Kryeministri Haradinaj, takoi në Nju Jork, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar

Amerika

Kryeministri Haradinaj, takoi në Nju Jork, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar

Nga: Beqir Sina Më: 30 shtator 2018 Në ora: 07:23
Kryeministri Haradinaj, takoi në Nju Jork, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar

Nju Jork, 29 shtator 2018 –Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka takuar shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Amerikë, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar diasporën e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit demokratik.

“Jemi krenar me diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni zëri më i fuqishëm i Kosovës, me punën dhe angazhimin tuaj keni sensibilizuar çështjen e Kosovës në momentet vendimtare”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar rolin e Batalionit Atlantiku dhe të gjithë vullnetarëve për t’i dalë ndihmë vendit në kohëra të vështira.

Kryeministri Haradinaj ka njoftuar shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Amerikë për prioritetet e Qeverisë së vendit, për hapat e ndërmarrë nga Qeveria në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, për zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit, duke ju bërë thirrje që suksesin e tyre në biznes ta sjellin si shembull të mirë përmes investimeve në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj ka thënë me këtë rast se liria, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës janë të lidhura ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë prijëse të lirisë dhe rendit demokratik në botë, andaj u jemi mirënjohës përjetësisht.

Ndërkaq shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë takimit me kryeministrin Haradinaj kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tyre që të investojnë në Kosovë

Takimi u mbajt në një nga mjediset e Hotelit Kimberly dhe e udhëhoqi këshilltari i bashkisë së Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj dhe ishte mjaft miqësor i formatit Q & A.

Përfaqësues e aktivistë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan shtruan pyetje, aktuale rreth Kosovës, shqiptarve në Mal të Zi dhe Luginën e Presheves, të cilave Kryeministri, Ramush Hardinaj, iu përgjegjë me shumë dashamirësi.
Pjesmarrësit i thanë gazetes Bota sot se ata ishin mjaft të kënaqur në takimin dhe komunikimin me Haradinajn.
Sot mbas dite Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Hardinaj dhe delegacioni që e shoqëroi atë udhëtuan për në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat