Restaurimi i objekteve të kultit në Kosovë

Amerika

Restaurimi i objekteve të kultit në Kosovë

Nga: Enver Sulaj Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 09:12
Restaurimi i Kishës në Bec të Gjakovës

Ndonëse institucionet shtetërore, por edhe organizata të ndryshme, viteve të fundit jo rrallë kanë ndarë mjete për restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë sonë kulturore e të kultit, nuk janë të rralla rastet kur edhe qytetarë të ndryshëm, duke dhuruar mjete financiare kanë shprehur dëshirën të kontribuojnë në këtë drejtim. 

Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, thotë se gjeste të tilla të qytetarëve, janë të mirëpritura dhe shton se gjendja e objekteve të kultit në Kosovë është e kënaqshme, ndonëse akoma ka punë për të bërë.

Sipas tij, ka tri javë që punimet restauruese, kryeshisht në fasadën e jashtme dhe muret, po zhvillohen në Kishën e fshatit Bec, e cila kishte nevojë për një ndërhyrje të tillë, për t'ia rikthyer formën e duhur, e cila sigurisht se ka pësuar dëmtime në kohë dhe nga kushtet atmosferike. Punimet këtu janë mbështetur financiarisht nga veprimtari dhe biznesmeni shqiptar në Amerikë, z. Prend Ndoja, i cili edhe më herët është shquar për gatishmërinë e tij që të ndihmojë projekte të tilla në të mirë të besimtarëve, komunitetit, por edhe të kulturës sonë kombëtare në përgjithësi. Ky renovim është i rëndësishëm sepse bëhet pas 100 vjetësh nga themelimi i saj. Kryesi i punimeve, Bekë Bytyçi nga Malisheva, thekson se punët po shkojnë sipas dinamikës së parapearë dhe ai bashkë me punëtorët tjerë po bëjnë gjithka që ato të përfundojnë me kohë dhe sipas standardeve të përcaktuara.

Sipas dr. don Shan Zefit, tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare punimet ndërtimore në kompletimin e objektit të Katedrales "Nëna Tereze" në Prishtinë, ku po punohet në pjesën që do të shërbejë si Qendër Kulturore, ndërkohë që edhe punimet restauruese në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren po shkojë dejt fundit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat