Dy keqpkuptime popullore rreth udhëheqësve dhe elitave

Analiza

Dy keqpkuptime popullore rreth udhëheqësve dhe elitave

Nga: Goerge Pagoulatos Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 22:45
Foto ilustrim

Dy keqkuptime popullore, po lulëzojnë sot në një Evropë të populizmit dhe pritshmërive të zvogëluara. Shumë njërëz, argumentojnë se problemi i Evropës është një problem i udhëheqjes së saj. Mungojnë burrat e shtetit me staturën e Helmut Kolit, Fransua Miteranit apo Zhak Delorit.

Distanca historike, ka prirjen të lartësojë dhe idealizojë udhëheqësit e dikurshëm. Në kohën e tyre, kritikët e denoncuan provincializmin e Kolit, analfabetizmin financiar të Miteranit dhe ndrojtjen e Delorit. Ky keqkuptim, shpërfill shkaqet themelore të problemit.

Një bashkim më i thellë i Bashkimit Evropian me 28 anëtarë, është gjithashtu një union më i përçarë. Konsensusi i së kaluarës, është zëvendësuar nga mosmarrëveshjet e zhurmshme të së tashmes. Qeverisja sot, është menaxhimi konstant i krizave, me kompromise të gjera dhe të dhimbshme.

Kol nuk do t’i kishte menaxhuar më mire krizat, sesa kancelarja gjermane aktuale Angela Merkel. Përqendrimi tek personalitetet, e pengon debatin që të përqendrohet aty ku duhet – në divergjencën e interesave kombëtare dhe pabarazisë në rritje – kur ajo që nevojitet, është një integrim më i madh, kompromise të guximshme, dhe zgjidhje të gjera në mbarë BE.

Keqkuptimi i dytë, është edhe më i përhapur. Siç ka shkruar kohët e fundit Statis Kalivas në Kathimerini, “fatkeqësisht narratiava e një elite të ç’armatosur dhe arrogante, dominon sot në Evropë, shpesh edhe brenda elitës, kryesisht për shkak të përtacisë intelektuale, dhe kjo çon në përdorimin e të gjitha llojeve të klisheve”.

Klisheja e elitave të shkëputura nga pjesa tjetër e popullsisë, përveçse është populiste, është gjithashtu në një masë të konsiderueshme e pavërtetë. Asnjëherë më parë udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk kanë qenë aq të kujdesshëm ndaj perceptimit dhe humorit të opinionit publik.

Kurrë më parë, elitat e demokracive liberale perëndimore, nuk kanë qenë kaq të ekspozuara ndaj kritikave të ashpra, jo vetëm nga një mori mediash kritike, por nga miliona “snajperë” në internet dhe në media sociale. Shumë rrallë në të shkuarën, udhëheqësit janë detyruar të shfaqin ritualin e përulësisë si sot – një zhvillim i mirëpritur në vetvete.

Presidenti francez Emanuel Makron nxitoi të bënte “mea culpa”-n e tij kur u përball me “Jelekët e Verdhë” – a e mban mend dikush Sharld De Golin, Valeri Zhiskar d’Estein apo Miteranin që të pranonin gabimet e tyre në këtë mënyrë? Udhëheqësit e vetëm, të cilëve u mungon përulësia, janë pikërisht ata që e kanë ndërtuar karrierën e tyre politike mbi refuzimin e elitave të establishmentit:Trumpët dhe Orbanët e kohës sonë.

Izolimi i elitave? Tradicionalisht, udhëheqësit e kanë formësuar politikën e lartë në një rreth të ngushtë njerëzish. Lindon Xhonson, dërgoi miliona të rinj amerikanë në një luftë të papëlqyeshme nëpër xhunglat e Vietnamit – qindra mijëra u kthyen të pajetë, ose të gjymtuar për pjesën tjetër të jetës.

Sot, presidenti i SHBA Donald Trump e drejton politikën e sigurisë kombëtare nëpërmjet postimeve në Twitter, duke marrë ”like” (pëlqime), dhe duke hedhur në erë aleancat e vjetra prej disa dekadash, duke sfiduar opinionin e ekspertëve; i udhëhequr kryesisht nga instikti i tij politik, dhe nevoja për të ruajtur bazën e tij elektorale.

Arsyeja shtetërore, politika me interes kombëtar, i ka hapur rrugën “zërit të popullit”, siç tregohet nga referendumi dramatik Brexit. Kjo vlen për qeveritë serioze, madje edhe kur ministri i Mbrojtjes nuk vishet në uniformë ushtrake, për të tërhequr të ashtuquajturën votë patriotike, si në rastin e Greqisë.

Sot nuk ka politikanë që nuk konsultohen me sondazhet dhe grupet e interesit, përpara se të ndërmarrin një lëvizje të rëndësishme. Pyetja e shpeshtë që iu bëhet votuesve nëpër sondazhe – Cili prisni të fitojë – bëhet një profeci vetë-përmbushëse, ku votuesi i pavendosur thjesht shkon pas rrymës kryesore.

Ndikimi i sondazheve, nuk çon gjithmonë në zgjidhje të dobishme kombëtare, por sot politikanët kanë më pak fuqi për t’i rezistuar tij. Nganjëherë elitat duhet të mbajnë një distancë të caktuar nga ndjenjat e opinionit publik. Lufta kundër ngrohjes globale, nuk do të kishte mundësi të bëhej një kauzë popullore, për aq kohë sa individët ishin të detyruar të shpërfillnin disa zakone të thjeshta pastërtie, dhe të paguanin kur ndotnin.

Shkencëtarët e elites i ranë zileve të alrmit, gazetarët e elitës e kapën narrativën, politikanët e elitës punuan së bashku dhe negociuan, dhe elita e lëvizjeve progresive, mjedisore, i mbështeti për t’i dhënë Marrëveshjen e Klimës së Parisit. Në të kundërt, Jelekët e Verdhë u rebeluan kundër rritjes së taksës mbi benzinën dhe naftën, duke u duartrokitur nga  populistët në mbarë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, shoferët e SUV-së janë zemëruar me Trump dhe kompanitë e naftës, që mohojnë gjetjet e pakundërshtueshme të shkencës. Elitat e tjera liberale, i mbrojtën refugjatët nga zemërimi i verbër i “shumicave të rrezikuara” (Ivan Krastev).

Ata vendosën mbrojtje kushtetuese kundër tiranisë së shumicës, dhe arbitraritetit të pushtetit të pakontrolluar. Minoritetet, të dobëtit, planeti, i detyrohen shumë elitave progresive dhe institucioneve liberale, të cilat nuk presin ndonjë mbështetje popullore për të vepruar.

Natyrisht që ekzistojnë edhe elita arrogante, vetëshërbyese, dhe të shkëputura nga shoqëria. Por konflikti politik i ndërtuar mbi këtë premise, ushqen ”kanibalizmin politik”, dhe ndarjet e rreme të “elitës përkundrejt popullit”,  prej nga ku përfitojnë demagogët.

Prandaj, politika zvogëlohet në një konflikt primitiv, autoritar, në një konflikt me shumën zero të “ne kundrejt atyre”. Problemi nuk është elita. Problemi është që elitat të zgjidhen me meritë, të kenë një ndërgjegje shoqërore, t’i shërbejnë interesit publik, dhe të veprojnë përmes kontrolleve dhe balancimeve demokratike.

Shënim: George Pagoulatos, është profesor i politikës dhe ekonomisë evropiane në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë, dhe nënkryetar i Fondacionit Helenik për Politikë Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP). /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat