Festivali Folklorik Mbarë Kombëtar në Nju Jork shënon fillimin e vitit kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut

Amerika

Festivali Folklorik Mbarë Kombëtar në Nju Jork shënon fillimin e vitit kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut

? Frank Shkreli Nga ? Frank Shkreli Më 31 tetor 2017 Në ora: 14:48
Gjergj Kastriotit-Skenderbeu

Edhe këtë vit, ashtu si çdo vit gjatë 27 viteve të kaluara, të djelën do të zhvillohet në Bronks të Nju Jorkut Festivali Folklorik Mbarëkombëtar, që organizohet çdo vit nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut.  Ashtu si edhe më parë, Festivali mbarëkombëtar me 5 nëntor, do të mbahet në të njëjtin vend ku është zhvilluar gjithmonë, në sallën e madhe të Qendrës së Arteve të Kolegjit Lehman në lagjen Bronks të New Yorkut.  Ashtu si edhe çdo vit, edhe në këtë festival do të marrin pjesë qindra artistë, muzikantë dhe grupe të ndryshme nga të gjitha komunitetet shqiptaro-amerikane por dhe nga trojet shqiptare, ashtu siç është bërë traditë tanimë.  Si në çdo festival tjetër, të organizuar gjatë viteve nga Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, për pothuaj tri dekada tashti, edhe sivjet do të shfaqen këngë të reja, muzikë e valle dhe do të shpalosen edhe kostume kombëtare nga të gjitha krahinat e trevave shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe nga Kosova Lindore dhe Çamëria, pa dallim.  Në të vërtetë, është një aktivitet kulturoro-artistik -- në qëndër të Amerikës– një mini Gjirokastër, mund të thuhet, që bashkon një herë në vit mijëra shqiptarë nga mbarë Amerika dhe nga të gjitha trojet shqiptare, në një atmosferë vëllazërimi e bashkimi.

Por, ndryshe nga festivalet e kaluara, ky festival këtë vit merr një domethënje të veçantë dhe të rëndësishme historike.   Organizuesit kanë vendosur që kësaj radhe festivali mbarëkombëtar në Nju Jork t’i dedikohet 550-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe, si një aktivitet fillestar për vitin e shpallur në kujtim të Skenderbeut nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.  

Ç’prej fillimit, ky festival, është përcaktuar nga Kisha Katolike Shiptare në Nju Jork, si gjithpëfshirës dhe mbarëkombëtar për nga natyra e pjesëmarrjes së artistëve dhe grupeve të artistëve pa dallime fetare e krahinore –me të vetmin qëllim për të kënaqur pjesëmarrsit me këngët dhe vallet tona të bukura – por më me rëndësi ka patur si të thuash një objektiv të dyfishtë: ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, folklorit dhe traditave shqiptare tek brezat e ri të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht të paraqesë edhe para botës amerikane, trashëgiminë e vjetër dhe krenare të kulturës dhe folklorit të larmishën dhe shumë të pasur, të njërit prej kombeve më të vjetra në Evropë dhe në botë.

Image

Sipas të gjithë vërejtësve, ky Festival e ka realizuar çdo vit këtë mision të tij, duke kënaqur si pjesëmarrësit ashtu edhe artistët, të cilët vijnë në Nju Jork nga të gjitha anët e Amerikës, e shpesh edhe nga trojet shqiptare.   Festivali ka tërhequr gjithashtu edhe interesimin e medias amerikane të metropolit të New Yorkut pasi tani është i njohur si ngjarja më me rëndësi kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.

Natyrisht se artistët që marrin pjesë në këtë Festival të këngëve dhe valleve shqiptare, ndryshojnë nga viti në vit.  Kësaj radhe është njoftuar se përveç grupeve artistike dhe individëve që do të përfaqësojnë komunitetet e ndryshme shqiptaro-amerikane nga një numër shtetesh të Amerikës, është njoftuar se nga trojet shqiptare -- përveç shumë suprizave që priten të njoftohen më vonë --do të marrin pjesë këngëtaret e njohura për publikun shqiptar, Elizabeta Marku, Albërie Hadërgjonaj, Nikoleta Vokrri, dhe Shpresa Gjoni, ndër të tjerë.

Mirëpo, ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet Festivali i 27-të Folkloristik Mbarëkombëtar në Nju Jork – i cili njëherazi është edhe aktiviteti më i madh kulturor shqiptar në Shtetet e Bashkuara -- i kushtohet 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, pasi Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur vitin 2018, si vitin e Skënderbeut.   Festivali i muzikës dhe valleve në Nju Jork, mos qofsha gabim, shënon veprimtarinë e parë kulturore në kujtim të përvjetorit të Fatosit të Madh të Shqiptarëve.   Festivali vjetor i Nju Jorkut është gjithashtu çdo vit një rast mallëngjimi dhe bashkimi vëllazëror pa dallim feje e krahine për të gjithë ata që kanë mundësi të marrin pjesë.   Jam i bindur se Festivali i sivjetëm në kujtim të përvjetorit të Heroit Kombëtar -- ndonëse në mërgim -- do të jetë edhe më shumë se në të kaluarën, një rast bashkimi vëllazëror për të gjithë pjesëmarrësit, në frymën e vërtetë kastriotjane, në kujtim të Heroit që bashkoi kombin.

Kujtimi i 550-vjetorit të Skenderbeut në Nju Jork na sjellë në mend festimet me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbe në Romë në vitin 1968, ku morën pjesë, kryesisht, shqiptarët e arratisur nga komunizmi, të cilët shkuan në   Romë nga të gjitha anët e botës, përfshirë një numër i madh i shqiptarëve të Amerikës, për të kujtuar Heroin e Kombit të tyre.   Atyre iu bashkuan me atë rast edhe grupe të mëdha arbëreshësh nga Italia e jugut, të veshur me kostumet e tyre tradicionale kombëtare.

Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke përshëndetur shqiptarët që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI ka thënë:''Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithëmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë.   Fatosi Skendërbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.   Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët këjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurr s'i dolën fjale.   Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim'', përfundoi Papa Pali i VI, fjalën e tij drejtuar Kombit Shqiptar me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, 50-vjetë më parë në Vatikan.

Shfaqja e trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, përfshirë kostumet nga të gjitha trevat në Festsivalin e Nju Jorkut, nuk janë një shfaqje karnevale, por janë një shprehje nga zemra, se trashëgimia 550-vjeçare e Kastriotit jeton dhe vlon gjithnjë në zemrat e shqiptarëve kudo dhe se amaneti i tij ende tingëllon për ata që duan ta dëgjojnë.   Sepse, siç ishte shprehur edhe Ernest Koliqi me rastin e 500-vjetorit të Heroit të shqiptarëve, “Skenderbeu na dha Arbrin për atdhedhe shqiponjën si simbol fluturimesh të lira dhe na la një trashëgim të çmueshëm nderi e fisnikije.   Na, testamentin e Tij e ruejtëm dhe do ta ruajmë besnikisht, në vend dhe jashta vendit për tjera qinda e qinda vjetësh.   Kush mendon se gjaku i Skenderbeut na ashte zverdhnue ndër fyza, gabohet: prap ai gjak vlon në zemra tona e n’ato që mbulojnë këto kostume edhe u dhuron vlug bujar zaneve që këndojnë, e kurmave që dredhin valle.”

Besoj se edhe Festivali mbarëkombtar i Nju Jorkut të djelën që vjen, ashtu si edhe në të kaluarën, por veçanërisht në këtë 550-vjetor të Gjergj Kastriotit-Skenderbe do të shërbejë si shfaqje e denjë e“trashëgimit të çmueshëm të nderit e të fisnikërisë” shqiptare  dhe njëkohsisht edhe si burim shpresash dhe kujtim i denjë i trashëgimisë morale, shpirtërore dhe kombëtare që ka lënë pas Heroi Kombëtar.  

Ashtuqë, 550-vjetori i Gjergj Kastriotit Skenderbe të kujtohet – mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare – si një triumf i trashëgimisë morale, shpirtërore dhe kombëtare, përfshirë edhe karakteristikat më të çmueshme të trungut arbëror: nder, besë e burrëni.   Në këtë 550-vjetor dhe gjithmonë – shqiptarët jashtë dhe në trojet e veta --të kujtojmë dhe të mbrojmë vlerat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë, në emër të Heroit të përbashkët, “Gjergj Kastrioti –Skënderbeut, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve, Mbret i Epirit!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat