Amerikania e verbër që flet e shkruan shqip: Me gjak dhe kombësi jam amerikane, por me shpirt jam shqiptare!

Amerika

Amerikania e verbër që flet e shkruan shqip: Me gjak dhe kombësi jam amerikane, por me shpirt jam shqiptare!

Nga: Beqir SINA - New York Më: 3 gusht 2018 Në ora: 16:52
Carrie Hooper

Tre vjet më pare kur Bota sot, në një intervistë të posaçme me amerikanen Carrie Hooper, kur e pyeti se kishte ndërmend të shkruani ndonjë libër në gjuhën shqipe, Hooper iu pergjegjë : “Ndoshta një ditë do t’i përmbledh poezitë që i kam shkruar shqip në një libër”.

Dhe, ky sihariq që libri i saj – doli në dritë u “lajmërua” nga Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptar Amerikan , Adnan Mehmeti, shkrimtar e poet nga Presheva, që jeton kaq sa vjet në Amerikë, i cili shkruajti në shtypin shqiptar këto ditë, se poetja amerikane Carrie Hooper, vjen edhe me një libër në poezinë shqipe: “Piktura në fjalë” .

Ai thotë se në shtetin e Nju Jorkut jeton dhe krijon profesoresha amerikane, Carrie Hooper, njohëse e disa gjuhëve të huaja, poete e mbushur me frymëzim. Një grua idealiste dhe besimtare e devotshme, e cila, e magjepsur nga gjuha e bukur shqipe, nga historia e lashtë dhe e lavdishme e popullit shqiptar, lexon çdo gjë që lidhet me gjuhën shqipe dhe me shqiptarët, dhe, në këtë rast me bashkësinë shqiptare që jeton në Amerikë dhe më gjerë. Është një histori tejet interesante. E bukur dhe magjepse. Një histori e mbushur me episode nga më të ndryshmet, që ka të bëjë me dashurinë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, kryesisht me botën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Image

Sipas tij, Profesoresha Carrie Hooper, ka vite që është bërë një personazh i njohur për lexuesit, e cila gjithmonë vinte përmes ndonjë interviste apo shkrimi. Librin e saj që po e sjellim për lexuesit, mund ta quajmë me plotë të drejtë një lulemëngjesi në poezinë shqipe. Lexoni shqip këtë vepër të shkruar nga dorae poetes Carrie Hooper, ndërsa për lexuesit e shumtë shqiptaro-amerikanë që kanë vështirësi të lexojnë në gjuhën shqipe, kanë mundësinë për të lexuar edhe në anglisht! Jeta është e bukur, shprehet në një varg poetja, e unë do të shtoja: Jeta është e bukur për të lexuar librin e saj edhe në gjuhën tone amtare, si dhe në gjuhën angleze njëkohësisht. Është një vlerë sublime për letrat shqipe, që vjen nga bota amerikane.
“Carrie Hooper shkruan me respekt dhe admirim për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, siç shkruante dikur Edith Durham.

Prandaj, të lexosh librin,” Piktura në fjalë”, sidomos dy ciklet e para, “Reflektimet e një shqiptareje në zemër” dhe “Mishërimi i shpirtit shqiptar”, doemos se impresionohesh nga dashuria dhe malli për vendin e shqiptarëve. Ajo flet me dashuri dhe përmallim, si dhe angazhohet të japë një mësim për vetë shqiptarët, një mësim që pa dashje harrohet këtu në Amerikë, shkruan Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptar Amerikan , Adnan Mehmeti, shkrimtar e poet nga Presheva, që jeton kaq sa vjet në Amerikë, duke shtuar se “Carrie Hooper është një këngëtare e talentuar, dhunti e cila e ka avancuar të shkruajë poezi. Në këtë rast, gërshetimi i poezisë me muzikën është një tjetër dhunti e saj. Poezia e saj është magjepsëse, e cila duket si një pikturë e bukur, e shkruar me fjalë.”

Amerikania e verbër që flet e shkruan shqip si shqiptare – ka një "këshillë" për shqiptarët : " Prindër shqiptarë, ruani gjuhën e bukur shqipe dhe mësojuani fëmijëve! Dërgoni fëmijët në shkollën shqipe kështu se mund të mësojnë gjuhën, historinë, dhe kulturën e të parëve. Të dashur shqiptarë, krenoheni për faktin se flisni një nga gjuhët më të lashta dhe më të rralla të botës dhe flisni gjuhën tuaj sa më bukur! Mos flisni shpejt dhe mos mërmërisni sepse kur flet shpejt, muzikaliteti dhe bukuria e gjuhës humbet. I dua shqiptarët me gjithë zemrën time! Me gjak dhe kombësi jam amerikane por me shpirt jam shqiptare!"

Ky është një rast i rrallë dhe i paprecedent në historinë shqiptare, kur një e huaj madje e verbër, shkruan kaq bukur me respekt dhe admirim për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, ashtu siç shkruante dikur Edith Durham apo albanologu i njohur Robert Elsie i cili vdiq vitin e kaluar dhe u varros në Vermosh .

Në një intervistë dhënë Bota sot, ( gazetar Beqir SINA në SHBA), Hooper sygjeronte shqiptarët duke thënë : “Të dashur shqiptarë, krenoheni për faktin se flisni një nga gjuhët më të lashta dhe më të rralla të botës dhe flisni gjuhën tuaj sa më bukur! Mos i “hani” gërmat” dhe mos flisni shpejt , mos mërmërisni, sepse, kur flet shpejt, muzikaliteti dhe bukuria e gjuhës humbet. I dua shqiptarët me gjithë zemrën time! Me gjak dhe kombësi jam amerikane por me shpirt jam shqiptare!”

Carrie Hooper (Keri Huper) është nga Elmira, New York e SHBA-së, ajo flet, shkruan, krijon (poezi) dhe këndon në shqip. Shqipen ajo e ka në mesin e 9 gjuhëve të huaja ku disa prej tyre ajo i flet rrjedhëshëm. E ka mësuar gjuhën shqipe në më pak se 2 vjet, është e intervistuar nga disa gazetar shqiptarë, në Amerikë, dhe përfshirë këtë intervistë të cilën po e sjellim me rastin e publikimit të lajmit të Adnan Mehmetit i cili shkruan se :“Poetja amerikane Carrie Hooper, vjen edhe me një libër në poezinë shqipe: “Lulemëngjesi”
.
Në intervistën për Bota sot Huper, ka thënë se Braili e ka ndihmuar atë të mësojë gjuhët e huaja, kuptohet mes tyre edh gjuhën shqipe, duke sqaruar se Braili nuk është një gjuhë, por është si një font, i cili mund të prodhojë gjithëçka që mund të përfaqësohet në shkrim që nga gjuhët deri te notat për muzikë.

“Mësimi i brailit thotë Huper, është i domosdoshëm për të verbërit dhe nuk është më e vështirë për fëmijët ta mësojnë se sa për fëmijët që shikojnë të mësojnë shkrimin dhe leximin me shkronjat normale. Edhe të rriturit që kanë humbur shikimin mund ta mësojnë Brail. Pranoj se fëmijë të verbër me aftësi të tjera të kufizuara ose të rriturit me diabet që kanë humbur ndjeshmërinë në gishtërinjtë mund të kenë më shumë vështirësi duke mësuar Brail, dhe të rriturve mund t’u ecë më ngadalë procesi i të mësuarit të brailit, por përndryshe nuk është e pamundur ta mësosh.”

Ndërkohë shton se disa mund të thonë se Braili, nuk është i nevojshëm në kohën e sotme meqenëse ka kompjuter me zë të sintetizuar dhe libra në audio por Braili, pa dyshim nevojitet sepse vetëm duke e ditur Brail një i verbër mund të shikojë se si shkruhen fjalët dhe vetëm kur e di Brail mund të thotë me sinqeritet se di të lexojë.

Gazetari ynë në New York, Beqir Sina, intervistojë znj. Carrier Hooper – Kerri Huper, posaqërishtë për Bota sot, shkruajti kjo gazetë duke dhënë hapsirën e duhur kësaj interviste, interesante, të botur në këtë gazet që mbajti eskluzivitetin e saj, dhe u ribotua në disa mjete të shtypit shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare e Diasporë

Bota sot: Si ka mundësi që e keni mësuar gjuhën shqipe: dhe përse zgjodhët këtë gjuhë? Atëhere kush u “ndezi” me shqipen?

Hooper: Dëgjova emrin e vendit të Shqipërisë në shkollën fillore në moshën njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeçare kur duhej të mësonim kryeqytetet e vendeve europiane dhe mësova se kryeqyteti i Shqipërisë është Tirana. Është e vetmja gjë që mësova për Shqipërinë në atë kohë. Pothuaj njëzet vite më vonë, pra në vitin 2008, kisha një student nga Tirana e Shqipërisë në kursin tim të italishtes. (Punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes së Elmirës të Nju Jorkut.) Kjo ngjarje më ndezi kurreshtjen ta mësoja gjuhën shqipe.

Për ta mësuar gjuhën, së pari përdora një libër në brail që e mora nga biblioteka për të verbërit në Angli. Pastaj dëgjova një kaset me përralla shqiptare që e mora prej bibliotekës për të verbërit në Suedi. Më tej një grua në Elmira më transkriptoi një fjalor shqip-anglisht në brail.

Në verën 2009 dhe në verën 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek Arizona State University në Tempe të Arizonës. Sot e ushtroj gjuhën duke lexuar artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim të suksesshëm. Gjithashtu shoku im, Tim Hendel, që jeton në Huntsville të Alabamës, më regjistron programe radiofonike në gjuhën shqipe nga interneti dhe për këtë i jam shumë mirënjohës. Nganjëherë marr libra në shqip si dhurata kur marr pjesë në veprimtari të ndryshme dhe një grua i transkripton në brail kështu se mund t’i lexoj. Ajo nuk e di shqip, mirëpo bën një punë të mrekullueshme. Përveç kësaj kam lidhje nëpërmjet telefonit dhe emailit me shumë shqipfolës. At Artur Liolini i Kishës së Shën Gjergjit në Massachussetts, redaktorin e gazetës Diellit si dhe Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Torontos, më kanë vënë në kontakt me shumë shqiptarë. Për më tepër gjatë studimeve në Arizona takova shumë shqiptarë me të cilët lidhem edhe sot. Gjithashtu nëpërmjet Cornell University në Ithaca të Nju Jorkut gjeta një shqiptar me të cilin kam kontakt.

Bota sot: Ju thoni se gjuhën shqipe e keni mësuar brenda dy vjetëve. A është e vështirë gjuha jonë të mësohet nga të huajt? kaq shpejtë

Hooper: Pyetja e juaj se ” a është e vështirë apo jo të mësohet një gjuhë” nuk ka përgjigjje të lehtë. Disa gjuhë mund të jenë më të vështirë të mësohen nga ana fonetike ndërsa disa mund të jenë të vështirë nga ana gramatike. Mirëpo mund të them se të mësosh një gjuhë, duhet të kesh dëshirë ta mësosh dhe duhet të punosh shumë. Edhe nëqoftëse dikush ka një dhunti për të mësuar gjuhë, kërkohet shumë punë. Por gjithëçka, është e mundur nëse ke interes dhe e bën punën e duhur.

Bota sot: Për ju thuhet se zotroni 9 gjuhë të huaja, ( disa i zotëroni mirë dhe disa pak) çfarë vlerësimi keni për gjuhën shqipe, në këto përcakime :” a është e ëmbël, e bukur, e folshme lehtë, apo e vështirë”? A e keni problem komunikimin me shqiptarët?

Hooper: Së pari le të sqaroj se nuk zotëroj plotësisht nëntë gjuhë. I di mirë gjermanishten, italishte, suedishten, spanjishten, dhe shqipen. Kam mësuar pak rusisht, pak frëngjisht, pak finlandisht, dhe latinisht por nuk i zotëroj mirë këto gjuhë. Për mua gjuha shqipe është e bukur dhe e ëmbël, ka një tingull të posaçëm. Nganjëherë është e vështirë t’i kuptoj njerëzit (dialektik) ata nga veriu, sidomos nëse përdorin fjalë krahinore që nuk i di. Mirëpo në Arizona mësova disa tipare të dialektit geg që më ka lehtësuar komunikimin me njerëz nga Shqipëria e veriut ose nga Kosova. Është pothuaj e pamundur për mua të kuptoj dialogun në filma shqiptare, prandaj nuk i shoh. Më tej kur flas në telefon me dikë që flet në celular, nëse sinjali është i dobët, zëri shtrembërohet dhe kjo mund të vështirësojë komunikimin. Por në përgjithësi nuk kam probleme në komunikimin me shqiptarë.

Bota sot: Në shumicën e rasteve të njohjes me gjuhën shqipe tregoni se fillon në vendin e fëmijërisë suaj. A ka shqiptarë aty dhe a kanë ndikuar ata që ti të bëhesh një shqipfolëse e mirë?

Hooper: Përmenda më lart studentin shqiptar që e kisha dhe që më frymëzoi ta mësoja gjuhën shqipe. Ai fliste shumë me mua kur fillova ta mësoja gjuhën dhe më ndihmoi kur dëgjova kasetën me përralla shqiptare. Kishte edhe një studente nga Shqipëria tek Elmira College dhe flisja me të dhe më ndihmonte shumë. Ne nuk kemi një komunitet shqiptar në Elmira, por takova një shqiptare që jeton në rrethin tim njëherë para tre vjetësh.

Bota sot: A keni qasje me kulturën, gjegjësisht me letërsinë, traditën dhe historinë e shqiptarëve?

Hooper: Kam lexuar shumë për historinë e Shqipërisë dhe kam lexuar poezi nga Naim Frashëri, Migjeni, Fan Noli, Martin Camaj, dhe Ismail Kadare. Lexova dy libra në përkthime anglisht nga Kadareja: Kronika në gurë dhe Koncerti. Në fakt fola njëherë me Ismail Kadarenë në telefon dhe i thashë se sa më pëlqyen veprat e tij që i kisha lexuar. Më tej kam lexuar vepra nga Dritëro Agolli dhe Faik Konica. Në Arizona lexova një libër për historinë e Kosovës dhe një libër nga Robert Elsie për historinë e letërsisë shqiptare, leximin e të cilës e përfundova në shtëpi. Dëgjoj për aktivitete kulturore në Radio Tirana dhe lexoj për veprimtari kulturore që organizohen në diasporë.

Bota sot: Me aq sa jeni informuar rreth gjuhës shqipe, a po ruhet shqipja në Amerikë?

Hooper: Ndër shqiptarët më të cilët kam folur, do të thosha se gjuha ruhet mirë. Kur dikush përdor një fjalë anglisht dhe e di fjalën në shqip, ua them fjalën shqip. Kur një shqiptar më flet anglisht, i them, “Mund të flisni shqip.” Natyrisht se sfida kryesore është ruajtja e gjuhës te fëmijët. Më vjen mirë se ka shkolla shqipe në diasporë, ku fëmijët kanë mundësi të mësojnë gjuhën, traditat, historinë, dhe kulturën e tyre. Kam parë raste ku fëmijët e shqiptarëve kanë mësuar gjuhën dhe i përgëzoj prindërit që kanë mbajtur gjallë gjuhën në shtëpi.

Bota sot: A e njihni diasporën shqiptare në Amerikë, çfarë raporti keni me të?

Hooper: Kam marrë pjesë në shumë veprimtari lidhur me shqiptarët e Amerikës gjatë viteve të fundit. Në shtator 2010 këndova një koncert në kishën ortodokse Shën Elia në Jamestown të Nju Jorkut. Në tetor 2010 këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachussetts-it. Në qershor 2011 këndova në një aktivitet të organizuar nga shoqata shqiptarokanadeze e Torontos së Kanadasë me rastin e mbylljes së vitit shkollor të shkollave shqipe në Toronto.

Në prill 2012 mora pjesë në festimin e 100-vjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, “O popull i dashur”, për të cilën shkruajta tekstin shqip dhe kompozova muzikën. Në qershor 2012 dhashë një intervistë në New York për filmin, Kryekënga e Shqipërisë me regjisor Petrit Rukën dhe producent Piro Milkanin. Filmi trajtoi historinë e Himnit Kombëtar shqiptar dhe gjatë intervistës sime këndova Himnin e Flamurit. Filmi u prit mirë në Shqipëri dhe fitoi një çmim të veçantë për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në tetor 2012 dhe në qershor 2013 këndova te shkolla shqipe në Bronx të Nju Jorkut. Gjatë vizitës sime në Nju Jork në qershor, ndoqa meshën në kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.

Në qendrën kulturore Nënë Tereza, takova shkrimtarët Tom Mrijajn dhe Klajd Kapinovën. Po në qershor u antarësova në ansamblin Bashkimi Kombëtar me drejtor Gjergj Dedvukajn dhe mora pjesë me këtë grup në një koncert në Kishën e Shën Palit në Detroit të Michiganit në korrik. Kam mësuar t’i bie çiftelisë dhe në këtë koncert këndova një këngë duke shoqëruar veten me çiftelinë ndërsa antarët e tjerë të grupit më përcollën me çifteli dhe me sharki. Këndova edhe këngën “O popull i dashur” duke shoqëruar veten me pianon elektrike.

Përveç veprimtarive muzikore, kam dhënë shumë intervista. Kam dhënë dy intervista për gazetën Dielli dhe një intervistë për gazetaren Raimonda Moisiu dhe dhashë dy intervista për programin Radio e diela që transmetohet në Chin am 1540 në Toronto të Kanadasë. Për më tepër dhashë një intervistë për programin televiziv Shqiptarët e Amerikës, që transmetohet në Nju Jork. Dhashë edhe një intervistë për Radio Kosovën. Shkruaj poezi shqip dhe disa poezitë e mia janë botuar në Gazetën Dielli dhe në revistën Kuvendi të Michiganit.

Bota sot: Vazhdimisht u kemi parë të jeni shumë afër shoqatës Vatra, çfarë dini ju për këtë shoqatë dhe shqiptarët e Amerikës?

Hooper: E di se Shoqata Vatra u themelua në Boston në 1912 nga atdhetarë të shquar si Fan Noli dhe Faik Konica dhe se ishte një bashkëngjitje të disa shoqatëve shqiptare si Besa-besën dhe shoqata të tjera. Kam lexuar për bandën e Vatrës që udhëtoi për në Shqipëri në vitet 20 të shekullit të kaluar. Kam lexuar gjithashtu për atdhetarë të tjerë si Kristo Kirka, Kristo Dako, Josif Pani, etj. E di se Vatra ndihmoi Shqipërinë me fonde të mbledhura kur shteti shqiptar kaloi kohëra të vështira. Për fat të keq disa vatranë u vranë nga regjimi komunist.

Bota sot: Në prill 2012, thatë se morët pjesë në festimin e 100-vjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, “O popull i dashur”, (100 vjetori i krijimit të Shoqatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA), si jeni ndier në këtë eveniment kaq të madh?

Hooper: Po vërtet këndova Himnin Amerikan në festimin e 100-vjetorit të Vatrës, sepse Himinim shqiptarë e këndoi këngëtarja shqiptare Aurela Gaçe që e këndoi dhe e këndoi shumë mirë. Unë vetëm këndova himnin amerikan siç e përmenda më lartë si dhe këngën “O popull i dashur”dhe dua të them se ishte një nder shumë i madh për mua të merrja pjesë në këtë ngjarje madhështore dhe u preka shumë.

Bota sot: Cilët këngë, libra, artistë dhe aktorë, këngëtarë apo shkrimtarë shqiptarë ju pëlqejnë më shumë?

Hooper: Më pëlqejnë shumë poezitë e Naim Frashërit dhe të Fan Nolit. Më pëlqejnë librat dhe poezitë e Ismail Kadaresë që i kam lexuar. Më pëlqejnë këngëtarët Tefta Tashko, Vaçe Zela, Gaqo Çako, dhe Inva Mula. Më pëlqejnë shumë këngët Valsi i lumturisë, Luleborë, Për ty, atdhe, Këputa një gjethe dafinës, dhe natyrisht Himni i Flamurit.

Bota sot : Po nga politikanët!

Nuk kam asnjë vërejtje për politikën shqiptare, nuk merrem shumë me politikë!

Bota sot: A keni ndërmend të shkruani ndonjë libër në gjuhën shqipe?

Hooper: Ndoshta një ditë do t’i përmbledh poezitë që i kam shkruar shqip në një libër.

A keni dëshirë të jepni një mesazh për gazeten tonë?

Hooper: Prindër shqiptarë, ruani gjuhën e bukur shqipe dhe mësojuani fëmijëve! Dërgoni fëmijët në shkollën shqipe kështu se mund të mësojnë gjuhën, historinë, dhe kulturën e të parëve. Të dashur shqiptarë, krenoheni për faktin se flisni një nga gjuhët më të lashta dhe më të rralla të botës dhe flisni gjuhën tuaj sa më bukur! Mos flisni shpejt dhe mos mërmërisni sepse kur flet shpejt, muzikaliteti dhe bukuria e gjuhës humbet. I dua shqiptarët me gjithë zemrën time! Me gjak dhe kombësi jam amerikane por me shpirt jam shqiptare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat