Pse proteston Franca - Bota Sot
Pse proteston Franca

Analiza

Pse proteston Franca

Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 17:04
Pamje nga protesta

Reforma e pensioneve e dëshiruar nga Emmanuel Macron ka provokuar valën më të madhe e më popullore të grevave e viteve të fundit. Sipas sindikatave, Presidenti dëshiron të çmontojë shtetin social për të favorizuar financën

Në dhjetor, pak ditë pas nisjes së grevave kundër reformës së pensioneve të dëshiruar nga Emmanuel Macron, ka nisur të qarkullojnë zëra se Presidenti francez ishte takuar me Larry Fink, shefi i fondit amerikan të investimeve BlackRock. Është e vërtetë. Qysh kur është zgjedhur, Macron është takuar me Fink në shumë raste. Është e vërtetë edhe që BlackRock ka shfaqur një interes të qartë për politikën e qeverisë franceze lidhur me fondet e pensionit. Por lajmi ishte fals. Pavarësisht kësaj, në Francë rrjetet sociale janë çmendur. Në YouTube një video që tregonte pamjet e një takim i të mëparshëm midis Macron dhe Fink, e titulluar “Reforma e pensioneve është reforma BlackRock”, është bërë virale. Fondi, që është edhe aksioner kryesor në shumë shumëkombëshe franceze, në Francë konsiderohet mishërimi i kapitalizmit grabitqar, dhe vetë Macron, që ka punuar në një bankë investimesh, shikohet si flamurmbajtësi i financës së lartë.

Viti i Macron ka përfunduar ashtu siç kishte filluar: me një seri protestash kundër politikave sociale të tij. Manifestimet e jelekverdhëve, të provokuara nga rritja e çmimit të benzinës dhe i kostot së jetesës, kishin arritur kulmin në janarin e 2019. Respektivisht kësaj lëvizjeje populiste, por politikisht heterogjene, tani mobilizimi kundër Macron në në farë kuptimi duket më tradicional. E udhëhequr nga sindikatat, veçanërisht ato që përfaqësojnë punonjësit e hekurudhave shtetërore (SNCF) dhe të metrosë së Parisit, kjo valë e re protestash është një rebelim kundër reformës së pensioneve të propozuar nga Presidenti francez.

Në vitin 2018 këto sindikata nuk kishin arritur ta pengonin Macron që të abrogonte statutin special që, për shembull, u garantonte anëtarëve të tyre sigurinë e vendit të punës. Sot punonjësit e  hekurudhave kontestojnë një plan që synon të anullojë disa avantazhe që gëzojnë, si dalja në pension shumë vite përpara pjesës tjetër të punëtorëve. Në harkun e pak kohe, kategori të tjera – mësues, mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë spitalesh – bashkë me një numër të madh pensionistësh e studentësh, i janë bashkuar luftës së tyre. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, më 5 dhjetor, dita e parë e grevës, kanë marrë pjesë në manifestime në të gjithë Francën 806000 persona. Sipas Konfederatës së Përgjithshme të Punës (CGT), një sindikatë e majtë, kanë qenë 1 milion e gjysmë pjesëmarrës. Gjithsesi, ka qenë greva më e madhe prej një gjenerate. Nuk është hera e parë që një qeveri franceze provon të reformojë sistemin e pensioneve.

Në vitin 1995, kur president ishte Jacques Chirac, Kryeministri Alain Juppé kishte propozuar një rishikim të plotë të sistemit shëndetësor e të pensioneveme qëllim që të reduktonte deficitin. Pas 3 javë greva e manifestime, Juppé i është dashur të tërhiqet. Në vijim, edhe presidenti konservator Nicolas Sarkozy (në 2010) dhe ai socialist François Hollande (në 2013) kishin kërkuar ta reformonin sistemin. Por edhe ata kishin larë duart dhe masat që kanë paraqitur kanë qenë modeste. Qysh nga dita e parë, pa lënë të shkurajohej nga këta precedentë, Macron është impenjuar që t’ia arrijë aty ku kishin dështuar paraardhësit e tij.

Në Francë, sistemi shëndetësor dhe ai i pensioneve janë rregulluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe parimi kryesor ka qenë gjithmonë ai i “solidaritetit midis gjeneratave”. Edhe pse quhen “sigurim shëndetësor” dhe “sigurim pleqërie”, këto sisteme nuk janë ajo që normalisht nënkuptohet për sigurime dhe nuk menaxhohen tërësisht nga shteti. Administrohen nga përfaqësuesit e punëdhënësve e të punëtorëve dhe çdo gjeneratë kontribuon në financimin e pensioneve të asaj të mëparshme. Këto kontribute, si në pensionet, ashtu edhe në në shërbimet shëndetësore, dhe në përgjithësisht punëdhënësit e punëtorët paguajnë respektivisht një kuotë prej 55% dhe 45%. Ky model, i quajtur me rindarje, është ndryshe nga fondet e pensioneve private që punëtorët mund të nënshkruajnë. Ky sistem i dytë, i quajtur me kapitalizim, mund të japë dividendë më të mëdhenj, por është edhe më rriskuesi, dhe punëtorët nuk kanë kurrfarë kontrolli lidhur me atë sesi menaxhohen këto fonde pensioni. Kështu, frika e punëtorëve francezë është se mos Macron ka në mendje një të ardhme ku fondet e pensionit do të zëvendësojnë gradualisht ato të rindarë (siç ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara). Presidenti francez thotë se dëshiron të fusë një sistem “më të drejtë e më transparent” në vend të të vjetrit, që në 70 vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i ndërlikuar për shkak të shumë përjashtimeve nga norma. Për shembull, pensioni mujor i nëpunësve publikë bazohet mbi mesataren e 6 rrogave të fundit, ndërsa ajo e punëtorëve në sektorin privat llogaritet mbi një mesatare 25 vjeçare kur kanë marrë më shumë. Tashmë ekzistojnë 42 regjime “speciale”, të gjithë më avantazhues se ai “normal”.

Për shembull, 145000 punonjësit e hekurudhave kanë të drejtë të dalin në pension midis 52 dhe 67 vjeçëve. Macron do ta bënte ta barazonte moshën e tyre të pensionit me atë të punonjësve të tjerë, që aktualisht është 62 vjeç, por mund të rritet në 64. Në këtë rast disa punonjës të hekurudhave do të duhet të punojnë 10 vjet më shumë. Argumenti me të cilin justifikohet reforma është se kur është konceptuar sistemi, në fundin e viteve ’40, makinisti i një lokomotive që dilte në pension në moshën 50 vjeçare nuk pritej që të jetonte më shumë se nja 10 vjet më shumë. Por puna e makinistëve të trenëve aktualë me shpejtësi të lartë, edhe pse janë teknikë të specializuar, është shumë pak e lodhshme dhe mosha mestare e jetës së tyre i kalon 75 vjeçët.

I njëjti diskutim vlen për punëtorët e thuajse të gjithë sektorëve të industrisë. Përveç kësaj, jetëgjatësia mesatare dhe fakti që fillohet të punohet më vonë e kanë reduktuar raportin midis viteve të punës dhe atyre të pensionit. Me pak fjalë, ndryshimet sociale, teknologjike e shëndetësore po i bëjnë shumë prej marrëveshjeve të vjetra pensionistike, regjimet “speciale”, të papërshtatshme me situatën aktuale. Argumenti kryesor i Macron në favor të reformës së tij është nevoja për të eliminuar privilegjet e “padrejta” e disa kategorive të punëtorëve. Dhe teorikisht sistemi i ri që propozon, “plani universal i pensioneve”, bazohet mbi një pikaverazh të atribuar çdo ore pune dhe identik për të gjithë, duket se respekton parimet e drejtësisë e të transparencës.

Por punëdhënësit, përfshi edhe shtetin, kanë përfituar nga këto të ashtuquajtur privilegje për t’i mbajtur të ulëta rrogat, pasi avantazhet e pensionit konsideroheshin si kompensim. Për pasojë, rrogat e kategorive të tëra kanë ngecur në vend apo kanë humbur vlerë në terma realë. Kjo vlen veçanërisht për nëpunësit publikë, që janë përfituesit kryesorë e regjimeve “speciale”. Mjekët dhe infermierët francezë marrin më pak se pjesa më e madhe e kolegëve të tyre europianë dhe po i braktisin me mijëra spitalet publike. I njëjti diskutim vlen edhe për arsimin: në Francë një pedagog në fund të karrierës merr rreth 42800 euro bruto në vit, në Gjermani rreth 72400 euro. Natyrisht, projekti i Macron do të sjellë domosdoshmërisht një ulje të pensioneve për miliona punëtorë dhe avantazhet e humbura nuk do të kompensohen nga rroga më të larta.

Objektiva të fshehta

Pse po e bën? Sepse, çfarëdo që të thotë, Macron është një konservator fiskal: ajo që i intereson më shumë se gjithçka është të kuadrojë hesapet. Duke qenë se fondet e pensionit francez jannë tashmë në vështirësi, objektivi i vërtetë i reformës nuk është edhe aq menaxhimi në mënyrë më efikase pensionet, por të reduktojë kostot. Dhe strategjia e qeverisë që ta arrijë ta miratojë ka qenë përçarja e punëtorëve, duke u thënë atyre të sektorit privat se për të ruajtur pensionet e tyre ishte e nevojshme të abrogonte të gjitha privilegjet e atyre të sektorit publik. Siç ishte e parashikueshme, njerëzit e kanë kuptuar trukun dhe kjo shpjegon se pse çështja e pensioneve ka bërë të dalin në rrugë një numër i madh njerëzish, përfshi të rinjtë. Që zakonisht është vështirë të mobilizohen për probleme në dukje abstrakte dhe larg në të ardhmen. Sidomos infermierët dhe studentët e konsiderojnë këtë çështje si pjesë të erozionit të përgjithshëm të kushteve të punës e të rrogave dhe shumë prej tyre mendojnë se të vetmit që do të fitojnë do të jenë at që kanë mjetet për ta ruajtur nivelin e pensioneve të tyre duke i integruar me sigurime private.

Ndjesia se Macron është arogant dhe i papërvojë ka bërë të rriten dyshime se ka objektiva të fshehta. Në dhjetor, pas një jave grevash, ka ftuar kryeministrin Édouard Philippe të shpjegojë detajet e reformës në një seri intervistash. Ka qenë fiasko e vërtetë. Deri në atë moment sindikata më e moderuar, Konfederata Franceze Demokratike e Punës (CFDT), kishte qenë në favor të projektit të reformës dhe kishte ndërmend t’ia negocionte detajet me qeverinë, kështu që nuk kishte marrë pjesë në greva. Por pas ndërhyrjes së Philippe lideri i saj Laurent Berger ka njoftuar se, anipse në linjë parimore sindikata e tij ishte akoma në favor të idesë së një plani pensionesh të barabartë për të gjithë, tani anëtarësia e saj do të merrte pjesë në manifestime.

Qeveria i ka shtuar gabimit të saj fillestar në gjykim gabime të tjera, si ai i ofrimit të një pensioni minimal mujor prej 1000 eurosh sikur të ishte një lëshim. Por sindikatat kanë bërë hesapet dhe e kanë kuptuar se gjithsesi pjesa më e madhe e punëtorëve do ta arrinin këtë shifër brenda 3 vitesh nga pensionimi. “Na marrin për budallenj”, ka thënë një përfaqësues i tyre në televizion. Punëtoret po ia shtojnë zërin e tyre protestave, duke nënvizuar se gratë kanë më shumë probabilitet të kenë “një jetë pune të copëzuar”, për shkak të shtatzanësive, rritjes së fëmijëve dhe ndërprerjeve të karrierës. Kështu që do të jenë ato që do ta pësojnë më shume me sistemin me pikë, që e llogarit të drejtën e pensionit të një punëtori mbështetut në të gjithë jetën punuese të tij sesa mbi vitet me rrogën më të lartë. Kontradiktat e qeverisë kanë dalë menjëherë lakuriq.

Pak përpara ndërhyrjes së Philippe, 4 ekonomistë të njohur – Philippe Aghion, Antoine Bozio, Philippe Martin dhe Jean Pisani-Ferry – të gjithë mbështetës të Macron që e kanë ndihmuar të hartojë programin e tij dhe kanë marrë pjesë në debatet për futjen e sistemit universal të pensioneve – kishin lëshuar alarmin. “Për të realizuar në reformë kaq ambicioze shërben qartësi, por deri më tani nuk ka pasur”, kanë shkruar në “Le Monde” dhe kanë evidentuar 3 gabime: “konsideratat e bilancit” kanë pasur përparësi ndaj objektivave kryesore, që qenë “transparenca, siguria, besimi dhe barazia”; reforma ka krijuar mosbesim, pasi nuk ka përcaktuar rregulla të qarta që do ta ruanin vlerën e pensioneve “edhe në periudha reçisioni”; kufizimi për ta “shtyrë hyrjen në fuqi të normave të reja” ishte i kotë duke qenë se për të fituar konsensusin popullor, reforma duhej të konsiderohej “e drejta nga pikëpamja sociale dhe efikase nga ajo ekonomike”. Por Macron nuk i ka dhënë asnjë përgjigje, duke vazhduar të luhatej midis refuzimit për dialog dhe sinjaleve të mjegullta paqëtuese.

Lëshimi i vetëm domethënës nga ana e Philippe ka qenë njoftimi se hyrja në fuqi e sistemit universal, e parashikuar për vitin 2025, do të shtyhej për 2037. Qëllimi ishte i qartë: ata që janë më shumë se 44 vjeç nuk duhet ta vrasin mendijen, do të jetë një problem për fëmijët e tyre. Nuk është për t’u habitur nëse manifestuesit janë të bindur se objektivi i vërtetë i qeverisë është çmontimi i shtetit social dhe nuk është për t’u habitur nëse Macron nuk arrin të çlirohet nga nofka “Presidenti i të pasurve”. Sipas Institutit Francez të Statistikës dhe të Studimeve Ekonomike (INSEE), në vitin 2018 pabarazia në Francë ka pësuar rritjen më të madhe nga viti 2010. Më shumë se 1 francez në 7 të tillë jeton nën pragun e varfërisë. Reduktimi i tatimit mbi të ardhurat nga investimi i dhënë nga Macron qytetarëve më të pasur nuk u ka sjellë avantazhe të gjithë shoqërisë si kishte premtuar.

Ka qenë pikërisht për të shmangur që reforma e pensioneve të shihej si një mënyrë për t’i hapur rrugën sigurimeve private që konsulentët e tij të mëparshëm ekonomikë e kishin këshilluar ta ndante rcionalizimin e sistemit të pensioneve nga nevoja e rishëndoshjes së bilancit publik. Refuzimi i Presidentit është dukur konfirmimi i frikërave më të këqija të manifestuesve. Pas një muaji e gjysmë grevash – periudha më e gjatë e protestave e punëtorëve në historinë franceze – Macron nuk është mundur akoma. Edhe pse sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e francezëve është me manifestuesit, kundërshtarët e reformës nuk arrijnë të propozojnë një alternativë.

Ekonomisti i majtë Thomas Piketty ka sugjeruar të bëhet “gjithçka e mundur tpër të garantuar dhe rritur pensionet më të ulëta (nga 1 në 3 herë rroga minimale), edhe pse kjo nënkupton të paguhet një çmim më i madh atij që ka një rrogë shumë të lartë dhe një pasuri”. Grupi i économistes atterrés, ekonomistëve të tmerruar, e konteston tezën e macronistëve sipas të cilës ka vetëm 3 mënyra për ta mbyllur vrimën e pensioneve: rritja e numrit të vitit të kontributeve, reduktimi i pensioneve apo një kombinim ë të dyjave. Në fakt janë masa për të ruajtur parimin batë e solidaritetit midis gjeneratave dhe etikën kolektiviste e rishpërndarëse që është në themelin e saj dhe që reforma e Macron do ta prishte.

Por lëvizja progresiste ka vështirësi ta spostojë fokusin e debatit. Jo vetëm sindikatat janë diskredituar gjithnjë e më shumë (sidomos CGT-ja, që për një kohë të gjatë është asociiuar me Partinë Komuniste dhe e ka humbur hegjemoninë e saj), por e majta përgjithësisht nuk arrin të propozojë një alternativë të besueshme ndaj sistemit ekonomik mbizotërues dhe duket si “partia e jo-së”, pa një plan veprimi. Franca nuk është e vetme. Nga Kili në Irak, nga Libani në Algjeri, nga Ekuadori në Sudan, viti 2019 është shënuar nga një seri revoltash popullore që në një farë mënyre kanë shprehur refuzimin e një rendi ekonomik global gjithnjë e më i largët nga nevojat e njerëzve dhe i bazuar gjithnjë e më shumë mbi pasigurinë. Të gjitha këto revolta kanë të përbashkët edhe refuzimin e politikës, që në vend të jetë garanci e drejtësisë sociale duket mishërimi i neglizhencës dhe i korrupsionit.

Pas ditëve greva, në Francë është arritur në një zbulim të papritur: Jean-Paul Delevoye, komisari i ngarkuar nga Macron për të prpunuar reformën e pensioneve, kishte “harruar” të dorëhiqej nga 13 poste të tjera, shumë prej ë cilave ishin me rrogë (për një total prej 120000 eurosh në vit) dhe një ishte me një kompani sigurimesh. Një konflikt i qartë interesi. Delevoye, një politikan me përvojë që ka qenë kryebashkiak, deputet në Asamblenë Kombëtare, senator dhe ministër, ka deklaruar se vepronte në mirëbesim në shkeljen e rregullave, një shpjegim që askush nuk i ka besuar. “Këta njerëz besojnë se janë mbi ligjin”, kanë menduar të gjithë. Dhe kështu gjykohet klasa politike në tërësi.

Fillimisht qeveria ka kërkuar ta shpëtojë, por një javë më vonë Delevoye është detyruar të dorëhiqet. Ndodhia ka rezultuar katastrofike për qeverinë. Zvjerdhja e përgjithshme ndaj politikës shkon nga e majta tek e djathta dhe në Francë, ashtu si në pjesën tjetër të Europës, socialdemokracia gradualisht po shpërbëhet. Rendi i vjetër politik është gjithnjë e më pak në gjendje ta mbrojë shtetin social nga ekspansioni i pakontrolluar i kapitalizmit financiar, që nuk i lë hapësirë rishpërndarjes së pasurisë. Më keq akoma, vetë socialdemokracia është përgjegjëse, pasi pë një shekull, nga epoka e Bismarck në vitet ’70 të ‘900, ka bashkëpunuar me kapitalizmin industrial dhe nxjerrë avantazhe politike nga ky bashkëpunim.

Midis Thatcher dhe De Gaulle

Por kapitalizmi financiar i globalizuar i sotëm u lë pak hapësirë qveerive për të negociiuar me sindikatat tradicionale dhe nuk u lë shumë hapësirë as partive reformiste të qendrës së majtë. Ky është motivi i shpërbërjes progresive i paktit të vjetër socialdemokrat, që tashmë nuk ka asgjë për t’u ofruar punëtorëve. Armiqësia e pjesës më të madhe të punëtorëve ndaj reformës së pensioneve nuk ka as zëdhënës, as përfaqësues në sistemin politik. Kjo e majtë në shpërbërje është e paaftë të propozojë një alternativë të besueshme ndaj propozimeve të Macron. Qytetarët po rebelohen kundër predominimit brutal të kapitalizmit financiar, por gjenden pas asnjë parti. Vetë Macron duket se pranon këtë analizë: nuk shikon asnjë opozitë përveç protestave të rrugëve. Kur e ka kuptuar se do të vazhdonin, ka zgjedhur strategjinë e pourrissement, domethënë të lejonte që gjërat të degjeneronin.

Më 23 dhjetor, teksa akuzonte grevistët se po ua shkatërronin Krishtlindjet të gjithëve, papritmas qeveria ka njoftuar se do t’i rifillonte traktativat me sindikatat, por vetëm dy javë më pas, më 7 janar. Më pas ka ofruar përjashtimin nga sistemi universal i pensioneve për kategoritë specifike: ushtarakët, policët e zjarrikfësit, pilotët dhe punonjësit e linjave ajrore kombëtare, peshkatarët, kaionistëve, balerinëve të Operas së Parisit e të tjera. Praktikisht ka rifutur “regjimet speciale” që donte të abrogonte, por ka mbetur e përqëndruar mbi objektivin kryesor të reformës: reduktimin e deficitit.

Më 11 janar Philippe ka njoftuar një lëshim të madh. Ka bërë prapakthehu lidhur me rritjen e moshës së daljes në pension në 64 vjeç, por për të gjetur 12 miliard eurot që i nevojiten për të rregulluar llogaritë ka thënë se gradualisht do të donte ta çonte në 62. Deri e moderuara CFDT e ka kundërshtuar. Philippe u ka dhënë sindikatave dhe punëdhënësve 4 muaj për të gjetur një alternativë, por ka përjashtuar një rritje të kontributeve pensionistike, të cilën punëdhënësit e kundrështojnë. Nëqoftëse nuk do të arrihet një marrëveshje, qeveria do ta votojë propzimin fillestar në Parlament (që tashmë ka nisur ta shqyrtojë). Me fjalë të tjera, nëqoftëse nuk rriten vitet e punës dhe kontributet, do të ketë vetëm një alternativë: ulja e pensioneve.

Natyrisht, kjo është e papranuehsme për sindikatat. Përjashto CFDT-në, të gjitha e kanë quajtur “mashtrim” këtë propozim, por ministrat e Macron kanë nisur të thonë se, falë këtij lëshimi, “nuk ka më motiv për të bërë greva”. Ndërsa sondazhet demonstrojnë se shumë francezë janë kundër reformës, grevat dalëngadalë po zvogëlohen. Pjesëmarrësit e kanë humbur tashmë më shumë se 1 muaj rrogë dhe Macron duket i bindur se ky është “momenti Thatcher” i tij, versioni francez i grevës së minatorëve britanikë i 1984 – 1985, kur Iron Lady refuzoi të bëjë traktativave për të ndaluar protestat kundër mbylljes së minierave.

Ashtu si për Margaret Thatcher 35 vite më parë, edhe sot për Macron posti në lojë është shumë i lartë: shkon shumë përtej nevojës së reduktimit të deficitit të pensioneve. Është i bindur se kjo betejë është themelore. Dhe sindikatat janë dakord. Kur është zgjedhur, shprehja e tij e preferuar ishte “njëkohësisht”: një goditje të majtës dhe “njëkohësisht” një goditje të djathtës. Këto ditë duket se kanë mbaruar, pikërisht pse pakti i vjtër socialdemokrat po shkërmoqet. Macron dëshiron ta çojë Francën në epokën e kapitalizmit financiar. Nuk kërkon më të ruajë një pozicion centrist, kërkon ta bashkojë të djathtën rreth vetes. Reforma e psnioneve synon që të realizojë atë që e djathta konservatore franceze po kërkon ta bëjë pa sukses prej 20 vitesh. E djathta është dobësuar, por shumë më pak se qendra e majtë.

Kjo shpjegon strategjinë e Macron. Presidenti Charles De Gaulle thoshte: “Midis meje dhe komunistëve nuk ka asgjë”. Donte të thoshte se derikur kundërshtari i tij i vetëm do të ishte Partia Komuniste do të qëndronte në pushtet. Macron mendon se socialdemokracia nuk është më një kërcënim për të, kështu që nëse arrin ta çojë nga ana e tij shumicën e votuesve konservatorë dhe të qendrës së djathtë, golistët dhe sarkozistët, nuk do të ketë më asgjë midis tij dhe Marine Le Pen. Derikur e djathta populiste do të jetë kundërshtari i vetëm i tij, do të fitojë gjithmonë. Një lojë shumë e rrezikshme. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat