E famshmja kurbë e koronavirusit! Çfarë është dhe pse ka rëndësi - Bota Sot
E famshmja kurbë e koronavirusit! Çfarë është dhe pse ka rëndësi

Analiza

E famshmja kurbë e koronavirusit! Çfarë është dhe pse ka rëndësi

Më: 20 mars 2020 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

OBSH ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë e “rrafshimit të kurbës” në mënyrë që të përballemi me shpërthimin e koronavirusit, duke u bërë thirrje vendeve në të gjithë botën të vendosin masa gjithëpërfshirëse të shëndetit publik.

Që kur u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019, koronavirusi është përhapur në më shumë se 150 vende.

Përhapja është njohur si një pandemi nga OBSH, duke bërë që shumë vende të vendosin të ashtuquajturat masa bllokimi në mënyrë që të frenojnë përhapjen.

“OBSH vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha vendeve të zbatojnë një qasje gjithëpërfshirëse, me qëllim të ngadalësimit të transmetimit dhe rrafshimit të kurbës,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për mediat të Mërkurën.

“Kjo qasje është duke kursyer jetë dhe duke blerë kohë për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve mjekësore”.

Çfarë është rrafshimi i kurbës?

Në epidemiologji, kurba i referohet numrit të parashikuar të rasteve të reja gjatë një periudhe kohe.

Në kontrast me një rritje të pjerrët të infeksioneve të koronavirusit, një rritje më graduale e rasteve do të shohë të njëjtin numër njerëzish të infektohen, por pa e mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor në çdo kohë.

Ideja e rrafshimit të kurbës është që të shtrijmë numrin e rasteve të reja gjatë një periudhe më të gjatë, në mënyrë që njerëzit të kenë qasje më të mirë në kujdes shëndetësor.

Kjo shpjegon pse kaq shumë vende po zbatojnë masa drakoniane, të tilla si udhëzime për distancimin shoqëror, urdhëra për mos dalje nga shtëpitë, masa kufizuese të udhëtimit dhe u kërkojnë qytetarëve të punojnë ose të ndjekin shkollimin nga shtëpia.

“Qëllimi i gjithçkaje për momentin duhet të jetë të shkurtohet transmetimi dhe të frenohet virusi sa më mirë që të jetë e mundur, sepse sistemet shëndetësore në nivel global nuk mund të përballojnë një fluks të shpejtë ose të fortë të shumë rasteve në një moment të caktuar”, deklaroi zëdhënësi i OBSH-së Christian për CNBC.

“Prandaj, ne duhet të ngadalësojmë kurbën dhe të ngadalësojmë përhapjen dhe të përpiqemi ta shtrijmë atë në kohë, sa më mirë që të jetë e mundur, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mund të përballojë dhe të japim gjithashtu kohë për prodhimin e pajisjeve mjekësore jetike”, shtoi ai.

Si mund të rrafshohet kurba?

Duke qenë se nuk ka vaksinë të disponueshme për koronavirusin aktualisht dhe testimi mbetet relativisht i kufizuar në shumë vende, OBSH ka theksuar nevojën që qytetarët të ndërmarrin veprime kolektive.

Agjensia e Shëndetit të Kombeve të Bashkuara u ka kërkuar njerëzve në mbarë botën që të lajnë duart rregullisht, të mos prekin sytë, hundën dhe gojën, të zbatojnë distancimin shoqëror, të praktikojnë higjenën e frymëmarrjes dhe të kërkojnë kujdes mjekësor nëse kanë ethe, kollë apo ndonjë vështirësi në frymëmarrje.

“Një gjë që është duke ndërprerë transmetimin është testimi, testimi (dhe) testimi i çdo pacienti të vetëm dhe ndjekja e tyre,” tha Lindmeier, para se të shtonte se çdo rast i vetëm i dyshuar gjithashtu duhet të testohet.

“Tjetra është masa të ndryshme politike, siç janë distancimi shoqëror ose karantinat.”

“Shumë më mirë të jesh përpara kurbës, sesa pas saj”

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Donald Trump u bëri thirrje amerikanëve të shmangin udhëtimet, grumbullimet në hapësira publike dhe të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur.

Udhëzimet, të cilat do të mbeten në fuqi deri në fund të muajit, u vendosën në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Nëse të gjithë e bëjnë këtë ndryshim ose këto ndryshime kritike dhe sakrifica tani, ne do të bëhemi bashkë si një komb dhe do ta mposhtim virusin,” tha Trump gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne do të ishim shumë më përpara kurbës, dhe jo prapa saj”, shtoi ai. / Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat