Kanali Danub-Egje dhe loja e madhe gjeopolitike

Analiza

Kanali Danub-Egje dhe loja e madhe gjeopolitike

Nga: Prof. Dr. Albert Hitoaliaj Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 09:34
Prof. Dr. Albert Hitoaliaj

Një analizë gjeopolitike, e cila do të shfaqë vlerën e Luginës së Preshevës dhe konturet e Lojës së Madhe gjeopolitike në të cilën është i përfshirë rajoni ynë.

Pak ditë pas heqjes së lapidarit shqiptar të pjesëtarëve të UÇPMB në Luginën e Preshevës, mijëra kilometra larg, në Kinë, firmosej nga serbët një marrëveshje e cila kishte lidhje pikërisht më këtë Luginë. Mbase, pa ndonjë lidhje me lapidarin, por me Luginën po, kishte lidhje. Po ç’kishte ngjarë? “Ndërtimi i kanalit BeogradSelanik, i një rëndësie të shumëfishtë për Serbinë”, do të shkruhej në faqen zyrtare të qeverisë serbe. Po hidheshin hapa para për ndërtimin e një rruge-ujore me rëndësi të veçantë për Serbinë e më tej. Serbët po diskutonin me kinezët mbi rrugën-ujore, Danub-Egje. Në datën 25 janar 2013 ministri i Burimeve Natyrore, Minierave dhe Planifikimit Hapësinor, Milan Baçeviç, i cili ndodhej në një vizitë në Kinë, tha se Serbia nuk do të merrte hua për ndërtimin e kanalit Beograd-Selanik, por kur të vinte koha për ndërtimin e tij do të gjendej një model financimi. Në një deklaratë në Radion Ndërkombëtare Kineze, Baçeviç, theksoi se ky kanal është i një rëndësie të shumëfishtë për Serbinë, se Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, e ka përmendur këtë çështje gjatë takimit të tij me përfaqësues të Greqisë dhe të Republikës së Maqedonisë e se bisedimet zyrtare me këta dy vende do të nisin tashmë.

Projekti, i cili do të ketë një rëndësi kapitale për Serbinë, por gjithashtu edhe për Maqedoninë Veriore dhe Greqinë, do të ishte shumë i vlefshëm për vendet e Europës Qendrore dhe Perëndimore po ashtu, pasi Kanali do të lidhte lumin Morava me sistemin lundrues Rhine-Main-Danub, Oder-Vistula, Siene e Rhone, dhe në të njëjtën kohë do të mundësonte hyrjen në Detin Egje.3 Natyrisht që studimi nga pala kineze, ashtu siç deklarohet edhe nga qeveria serbe, i shërben ndërtimit të kanalit lundrues prej 655 km që do të lidhë Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë, nëpërmjet bashkimit të lumenjve Vardar e Morava të cilët do të ndërtonin një linjë lundrimi nga Danubi në Egje. Firmosja e këtij protokolli nuk është pritur pa entuziazëm nga qeveria serbe.

Pavarësisht rëndësisë që i jepet e që ka realisht, ky projekt nuk ka lindur tani, por është mbi një shekull i vjetër. Natyrisht, sot, aktorët në fushën gjeopolitike janë në raporte disi më të ndryshme se ato të viteve 1900. Projektet e mëdha ekonomike sot shikohen më shumë se kurrë nën dritën e skemave e formulave gjeopolitike. Para se të bëjmë një analizë të këtij projekti e të ndikimit gjeopolitik që mund të sjellë ndërtimi i tij jo vetëm në Ballkan, por në Europë e më gjerë (pasi ndryshimi i elementeve rajonale ndikon te skema globale), le të shohim se si zuri fill ky projekt. Historia mund të na shërbejë për të kuptuar më qartë zhvillimet, edhe për faktin se ka një shtet të cilin sot serbët nuk e përmendin kur flasin për ndërtimin e këtij projekti. Ky shtet është SH.B.A dhe ishin amerikanët që para një shekulli fituan të drejtën e ndërtimit të këtij kanali lundrues serbo-turk.

Po cili është vendi i amerikanëve në këtë projekt! Cili eshte rroli i tyre ne projekt!

Në pranverë të vitit 1909, propozimet për koncesione që të ndërtohej një rrugë-ujore, të bazuara në raporte inxhinierike, vëzhgime paraprake, punime dhe projekte me tabela vlerësuese, ashtu siç i ishin dhënë Princit Lazaroviç-Hrebelianoviç për kompaninë amerikane “American Engineering Company”, të siguruara nëpërmjet inxhinierit më të njohur serb, N. I. Stamenkovich, profesor i hidroteknikës në Universitetin e Beogradit, u vendosën përpara qeverisë serbe nga V. R. Savich (deri atë kohë shefi i një departamenti në Ministrinë e Jashtme serbe) i cili po vepronte për interesa të kompanisë amerikane. I njëjti propozim i ishte bërë edhe qeverisë turke. Ky projekt ishte ndërtimi i një rruge-ujore me gjatësi 382 milje, nga lumi Danub në portin e Selanikut, në Detin Egje, i lundrueshëm për anije me kapacitet transportues prej 1000 tonësh, dhe për këtë qëllim të përdorej lumi Morava, në Serbi dhe lumi Vardar, në Turqi, duke i lidhur ata me një kanal përmes pllajës ujëndarëse të Preshevës ku të dy lumenjtë dalin, e të përzihen kështu ujërat e krève të tyre. Që nga Presheva, Moravë, rrjedh thuajse pikërisht drejt veriut, në Danub, ndërsa Vardari merr një rrjedhë të drejtë thuajse drejt jugut, në Detin Egje. Kjo rrugë-ujore do të shtrihet nëpër luginën e madhe veri-jug, nga Danubi në Egje, e cila formon një prej veçorive më mbresëlënëse të gadishullit të Ballkanit dhe, nëpërmjet të cilës kalon hekurudha nga Beogradi në Dabub, në Selanik, duke ndjekur rrugën e vjetër të tregtisë.

Rruga-ujore serbo-turke e projektuar, kur të ndërtohet, do të kompletojë sistemin e madh të brendshëm (kontinental) të rrugëveujore të Europës qendrore: kanali Danub-Oder, kanali DanubMoldau-Elb dhe kanali Danub-Main-Rhine; do të kryejë kullimin e qendrave më të mëdha industriale të qendrës së Europës dhe do të shkurtojë rrugët ujore tregtare ndërmjet Kanalit të Suezit dhe porteve të Antwerp, Rotterdam, Bremen, Hamburg, Stettin, etj, për detet e Veriut e Baltikut nëpërmjet Gjibraltarit, me 1600 milje dhe nëpërmjet rrugëve-ujore, Danub, Deti i Zi dhe Stamboll, me thuajse gjysmën e gjatësisë së rrugës.

Për të pasur panoramën e plotë të zhvillimeve duhen zbardhur të gjithë dokumentet e kohës, pasi ky projekt e kapërcente Serbinë e madje edhe Turqinë (fillimisht u quajt projekt serb-turk pasi Selaniku ishte akoma në duart e turqve).

Marreveshja Amerikano-Ruse per ndertimin e kanalit.

Megjithatë, (sipas burimeve të kërkuesve shqiptarë publikuar së fundi) një emër tjetër i madh ishte në dijeni të këtij projekti. Ai ishte Presidenti i atehereshem amerikan Udrou Uillson, Guvernatori i dikurshëm i New Jersey dhe , që kishte lidhje gjithashtu edhe me kompaninë që fitoi koncesionin e ndërtimit të kanalit. Po sipas hulumtimeve nga publicistë shqiptarë, propozimi dhe skemat e realizimit teknik të projektit menjëherë i ishin dorëzuar administratës së Presidentit Uilliam Taft, dhe kështu edhe pse në fund të mandatit të saj kjo administratë vetëm dy muaj përpara se Uillson të inaugurohej President, kishte filluar bisedimet në Shën Peterburg me Carin rus për ndërtimin e përbashkët të kanalit ujor, që do të kalonte krejtësisht nëpër Luginën e Preshevës

Kështu, në 18 janar 1913, gazeta e njohur amerikane, New York Times, publikon raportin nga Vjena, 17 janar 1913, me titull "Në lidhje me kanalin Danub-Egje: Kapitalistët amerikanë dhe ata rusë kanë arritur marrëveshjen për ndërtimin e përbashkët të rrugës lundruese. Të rejat e ardhura nga këtu Shën Peterburgu tregojnë efektin pozitiv të bisedimeve ne mes kapitalistëve amerikanë dhe atyre rusë për fillimin e përbashkët të ndërtimit të kanalit ujor që do të lidhë lumin Danub me detin Egje. Kjo do të thotë një kanal ujor që do të lidhë lumin Morava dhe lumin Vardar në Serbi dhe Maqedoni"

Lugina e Presheves dhe loja e madhe gjeopolitike

Në këtë lojë të madhe gjeopolitike, kanali Danub-Egje që do fuqizojë pozitat e Serbisë, në mënyrë të tërthortë a të drejtpërdrejtë fuqizon nëpërmjet saj pozitat e Rusisë. Kjo sjell si nevojë një frenim e ekuilibër të brendshëm gjeopolitik në Ballkan.

. Kontrolli i Eurazisë, u bë ndërkohë një synim themelor i fuqisë kryesore detare, SHBA-së. Këtë synim, gjatë Luftës së Ftohtë e luftonte ish Bashkimi Sovjetik, ndërsa sot e shikon si kërcënim Rusia. Megjithatë, kontrolli i Eurazisë dhe shmangia e rënies së kësaj hapësire nën kontrollin e një fuqie apo grup fuqish në aleancë të përbashkët, mbetet orientim kryesor i politikës së jashtme amerikane.

Brenda skemës së madhe gjeopolitike për kontrollin e Eurazisë, nuk ka asnjë rajon të parëndësishëm. Brenda rajoneve ka vende të cilët për shkak të gjeografisë së tyre kanë pozicione kyç. Një pozicion të tillë ka Lugina e Preshevës, e populluar ndërkohë prej shqiptarëve. Ky është pozicion kyç për ndërtimin e kanalit DanubEgje dhe një korridor strategjik, që mundëson daljen e shpejtë nga Ballkani në Egje nëpërmjet luginave. U duk sikur u hoq veç një lapidar, por shekull pas shekulli planet janë po ato, dhe ajo që i ushqen është gjeopolitika.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat