Britma e injoruar prej kohësh. Evropa në prag të ndryshimeve politike radikale

Analiza

Britma e injoruar prej kohësh. Evropa në prag të ndryshimeve politike radikale

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 00:54
Foto ilustrim

Tre analistë, shprehin pikëpamjet e tyre mbi zgjedhjet e fundit evropiane në Britani, Francë dhe Itali

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar, konfirmuan se Brexit është e vetmja lojë politike në qytet. 74 për qind e votave u ndanë midis partive që janë ose pro-Brexit ose anti-Brexit. Partia Brexit dhe UKIP morën 34.9 për qind; ndërsa Liberal Demoraktët, Gjelbrit, Change UK dhe SNP u vlerësuan së bashku me 39.4 për qind.

Ndarja e madhe dhe kuptimplotë në Mbretërinë e Bashkuar, është sot midis atyre që mbështesin largimin, dhe atyre që kërkojnë qëndrimin në BE, midis atyre që mendojnë se politika duhet të bëhet nga njerëzit e zakonshëm, dhe atyre që thonë se duhet të bëhet nga ekspertët.

Zgjedhjet konfirmuan edhe diçka tjetër: krizën e përfaqësimit të klasave punëtore. Zhvendosja e votuesve laburistë të klasës punëtore drejt Partisë Brexit, është lajmi më i spikatur. Partia Laburiste, mori rezultatin më të keq në ndonjë palë zgjedhje kombëtare – vetëm 14.1 për qind, shumë më ulët se 15.2 për qind të votave që mori Gordon Broën në zgjedhjet evropiane të vitit 2009.

Laburistët po paguajnë koston e braktisjes së komuniteteve që vetë ndërtuan dhe financuan dikur, dhe që siguronin boshtin moral të partisë për dekada të tëra. Dhe ne po shohim qartë se komunitetet e klasës punëtore, të përkushtuar ndaj idesë së demokracisë, janë të vendosur të dëgjojnë zërat e tyre, dhe këtë herë duke votuar për Partinë Brexit. Ku do të dëgjohet më në fund britmat e tyre, dhe do të veprohet?

Francë, Kristof Gili: E majta dhe e djathta kanë “vdekur”, tani përballja është populistë vs establishment

Franca ka pësuar një riorganizim të spikatur politik dhe social, ku nisën të lindin dy blloqe të mëdha: një bllok i klasës punëtore dhe një bllok borgjez. Makron i`a ka dalë të bashkojë borgjezinë tradicionale dhe borgjezinë moderne urbane, ndërsa klasa punëtore tubohet rreth partive populiste.

Këto blloqe, nuk i përkasin as të majtës dhe as të djathtës – në veçanti, klasat punëtore nuk kanë asnjë lidhje me asnjë nga partitë tradicionale. Ky është një fenomen i shekullit XXI-të: votuesit ndahen përgjatë vijave klasore, por ndryshe nga proletariati i dikurshëm, ata po e bëjnë këtë pa ndonjë ndërgjegje klasore.

Nëse shihni partinë Tubimi Kombëtar, mbështetja ndaj saj është e shpërndarë në mbarë vendin, dhe në përgjithësi në përputhje me vendin ku jeton më së shumti klasa punëtore franceze. Ndërkohë qytetet kryesore, janë bastionet e Makronit. Ata janë si kështjella mesjetare, vetëm se tani ndjehen nën rrethim.

Makron mban pushtetin në Paris, Lion dhe Tuluzë, por vështirë se diku tjetër. Sondazhet tregojnë se shumica e “Jelekëve të Verdhë” votuan për Tubimin Kombëtar të dielën e kaluar. Dhe kjo është e kuptueshme. Ata, nuk janë fashistë apo ekstremistë të djathtë. Është një gabim i madh, t`a interpretosh klimën aktuale, si një betejë midis fashistëve dhe antifashistëve.

Klasat punëtore, po i përdorin protestat e “Jelekëve të Verdhë” për t’i kujtuar klasës sunduese se ata ekzistojnë. Dhe në kohën e zgjedhjeve, ata i përdorin partitë populiste me vetëdije, për t’i thënë establishmentit se janë aty. Teksa borgjezia po e humbet kontrollin e saj, klasat punëtore janë në procesin e përmbysjes së të gjithë sistemit politik.

Partitë tradicionale, madje edhe konceptet e së majtës dhe të djathtës janë zhdukur. Kjo përkundër faktit, se ato janë krejtësisht të nënpërfaqësuara në botën e politikës dhe kulturës, dhe se lëvizja e tyre nuk ka mbështetje intelektuale. Rritja e “Jekekëve të Verdhë” dhe fitorja populiste, flet për shfaqjen e një klase vërtetë të pavarur punëtore – dhe që nuk ka për t’u zhdukur shpejt.

Itali, Tomas Faci: Salvini ka sukses, pasi i flet shpirtit të kombit

Këto zgjedhje panë rritjen e Legës populiste të Mateo Salvinit. Salvini, është një “kafshë politike” tepër e zgjuar. Apeli i tij është gati para-politik. Ai, i flet zemrës dhe shpirtit të njerëzve. Ai, di vërtet të lidhet me publikun, dhe ka kultivuar një imazh të vetvetes si një njeri i popullit.

Profilet e tij në mediat sociale janë mbushur plot me selfi, duke ngrënë apo në aktivitetet e jetës së përditshme, dhe gjithmonë i veshur thjeshtë. Udhëheqësi i tij në koalicion i Lëvizjes Pesë Yjet, Luixhi Di Maio, është padyshim më kompetent dhe mund të përballojë edhe intervistat më sfiduese në media. Por është paksa si një robot, dhe nuk krijon dot lidhjen me elektoratin si Salvini.

Nga ana tjetër, Salvini bën shumë premtime, por ka shumë pak politika konkrete. Në fushën e emigracionit, shifrat e emigrantëve të rinj ilegalë kanë rënë, por kjo është kryesisht falë qeverisë së mëparshme që nënshkroi një marrëveshje me Libinë. Salvini, mori një qëndrim të ashpër kundër dy anijeve me emigrantë që u ankoruan në Itali, por ajo ishte një sjellje më së shumti teatrale.

Salvini synon t’i bëjë italianët të ndihen më të sigurt, dhe të ndihen sikur qeveria ka realisht kontrollin e kufijve. Salvini, ka nxitur ndërkohë retorikën anti-BE muajt e fundit. Ai thotë se do të bëjë gjithçka që duhet për të shpëtuar vendin, edhe nëse kjo do të thotë të bjerë dakord me rregullat buxhetore të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat