Vjedhje e qytetarëve nën hundën e qeveritarëve…

Analiza

Vjedhje e qytetarëve nën hundën e qeveritarëve…

Nga: Xhevat Mustafa Më: 5 qershor 2019 Në ora: 07:57
Xhevat Mustafa

Le ta fillojme analizën me bukën , ujin dhe ilaçet, tre nga më jetikët për çdo njeri të gjallë mbi tokë, duke i “harruar” sot vjedhjet që na bëhen nëpërmjet koncesioneve, PPV-ve, 1 km autostradë në terren fushor, 1 km trotuare, 1 km kanalizime dhe tubacione, 1 metri katror beton e pllaka, një fature për luks kabinetesh dhe zyrash, një peme që mbillet me bujë në parqe, kur priten me dhjetra në qendër të qyteteve për “kullat e reja të kanabisit”…Për të qenë sa më objektiv, konkret, i besueshëm dhe bindës do t’u referohem disave nga bollëku i fakteve dhe shifrave të përditshme. Jo për t’u vetëmburrur, personalisht kam vite që në disa analiza dhe opinione të mia, sidomos në “Gazeta Shqiptare”, “Telegraf” dhe “BOTA SOT” , krahas disa kolegëvë të tjerë, kam dhënë alarmin se, sidomos nëpërmjet kompanisë “Devolli” të Kosovës dhe disa kompanive partnere të saj në Shqipëri, ne si shqiptarë po ushqehemi me bukëra, ëmbëlsira dhe prodhime të tjera me bazë grurë, misër, elb, tërshërë ardhur nga Serbia, Ukraina (Çernobili), Moldavia, Rusia…

E keqja shumëfishohet nga fakti se këto janë prodhime shumë të vjetra, të mykura, të krimbura e të ruajtura keq nëpër magazina, mbushur edhe me minj sa mace e macokë dhe kryesisht, destinuar si ushqim bazë për kuajt, pelat, gomerët dhe kafshë të tjera në këto vende, për arësye edhe të niveleve të larta të rrezikshmërisë për njerëzit. AKU, ka bllokuar rrallë e për mallë, më shumë për shou mediatik dhe propagandistik, maune apo kontenierë me dhjetra tonela grurë, misër dhe miellra, biskota, makarona, oriz, qumësht pluhur, margarinë, gjalp, mishra…ardhur nga Ukraina, Serbia, Kosova, Greqia, Brazili, Argjentina…Merret me mend se shumica e mauneve dhe kontenierëve të tjerë kanë ndërruar doganë apo kohë kalimi e shkarkimi dhe pastaj, kanë vazhduar avazin dhe krimin rreth 25 vjeçar…

Të ndalemi tek gatimi, pesha dhe çmimi i bukës. Përgjithësisht, edhe në këto aspekte për AKU, nëse do të ketë urdhër nga lart e leje me pash të bëjë kontrolle të vërteta, serioze dhe ndëshkime të forta, financiare e ligjore, me tolerancë zero, edhe ndaj shokëve “të partisë dhe të kryetarit të zemrës”, është fare e lehtë të ndalet dhe të kapë “me presh në duar” shumë abuzues apo keqbërës. Përveç përqindjes së lartë të sodës dhe majasë, për t’i fryrë bukët, si me silikon buzët apo gjinjtë e disa femrave parallinje, e keqja apo vjedhja e hapur lakuriqësohet edhe me shumë tek pesha. Një bukë, që sipas listës me lllojet dhe çmimet përkatëse të varura në muret e furrave të gatimit dhe tregtimit të bukës, me peshë 800 gram, është përgjithësisht 650-700 gramë.

Sipas kësaj tradite apo praktike, një bukë që duhet të jetë 600 gram është de facto 450-500 gramë; ajo 400 gramë blihet dhe hahet me 300-350 gramë. Edhe simitet, dikur me peshë 100-150 gramë, që vite më parë e ngopnin një njeri të rritur, sot blihen duke u zvogëluar në peshë dhe madhësi, me rreth 75 gramë, sa nuk ngopin një fëmijë…Le të kalojmë tek uji. Dihet se Shqipëria jonë është një nga vendet më pasuri të shumta me ujë të pijshëm, për energji elektrike, për ujitje…Por, prej shumë vitesh, tek ne uji i pijshëm kushton më shumë se në vendet e varfëra për këtë lëndë jetësore. Uji që blejmë nëpër tregje, me shishe 1.5-2 litra, pa u kontrolluar me rigorozitet për përbërjen, kushtet e ambalazhimit dhe të magazinimit, kushton rreth tre fish më shumë se në Gjermani. Po kështu, ne paguajmë rreth 2 fish më shtrenjtë se më 2013 edhe ujin për gatim e banjo, edhe pse neve në Tiranë vazhdon të na vijë 4-5 orë në ditë e jo 24 orë dhe i pijshëm, ndërsa në Durrësin turistik apo të Vangjush Dakos nga 1-2 orë në ditë.

Por, tek ne ndodh absurdi që edhe 1 ose 1.5 litër ujë kushton më shtrentë se një shishe me të njejtën sasi qumësht, që u blihet nga grosistët fermerëve të Myzeqesë, Devollit, Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Dibrës, Matit, Elbasanit, Dumresë, Beratit, Skraparit, Kurveleshit, Sarandës…Prandaj, me të drejtë, fermerët gjatë muajve mars, prill e maj kanë bërë protesta edhe në formën e derdhjes së bidonave me qumësht nëpër rrugë e kanale, njësoj siç kanë vepruar fermerët e frutikulturës, duke hedhur nëpër lumenj e përrenj tonelata me portokalle, mollë, patate, speca, qepë, spinaq, sallatë…Merret me mend se si rrjedhojë e shurdh-memecërisë së ministrisë së bujqësisë dhe të gjithë qeverisë, viktimat kryesore dhe më të shumta do të ishim të gjithë si qytetarë dhe konsumatorë, duke e blerë këtë dimër dhe pranverë 1 kg qepë, presh, patate, speca, patlixhana, sallatë, qershi… me çmime 2-3 fish më të larta edhe se 2-3 vite më parë, pa e bërë krahasimin me 2013…

Skandali më i freskët në fushën e tregtisë u publikua më 31 maj nga AKU. Prej kohësh nëpër disa tregje kishte hyrë dhe ishte shitur si gjalp rreth 47 tonë margarinë ardhur nga Ukraina( pra edhe nga zonat përreth Çernobilit). Për ne shqiptarët që jemi mësuar prej 75 vjetësh ta hajmë sapunin për djathtë, mu..shtin për mjaltë, ferrin për parajsë, kjo nuk përbën ndonjë befasi të madhe. Prej këtij “mali” me abuzime,absurditete dhe paradokse allashqiptare apo “allarilindase” le të kalojmë nëpër depo farmaceutike dhe farmacira. Dihet se shumë prej nesh janë të detyruar të blejnë me paratë e tyre plot ilaçe, që nuk përfshihen në listën e rimbursimit, për shumë prej barnave të së cilës edhe jo pak mjekë të familjes nëpër ambulancat e lagjeve janë të sinqertë, duke shprehur rezerva për cilësinë dhe efektivitetin e tyre.

Më 17 maj 2019 Top Channel zbuloi një skandal mashtrimi lidhur me çmimet dhe falsifikimet e pullave të barnave. Soludamin 100 militërsh, që shërben për pacientët që vuajnë nga veshkat dhe trajtohen me hemodializë, me 10 flakonë, importohet në Shqipëri nga kompania CFO Pharma, e drejtuar nga biznesmeni Nadir Çausholli dhe deklarohet në doganë me çmimin CIFF, 0.4 euro. Sipas vendimit numër 53, datë 5.2.2014, me një marzh fitimi për importuesin deri në 11 % mbi çmimin CIF, ky produkt nuk duhet të shitet në treg, jo më tepër se 74 lekë të reja. Por ky prodhim grek ne tregun shqiptar shitet me një çmim 180 fish më të lartë?! Në vijim të skandaleve apo abuzimeve kriminale nga kompanitë farmaceutike do t’u referohem dy rasteve, që i kam përjetuar personalisht gjatë muajit maj 2109. Një kuti me vitamina D3 5000 Iu, me 60 tableta, nëpër farmacitë e Tiranës shitet me 3200 lekë ose rreth 26 euro, kur nëpër farmacitë e Gjermanisë, me 365 tableta shitet e blihet me 4.50 -14 euro, domethënë rreth 10 herë më lirë. Po kështu, RIBO FLU, një bar qetësues për dhimbjet e fytit, nëpër farmacitë e Tiranës shitet e blihet 1600 lekë, kur nëpër farmacitë e Gjermanisë, Francës, Italisë…blihet me çmimet 1.30- 4 euro, domethënë rreth 3 herë më lirë?!

Nëse Ministria e Shendetsisë do të ketë kohë, dëshirë, vullnet, guxim, leje nga lart apo nga oligarkët e “mafias farmaceutike”(emërtim botëror) të kontrollojë nëpër depot e kompanive farmaceutike dhe nëpër disa farmaci, do të befasohet kur t’i dalë se lista me abuzime dhe vandalizma të tilla është shumë e gjatë. Raste absurditetesh dhe kriminalitetesh që na viktimizojnë të gjithëve si qytetarë, pra opozitarë, ta pavarur, pozitarë, përjetojmë edhe nëpër agjensitë e udhëtimeve ajrore dhe në Aeroportin “Nënë Tereza”. Edhe për këtë temë të gjërë do t’i referohem një rasti që e kam përjetuar personalisht.

Më 16 maj 2019, rreth orës 19.30 të darkës, duke kërkuar online në ofertat nga agjensia e udhëtimeve “Gynstige Flyge”, nëpërmjet Prishtinës, një biletë ardhje dhe kthim, për mbesën dhe nipin tim, nga Dysseldorfi për në Tiranë, me nisje 19 korrik dhe kthim 21 gusht, nëpërmjet një mikut tim, e kapëm me çmimin 103 euro. Kur shkova në njerën nga agjensitë në Tiranë për të bërë pagesën dy ditë më vonë, çmimi kishte shkuar në 270 euro, sepse, siç pranoi pa dashur apo me sinqeritet punonjësja e agjensisë, prej kohësh ofertat shumë të lira apo të ulëta nga Prishtina, Shkupi, Ohri, Podgorica, sulmohen si piranjat nga agjensitë shqiptare, për t’iu shitur me çmime rreth 3 herë më të larta qytetarëve dhe udhëtarëve të Shqipërisë, sikur të ishin më pasurit e jo më të varfërit e Evropës?!Pikërisht pse janë biznese tejet fitimprurëse e me hapësira të bollshme për vjedhje, abuzime dhe informalitet, për pastrim parashë të pista, Shqipëria jonë e vogël, ka shumë gjasa, të ketë për frymë popullsie numrin më të madh të kafeneve, qebabtoreve, byrektoreve, furrave të vogla të bukës, ëmbëltoreve, farmacive, laboratorëve, klinikave dentare, spitaleve dhe universiteteve private, agjensive turistike, agjensive të këmbimit valutor…

Nëqoftëse do të guxohet të bëhet një analizë tërësore dhe e thellë e pronarëve të tyre, për ne shqiptarët nuk do të përbënte habi kur të dilte se rreth 50- 60% e tyre janë nga kontigjenti masiv i njerëzve me mangësi të ndjeshme arsimore dhe emancipimi qytetar, i lumpenit, i njerëzve me të shkuar e të sotme të lidhur me krimin, trafiqet, me vite nëpër burgjet e botës dhe të Shqipërisë…Merret me mend se njerëz të tillë nuk njohin skrupuj, mëshirë, keqardhje, vrasje në ndërgjegje, pendesë. Për këta nënë e babë, Zot e Perëndi, është paraja në format e shumëllojta të kartmonedhave më të fuqishme botërore; pasurimi vetjak e familjar me çdo rrugë, mënyrë, faturë…Kuptohet se kur bëhen shumë të pasur dhe krijojnë lidhje shoqërore, ortakërie, partiake me bosë të politikës dhe të qeverisjeve, bëhën shumëfish edhe më vandalë e barbarë e me rrezikshmëri masive shoqërore, shtetërore e kombëtare, duke e vlerësuar dhe trajtuar shendetin dhe jetën e njërëzve si malle krejt pa vlerë apo si thesar për pasurimin e tyre më të madh.

Prandaj, si qytetar e si konsumtator, jam mbështetës i idesë dhe propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ashpërsimin e masave ndëshkuese, deri me 5 vite burg, për të gjithë abuzuesit në prodhimin dhe tregtimin e artikujve ushqimorë, farmaceutikë, kozmetikë…Por, njeherazi kam parandjenjën e dyshimin se këto ndryshime në kodin penal do të keqpërdoren për “gjyeti shtrigash”, kryesisht ndaj atyreve që nuk janë shokë, ortakë apo sponsorë të partisë, të qeverisë e të bashkive, duke mbyllur sy, veshë, gojë, dyer gjykatash dhe burgjesh ndaj “njerëzve tanë”, që jo “rastësisht”, janë më të shumtë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat