Kemi të drejtë të festojmë, por jo me shifrat e Enverit!

Analiza

Kemi të drejtë të festojmë, por jo me shifrat e Enverit!

Nga: Nga Xhevat Mustafa Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 08:32
Xhevat Mustafa

Duke qenë vend dhe popull i vogël, edhe me shifrat 2-3 fish më të pakta, kemi plotësisht të drejtë dhe arësye të ndiehemi kontribues në fitoren e madhe të të Koalicionit Antifashist Botëror në Luftën e Dytë Botërore.

Mbështetur në libra dhe shkrime nëpër gazeta, në shifra, fakte, llogari arithmetikore, pa pretenduar të bëj historianin dhe pa ua vënë veshin përrallave të “historianëve enveristë”, do të bëj një analizë rreth përmasave të vërteta të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të Ushtrisë Nacional –Çlirimtare, duke kundërshtuar shifrat që na janë servirur deri më sot nga propaganda partiake dhe qeveritare komunisto-socialiste në këtë 75 vjet. Qëllimi do të jetë jo shfleftësimi dhe denigrimi i luftës sonë dhe i ushtrisë partizane, por përpjekja për të ndihmuar për afrim sa më shumë me të vërtetat e dimensioneve, aktorëve, meritorëve, kontribuesve, martirëve, viktimave, dëmeve tona njerëzore dhe materiale. Duke pasur fatin të merrem me LANÇL shumë herët, me fillim rreth 45 vite më parë e në vazhdim, deri më 1990, nëpërmjet emisioneve me dëgjueshmëri masive të Radio Tiranës në vitet 1970-1980, “Heroizmi i Popullit tonë në shekuj”, “Të njohim traditat e popullit tonë”, “Ngjarje dhe data”, nga biseda imtime e të sinqerta me veteranë si dhe nga disa dokumente të publikuara, edhe unë, si plot të tjerë, kam pasur dyshimin se disa shifra rreth kësaj lufte janë fryrë tej mase. Më kryesoret janë shifra prej 70.000 vetësh e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe shifra prej 28.000 të rënësh gjatë LANÇL. Kam bindjen se krahas glorifikimit për propagandë të brendshme, sidomos të emrit, figurës dhe rolit të Enver Hoxhës, kjo është bërë edhe me qëllimin dhe interesin për të marrë sa më shumë dëmshpërblime financiare nga dy fuqitë pushtuese dhe humbëse gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Gjermania dhe Italia. Dihet se për fatin tonë të keq, të konjunkturës kontinentale dhe rajonale si dhe të politikës dhe veprimeve të gabuara të Enver Hoxhës, deri aty sa edhe “miku i madh i popullit shqiptar, Josif Visarianoviç Stalin”, deri më 1948, e njihte dhe llogariste Shqipërinë si Republikë të shtatë të Jugosllavisë, pjesa më e madhe e dëmshpërblimeve për ne si vend e si popull na u rrëmbye nëpër duar apo në gojë nga “vëllezërit jugosllavë” të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, kur ishim në varfëri të skajshme e kishim shumë nevojë. Shifrat e përafërta që do të nxjerr mund të ndihmojnë për t’u bindur se Enver Hoxha, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si dhe pasardhësit e tyre të sotëm, që i mbajnë si të padiskutueshme shifrat e Enverit të tyre, na kanë gënjyer dhe vazhdojnë të na gënjejnë trashë. Sipas Historisë së PPSH-së, të LANÇL dhe artikujve të publikuar në media, Ushtria Nacional Çlirimtare, deri më 29 Nëntor 1944, ka pasur gjithësejt 24 brigada. Sipas Prof.Asoc.Dr. Bernard Zotajt, padyshim një nga studjuesit më skrupulozë të LANÇL, një brigadë kishte rreth 4-5 batalione. Çdo batalion kishte rreth 120-200 luftëtarë. Sipas historikut të vetë brigadave del se Brigada e Parë Sulmuese në ditën e saj të krijimit më 15 gusht 1943 në Vithkuq, kishte 556 partizanë. Brigada e Dytë ka pasur rreth 400 vetë, Brigada e IV-t, 550 vetë, Brigada e V-të, 976 vetë, Brigada e VI-të, 912 partizanë, Brigada e VIII S, 915 vetë, Brigada e X-të, më 29 tetor 1944, kishte 1300 vetë,Brigada e XV S, 750 vetë, Brigada e XVIII S, më 18 gusht 1944, kishte rreth 600 partizanë, Brigada e XXII- S kishte rreth 1300 vetë, Brigada e XXV S, 705 vetë... Siç bëhet e qartë nga shifrat e dhëna më sipër mesatarja e përgjithshme e partizanëve të 24 brigadave është rreth 800 vetë. Megjithatë për tolerancë, konsensus dhe kompromis, duke llogaritur edhe partizanët e mëvonshëm apo të orëve të fundit, deri në ditën e çlirimit dhe pas saj, le ta marrim si shifrër mesatare 1.000 vetë. Pra, 25 brigadaX 1000 partizanë janë baraz me 25.000. “Partizanët e shifrave të fryra” mund të kundërshtojnë duke u kapur se në shifrën e përgjithshme duhen llogaritur edhe pjesëmarrësit në çetat territoriale dhe në njesite të tjera vullnetare. Për t’ua bërë qejfin këtyreve po e rris arbitrarisht shifrën, edhe me fëmijë dhe barinj, që bënë në raste të rralla korierin dhe morën më vonë dëshmitë e partizanit dhe të veteranit dhe përfitimet qesharake që jepeshin për këto, me 10.000 njerëz, duke e çuar në 35.000 vetë. Por, edhe me kaq na del lakuriq gënjeshtra e madhe për 70.000 partizanë. Dihet se kush e ka menduar dhe urdhëruar hiperbolizimin absurd, dy-trefishimin e luftëtarëve të UNÇL. Ai është Enver Hoxha, autori edhe i plot gënjeshtrave të tjera të trasha për vitet e jetës së tij në Francë dhe Belgjikë, për krijimin e PKSH-së, konferencën e Pezës, Marrëveshjen e Mukjes, Kongresin e Permetit, Konferencën e Labinotit, Pleniumin e Beratit, grupet antiparti apo puçiste, vetëvrasjen e Nako Spiros e të Mehmet Shehut dhe për plot sajime, shtrembërime dhe manipulime skandaloze, deri në ditën kur vdiq, më 11 prill 1985. Le të kalojmë tek shifra tjetër e diskutueshme, ajo e 28.000 dëshmorëve, domethënë e 1 dëshmori për 1 kilometër katror, e sajuar më shumë për metaforë. Me shumë gjasa, edhe kjo shifër është sajuar dhe propaganduar për të qenë sa më përshtypje-lënëse tek ata ndërkombëtarë, që vendosnin për shumat e dëmshpërblimeve, duke gënjyer veten se këta nuk kishin informacione të sakta edhe për luftën dhe kontributin tonë. Sipas historikëve të vetë brigradave dhe shkrimeve me rastet e përvjetorëve të krijimit të tyre, numrin më të madh të dëshmorëve e kanë pasur Brigada e parë, me 370 vetë, Brigada e V-të S 356 dëshmorë, Brigada e VI-S 203 vetë, Brigada e VIII S 148 vetë, Brigada e XXII S 107 vetë...Por ka pasur edhe brigada me fare pak dëshmorë. Kështu Brigada e XV S, e krijuar më 29 qershor 1944 ka pasur 54 dëshmorë, Brigada e XXIII S, e krijuar më 21 shtator 1944, ka pasur 26 të rënë nga rradhët e saj. Brigada të krijuara në tetor-nëntor 1944 kanë pasur edhe më pak dëshmorë, nga 10-20 vetë. Megjithatë, ashtu si për shifrën e tej fryrë të 70.000 partizanëve, për tolerancë, konsensus dhe kompromis po pranoj si mesatare të përgjithshme rreth 200 dëshmorë për çdo brigadë. Duke vazhduar llogarinë edhe me mend na del se nga 25 brigadat duhet të jenë rreth 5000 dëshmorë. Megjithatë, për t’ua bërë qejfin “partizanëve të shifrave të fryra apo të Enverit”, po shtojmë edhe 9000 dëshmorë e viktima të javëve, ditëve dhe orëve të fundit të luftës si dhe viktimat e masakrave ndëshkuese nën komandën e Mehmet Shehut, Shefqet Peçit, Bedri Spahiut ...ndaj banorëve të fshatrave me anim më masiv nga partitë nacionaliste, nga “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Kështu arrijmë tek shifra e përgjithshme e 14.000 dëshmorëve dhe viktimave. Sipas kësaj llogaritjeje me tolerancë të tepruar na del se Enveri, e ka dy-trefishuar shifrën e të rënëve gjatë LANÇL me kokën e vet, sipas vesit dhe interesit të tij. Logjikshëm, nga një njeri, si Enver Hoxha, që ka bërë mashtrime kaq të paturpshme për kaq shumë të vërteta, mund të pritet të mendohet se ai ka mashtruar edhe me vendosjen e 29 Nëntorit 1944 si ditën e çlirimit të Shqipërisë. Më shumë se dëshira për të mos pasur tri festa në një ditë( 28 Nëntor 1443, 28 Nëntor 1912) e për t’iu dhënë shqiptarëve mundësinë për t’u gëzuar edhe nga një festë tjetër, ka më shumë gjasa të ketë qenë përcaktuese devotshmëria deri në servilizëm, krime dhe tradhëti kombëtare e Enver Hoxhës ndaj “vëllezërve jugosllavë” dhe “Jugosllavisë motër”, qëllimi i tij për ta festuar këtë ngjarje në një ditë me ata. Me këtë dëshirë dhe qëllim ai injoroi edhe një traditë dhe praktikë të lashtë botërore, sipas të cilave, përgjithësisht, dita e çlirimit të një vendi vendoset dhe festohet ajo e çlirimit të kryeqytetit të tij. Është shprehës edhe fakti se Brigada e XXVII S u krijua në qytetin e Shkodrës më 29 nëntor 1944, me rreth 500 partizanë. Krijimi dhe parakalimi i qetë i kësaj brigade në këtë ditë lejon të mendohet se qyteti ishte i çliruar një ditë më parë dhe se më 29 nëntor nuk ekzistonte rreziku i ndonjë sulmi të befasishëm nga forcat gjermane. Megjithatë, duke qenë vend dhe popull i vogël, edhe me shifrat 2-3 fish më të pakta, shumë më afër atyre të vërteta, kemi plotësisht të drejtë dhe arësye të ndiehemi kontribues në fitoren e madhe të Koalicionit Antifashist Botëror në Luftën e Dytë Botërore. Është e padiskutimtë se kemi bollëk motivesh për të qenë krenarë dhe për të festuar, duke ndjerë dhe shprehur respekt e mirënjohje të sinqertë dhe të përhershme ndaj Luftës Nacional Çlirimtare të popullit tonë dhe ndaj të rënëve gjatë viteve të saj. Dëshmorët, heronjtë dhe viktimat, ranë shumica në lulen e rinisë, për liri, Shqipëri dhe Komb dhe jo për Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën, me shumë “vëllezër” dhe “armiq”, pseudonime, flamurë, fytyra, “maska”, sozi...Ne shqiptarët kemi të drejtë të festojmë edhe pavarësisht faktit se pas çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë ramë në një pushtim të ri, komunist, enverian, socialist, “rilindas”, me jo më pak viktima dhe gjëma në njerëz, në ekonomi, pasuri kombëtare, në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe jo më pak të ferrshëm, për 75 vjet. Fatkeqësisht, u bëmë dhe jemi viktima të një skenari monstruoz, për të mos shpëtuar nga thonjtë e “të majtës allashqiptare”.Më shqip e më troç: për të kaluar nga mbretërimi i gjyshërve dhe bababallarëve, xhaxhallarëve dhe dajallarëve anakronikë në mbretërimin prej bijve e bijave, nipërve dhe mbesave, nuseve dhe dhëndurëve të tyre ultramodernë...Ky fakt që nuk fshihet me flamurë, fasada, fishekzjarre, fjalime të flakta...na jep të drejtën e plotë të mendojmë se kemi 75 vjet që mashtrojmë veten se kemi fituar lirinë dhe demokracinë e vërtetë. 28 vjet se e shembën komunizmin dhe kaluam në demokraci, kapitalizëm, mirëqenie. Sot, pas 75 viteve të çlirimit nga pushtuesit fashistë dhe “nën udhëheqjen largpamëse të së majtës allashqiptare”, jemi rreth një të dhjetës së standartit të Zvicrës, që e ëndërronim aq shumë, shprehur edhe me ulërima masivisht zëngjirëse në demonstratat e fundvitit 1990 deri më 22 mars 1992. Nuk më mbetet tjetër veçse të vajtoj sa të preken dhe qajnë gurët e shkëmbinjve, por jo Zeusët tanë:” E pasura dhe e mjera, Shqipëri, sa shumë gjëma i bëre vetes duke i dashur dhe besuar më shumë se jetën tënde dhe Zotin partitë, kryetarët dhe përrallat e tyre”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat