për tre netë me radhë zëra të mrekullueshëm të këngës shqiptare nga të gjitha trevat, të cilëve u priu interpretimi brilant i aktorit të famshëm Mirush Kabashi "Nderi i Kombit".

Në këtë skenë u ngjitën këngëtarë të shquar dhe do të përpiqem që t'i përmendi të gjithë, duke filluar nga Frederik Ndoci, Gëzim Nika "Mjeshtër i Madh", Ermira Babaliu, Artur Matia, Dorina Tiko, këngëtarët çamë Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi, të ardhur enkas nga Shqipëria, këngëtarja Valbona Mema, sopranoja me famë botërore Anila Hoxha Gjermeni, Gjyste Vulaj, Genta Ismaili, Elisa, dy vëllezërit nga Korça Nesti dhe Endri Prifti, Lili Gjidodaj nga Puka, Hana Nikprelaj dhe Fran Luca.

Image

Nuk kam si anashkaloj edhe momentet e gëzueshme që solli në tribunë aktori i portokallisë Ernad Sojli me interpretimet e tia humoristike, por aq më shumë nuk kam si mos të përmendi me shumë emocion ekzekutimet e valleve popullore të të gjitha krahinave, ku nuk mund të dalloje kush ishte valltari profesionist e kush ishte pjesëmarrës në këtë festë, sepse të gjithë shqiptarët i këndojnë këngët e njëri-tjetrit dhe i kërcejnë vallet e njëri-tjetrit.

 Kështu pra, gjatë tre netëve ishin në këtë shesh të mrekullueshëm grupet e valltarëve të Grupit "Rozafa" nga New Yorku me drejtuese dhe korografe Angjelina Nika, Grupi i djemve dhe vajzave "Gjergj Kastrioti Skenderbeu" të Detroitit me drejtuese Joli Paparisto, grupi shumë i dashur nga Toronto "Shqiponjat e Vogla" me drejtues Ramazan Këllezi dhe Rudi Kondaj, si dhe  grupe të tjerë tradicional nga Michigani, New Yorku dhe Chikago.

Mesazhi i deklamuar në këtë festë nga organizatori Ben Pllumaj, ishte dhe mesazhi që bashkon shqiptarët kudo janë.

Image

Ai u shpreh: "Me këtë Festival Shqiptaro-Amerikan ne kemi si qëllim bashkimin e gjithë shqiptarëve në një proçes që ka nisur prej vitesh në këtë komunitet, ku arti dhe kultura, kombi dhe flamuri, të jenë rruga jonë e bashkimit kombëtar, jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm shqiptaro-amerikan".

Ne si të pranishëm e pamë më së miri se ky mesazh ishte edhe shprehje e atij programi që shqiptarët e formulojnë dhe zbatojnë si asnjë komb tjetër në botë, sepse atje në atë komunitet pamë atë cilësi të jashtëzakonshme të kombit shqiptar, bashkëpunimin në mes të Kishës Katolike Shqiptare, të Kishës Ortodokse Shqiptare, Qendrës Islamike Shqiptare, Qendrës së Bektashive Shqiptar, televizioneve shqiptare, si dhe organizatave, shoqatave dhe bizneseve, që të gjitha shqiptare.

Festivali, ose më saktë kjo festë e madhe i kishte bashkuar të gjithë.

Michigan

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat