Nju Jork, ceremoni për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit

Amerika

Nju Jork, ceremoni për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 20:05
Ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit

Në Hartsdale të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, një figurë shumë dimensionale, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa periudha me rëndësi kritike të kombit shqiptar.

Mid’hat Frashëri, i njohur me emrin e penës Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezën Ferncliff të qarkut Weschester.

Verimtaria e përcjelljes së eshtrave po mbahet në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës. Për të marrë pjesë kanë ardhur shumë personalitete shqiptaro-amerikane si dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo.

Në komentet e pjesëmarrësve u theksua roli i Mid’hat Frashërit si kryetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ku ai mbështeti abc-në shqipe me gërma latine; u fol për punën e tij prej dijetari me themelimin e revistës mjaft të njohur “Diturija” dhe për aktivitetin si njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912.

Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë cilësuar si kolaboracionist nga regjimi komunist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve.

Por shumë prej atyre që folën e cilësuan Mid'hat Frashërin si një figurë të madhe bashkuese për shqiptarët. Ata thanë se ceremonia e riatdhesimit në Nju Jork flet më së miri për këtë.

Në ceremoninë e sotme munguan disa anëtarë të organizatës panshqiptare Vatra, drejtuesit e së cilës i thanë Zërit të Amerikës se Vatra zyrtarisht nuk do të merrte pjesë. Sipas tyre, qeveria shqiptare, vendimin për riatdhesimin e Mid’hat Frashërit e shikon thjesht të lidhur me rolin e tij në çështjen e alfabetit, duke lënë mënjanë kontributet e tij politike si luftëtar kundër komunizmit.

Mid’hat Frashëri do të rivarroset më 14 nëntor në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku prehet i ati, Abdyl Frashëri dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim, që të tre rilindas të shquar./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat