Ditëlindjet tona, urimet nga shkrimtari Namik Selmani nga Bostoni i SHBA-së - Bota Sot
Ditëlindjet tona, urimet nga shkrimtari Namik Selmani nga Bostoni i SHBA-së

Amerika

Ditëlindjet tona, urimet nga shkrimtari Namik Selmani nga Bostoni i SHBA-së

Nga: Aziz Bytyçi Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 11:39
Namik Selmani

Sot më duhet të zgjedh në Lulishten e Fjalëve më të mirat e më të bukurat për miqtë që më uruan.. Miqtë e mi e duan një kurorë të tillë një kurorë që më shumë aromatizon miqtë e tij familjarët e tyre. Se e mori e mira, nëse kërkon të njohësh një njeri, shikoji miqtë e tij bashkombasit e tij se sa e vlerësojnë . Mbase e ruajmë kaherë një pikë loti burri kur prekim pragje të ngrohta Herë me një hap të milingontë e herë me një galop kali që s’ka e s’ka kush t’i vërë frerin e fortë, ato, ditëlindjet tona kalërojnë me hapin e erërave detare.. S’dihet nga vijnë e s’dihet se nga shkojnë për t’u tretur në disa hapësira të pamata e të panjohura të vendeve ku jetojmë ne, të afërmit tanë që na i ka dhënë zoti, por edhe ata dashamirë që kemi krijuar me një URË të padukshme ditësore. Ato shpesh bëhen pasqyra shumëngjyrëshe të kaltëruara ku shohim edhe amanetet e thëna e të pathëna të prindërve tanë që na dhanë një emër, një frymë dhe na hapën dritaret e diturisë e që shumë edhe nuk i kanë më. Ecim në gjurmët e tyre si karvanarë që nxitojnë sa në një qafë mali në tjetrën sa në një qytet në tjetrin e sa në një kontinent në tjetrin. Me hapa që edhe nuk i kemi hedhur akoma. 

Ditëlindjet tona ngjajnë me lindjet e përflakura diellore ku rinisim ëndrrën tonë foshnjërore si një lastar burimi që sapo ka marrë detyrën për të gostitur me fjongon e kaltër të ujit të kristaltë udhëtarët e lodhur, ushtarët, bujqërit, krushqit, kaçakët, nuset, sejmenë e bejlerë, vajza të bukura e plaka të etura për ujë e për biseda të panumërta, qoftë edhe pa fre me ujin e tij. Herë ngjajnë me muzglindjet! Qoftë përherë të trëndafiltë, qoftë edhe të mjegulluar që të çon drejt Natës që kërkon të zezojë mendjen, ditën, vargun, dashurinë, kujtesën, ëmbëlsirën, bukën që shtrojmë… Në këtë muzglindje numërojmë ditët e netët në pragjet e ditëlindjeve tona e ato që nuk kanë ardhur ende në ditëkalendarin e viteve që do të jetojmë (Sa….???? Kur…????). E për çudi, asnjëherë nuk na dalin të sakta, sado të aftë që të jemi për të bërë llogari si bëjmë shpenzimet e ditës, të muajit, të vitit, Jo, asnjëherë. Dhimbja e largimit të prindërve dhe i të dashurve na i rrëgjon paksa ditët e prekura me sytë e mendjen tonë .

Gëzimi i hapave të fëmijërisë na dërgon në udhët shkollore në ca shtëpiza të vogla. Më tej kur në jetë shohim qiellgërvishësa sërish themi se hapat e ditëlindjeve nuk janë kurrësesi të sakta përderisa në to kemi pak kohë të kujtojmë jetëne jetuar ose e gjejmë atë tek kthen kokën pas… Jo për të numëruar mullarët në një prag dimri me shqetësimin se a do të mjaftojnë deri në behar, kur të vihen të tjerë mullarë në radhë. Jo thjesht për të numëruar koshat errushit e të ullinjve që do të mbushen sërish vjeshtën tjetër me një ritual gati të monotontë. Jo thjesht për të numëruar tingujt e një isoje himariote që tretet e tretet në gjokse mërgimtarësh të vjetër e të rinj. Që treten në dallgët e detit që do të vazhdojnë udhën e tyre edhe kur të mos kemi më urime ditëlindjesh në atë ecje të akreptë të pandaltë. Apo edhe si një këngë e valle çame që shkrihet me dheun e tokës që e lindi e mbajti të gjallë si një lastar i shëndetshëm në shpirtin-ugar të të gjithë atyre që jetuan në këtë tokë të bekuar, qoftë edhe pak kohë. Unë besoj (dhe shpresoj) se në këtë majë vitesh ku na ngjisin ditëlindjet tona jemi si para një pasqyre vigane ku të gjithë themi njëzëri si kor: ”

Jemi në moshën e ëndrrave! Jemi në Lëndinën e LUMTURISË”. Ditënetët tona të nesërme pas një gjerdani valëzor urimesh të marra nga të gjithë skajet e globit (sa e vogël është bota për të dhënë e për të marrë urime!) nuk kanë vetëm ëndrrat dashurore fytyrëndezura , po shumë më tepër se kaq. Kanë ëndrrën e një rruge që na bën të ikim fytrëskuqur para amanetit të thënë e të pathënë të prindërve tanë të mirë. Por edhe me atë që duhet të bënim me krijimtarinë tonë që e matim shpesh me numrin e librave të botuar po jo me bukurinë e urtinë e fjalës së shkuar në të. Për atë udhë shkronjore që i kemi dhënë një ditë besën për ta bërë mike tërë jetën E kemi ngjizur brenda vetes dhe jetojmë para saj si të ishte një mëmësi lehonore e përjetshme. I kemi dhënë shpirtin plot bujari. Ah, ditëlindjet tona, ditë të trëndafilta që kanë mbi krye urime nga më të bukurat .Urime poetësh, bre! Urime miqsh që i farkëtojnë në zemër. A thua se mjalti i Koshereve të zemrave qenka sajuar që të dalë vetëm në këtë ditë e në asnjë ditë tjetër ?!!! Ditëlindjet tona kanë një të nesërme që nuk jetohet asnjëherë me kokën e kthyer pas si nostalgjikë të pandreshëm. As me vendosmërinë e një ushtari të zellshëm që e urdhëron komandanti: “Jeto!” Eh, ç’të trazon ëmbëlsisht qerthulloren e fjalës tënde. Duhet të jesh më i mençuri i botës, më i pasuri që të japësh në një ditë të vetme lule, valëzim këngësh çame, myzeqare, qeparotase, kosovare. ulqinake, malësore,. amerikane, një mal me lotë gëzimi të dukshme të padukshëm atyre që të falën miqësi e lumturi, që të shkruan të uruan e ndanë një pjesë të bukur të kohës, të zemrës me ty e të atyre që të harruan për një mijëe një arsye. Mos jetofshim kurrë, kurrë ditëpjekjet e nesërme pa këtë jerm urimesh, pa këtë valëzim fjalësh ku një herë në vit jemi Princër të Gëzimit e të Urimit! Një herë në vit bëhemi rrëzëllimi i yjeve të jetës,.

Bëhemi pjergull kokërrmbushur e përqafuar me Lisin e lartë të Miqësisë. . Një përqafim që nuk e than dimri, që e gjethëron bistakun në çdo fillimpranvere. Kudo ku jemi në ditëlindjet tona tona kërkojmë pranverën e ditëve që nuk i kemi jetuar akoma.

Boston, 18 nëntor 2018.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test