Mark Gjonajt flet pas fitores në SHBA: Mesazhi im për shqiptarët!

Amerika

Mark Gjonajt flet pas fitores në SHBA: Mesazhi im për shqiptarët!

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 18:19
Mark Gjonaj

Shqiptari Mark Gjonaj, një nga emrat e përfaqësuar më lart në politikën amerikane, flet pasi fitoi zgjedhjet brenda demokratëve të New York-ut.

Ai shpreh falenderimet e tij për shqiptarët dhe të gjitha ata që kontribuan në fitoren e tij, si dhe tregon planet që ka për komunitetin shqiptar në New York.

Shpesh në medien shqiptare është ngatërruar dhe është thënë se u Gjonaj ka fituar garën për Këshilltar. E vërteta është se Mark Gjonaj, ka fituar garën mes kandidatëve demokratë. Ai do të përfaqësojë Partinë Demokrate në zgjedhjet e përgjithshme të 7 nëntorit, ku do të përballet me kandidatin republikan, për postin e Këshilltarit në Këshillin Bashkiak të New York.

Intervistoi Kozeta Turishta

Dritare.net: A e prisnit këtë fitore, pasi gara ka qenë e fortë ndaj rivales tuaj?

Faleminderit për këtë intervistë dhe faleminderit për urimet që kam marrë nga shumë shqiptarë, nga të gjitha anët e botës. Përkrahja dhe mbështetja e tyre, më jep shtysë të punoj dhe më shumë, për të përfaqësuar sa më denjësisht komunitetin të cilin prezantoj. Është e vërtetë. Kjo ka qenë një ndër garat më të ashpra në të cilën garuan fillimisht pesë kandidatë të tjerë. Gara ka qenë e ngarkuar me shumë fyerje, akuza të pabaza, të cilat gjetën pasqyrim në medie e në rrjetet sociale, por kjo nuk na stepi mua dhe stafin tim, për t’u përballur dhe për t’u paraqitur me një fushatë pozitive, bazuar në rekordin dhe ato që kam arritur në Distriktin tim si Asambleist i Shtetit të Neë York-ut.

Sa e vështirë ishte të arrinit në ditën e fitores?

Ka qenë e vështirë, por kam pasur përkrahjen e shumë individëve, stafit, familjes sime, komunitetit dhe të figurave politike, si: Guvernatori i shtetit të Neë York-ut Andreë Cuomo, Kongresmeni Joe Crowley dhe Eliot Engel, të cilët e përfaqësojnë Bronksin në Kongresin Amerikan, Sentorit Jeff Klein, si dhe kolegë Asambleistë e Këshilltarë Bashkiakë, sindikata e shumë njerëz të tjerë. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më votuan, mes tyre dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, stafin tim, mes tyre dhe profesionistë shqiptaro- amerikanë, të gjithë ata që kontribuan, vullnetarët, shumica studentë të rinj shqiptarë, të cilët i dhanë fushatës një dimension të ri.

Cili është hapi tjetër për të siguruar vendin tuaj, si Këshilltar në Këshillin Bashkiak të New York-ut?

Pasi u votova nga shumica në zgjedhjet e javës së kaluar, për të qenë kandidati demokrat, tani më duhet të garoj në zgjedhjet e përgjithshme, më 7 nëntor, kundrejt përfaqësuesit republikan, në një zonë që është e dominuar nga demokratët në Distriktin e 13. Prandaj, edhe periudha e mbetur deri në zgjedhjet e nëntorit, do të jetë tepër e ngjeshur dhe do të kem nevojë për përkrahjen e të gjithëve.

Sa i kënaqur jeni nga përkrahja dhe mbështetja e komunitetit shqiptar?

Komuniteti shqiptar më ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme dhe i jam pafundësisht falenderues që besojnë tek unë, më kanë votuar në këtë distrikt, kanë dhënë mbështetje financiare e shumë të tjera. Ka ardhur koha që përfaqësimi politik nga radhët e komunitetit tonë të jetë më se i nevojshëm, që zëri dhe kërkesat tona të dëgjohen në nivele të larta. Kemi ende shumë punë për të bërë, që nga iniciativat për t’u regjistruar për në votime, ndërtimin e Qendrës së Komunitetit Shqiptar, shkollat dy-gjuhëshe, programet për të moshuar e të rinj e deri tek integrimi i më shumë shqiptarëve në sferat politike e vendimmarrëse.

Cili është mesazhi juaj për shqiptarët?

Mesazhi im është sa i vjetër, aq edhe aktual për kohët moderne.

Të luftojmë të jemi më të bashkuar, sepse vetëm të bashkuar e të koordinuar mund të punojmë për të mirën e komunitetit tonë, në një plan të vogël, dhe për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në planin më të madh. Fuqizimi i individëve, komunitetit dhe i Diasporës në përgjithësi, lidhen pazgjidhshmërisht  me ecjen përpara të të gjithë shqiptarëve. Ne kemi potencial profesional në të gjitha sferat dhe duhet t’u ofrojmë mundësinë për bashkëpunim dhe përfaqësim. Koha ka ardhur tani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat