Mos harroni të shikoni ata që ndihmojnë, në këtë kohë të vështirë - Bota Sot
Mos harroni të shikoni ata që ndihmojnë, në këtë kohë të vështirë

Analiza

Mos harroni të shikoni ata që ndihmojnë, në këtë kohë të vështirë

Nga: Viv Groskop Më: 27 mars 2020 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Në një klimë ku ka shumë arsye për të ndjerë zymtësi, ekziston një frazë që funksionon si një kujtesë e shkëlqyer e anës së mirë të natyrës sonë njerëzore: “Shikoni ndihmuesit”.

Po, gjërat janë të vështira. Po, më e keqja mund të mos ketë ardhur ende. Por shikoni të gjithë njerëzit që janë duke bërë mirë. Shikoni të gjithë ata që vënë të tjerët në plan të parë. Shikoni ata që janë në vijën e parë në këtë krizë globale të shëndetit publik, puna e të cilëve na përunj të gjithëve: profesionistët e shëndetit, stafi i supermarketeve, shkencëtarët, prodhuesit e letrës higjienike.

Tradicionalisht, “shikoni ata që ndihmojnë ” është ajo që psikologët këshillojnë prindërit t’u thonë fëmijëve të tyre, në rast katastrofe. T’u kujtojnë atyre se gjithmonë ekziston një front rezistence. Gjithmonë ka mjekë dhe infermierë dhe udhëheqës, që janë këtu për të na mbështetur dhe bërë gjënë e duhur. Ne nuk jemi në anarki të plotë. Kjo është një këshillë e shëndoshë. Por, në këtë kohë, jemi ne të rriturit që mund të duhet të fillojmë të bëhemi krijues, se cilët duhet të shohim si ndihmuesit tanë.

Kush janë njerëzit që po tregojnë udhëheqje të mirë në këtë krizë? Dhe si ndryshon stili i tyre i komunikimit, nga ata që nuk po tregojnë udhëheqësi? Si mund të jemi në një gjatësi vale me udhëheqësit më produktivë dhe më të efektshëm dhe të mësojmë prej tyre? Fatkeqësisht, ka shumë “udhëheqësi” me të cilat duhet të bashkohemi në një gjatësi vale për momentin, disa prej tyre të zgjedhura, disa prej tyre të vetë-emëruara në mediat sociale.

Eshtë thelbësore të shtrojmë këto pyetje jo vetëm sepse nëse mund të identifikojmë këtë lloj udhëheqjeje, atëherë mund të ndihmojmë që të përhapet. Por edhe sepse nëse mund t’i kujtojmë vetes ekzistencën e këtyre njerëzve, ne automatikisht ndihemi të siguruar dhe më të aftë për të përballuar vështirësitë.

Ndërsa disa udhëheqës kanë përdorur platforma kombëtare për të nxjerrë informacione konfuze dhe kontradiktore, të tjerët në heshtje kanë shkuar përtej vetes së tyre. Shikoni Erna Solberg, kryeministre e Norvegjisë dhe Mette Frederiksen, kryeministri i Danimarkës, që të dy kanë mbajtur konferenca për shtyp kushtuar vetëm pyetjeve të fëmijëve (“A mund të kem akoma një ditëlindje?”; “A keni frikë se mos sëmureni?”)

Shikoni zyrtaren e Shëndetësisë së provincës British Columbia të Kanadasë, Bonnie Henry. Pohimet e saj mbi koronavirusin – dhe lotët që derdhi teksa i thoshte – kanë fituar respektin e mijëra fansave në rrjetet sociale. Dr Henry është një rast veçanërisht interesant. Ajo ka folur aq butë sa duhet të përpiqesh fort që ta dëgjosh (një veprim i cili është, në vetvete, çuditërisht qetësues). Kur ajo po jepte lajme për një shpërthim në një shtëpi të kujdesit për të moshuarit, u ndal dhe nisi të qajë. Kjo lloj shfaqjeje e emocioneve është e pazakontë për një figurë publike dhe rrallë shihet ose vlerësohet. Por për momentin, ndjehet si përgjigja e duhur dhe i ka fituar duartrokitjet e saj. Eshtë e qartë se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga udhëheqësit që bërtasin, pa komunikuar asgjë.

Mund të jetë tunduese të perceptosh një element gjinor në këtë. A janë gratë udhëheqëse më të mira në kohë krize? Vetëm sipërfaqësisht. Empatia nuk është karakteristikë vetëm e grave dhe as tendenca për të gabuar në kohë presioni,  nuk është një tipar mashkullor. Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde u desh të kërkonte falje javën e kaluar për komunikimin e saj të ashpër mbi strategjinë e re të politikës monetare të bankës, pasi ajo çoi në rënien më të madhe një-ditore të bonove të qeverisë italiane, në një dekadë. Dhe askush nuk dukej më i qetë këtë javë se sa Leo Varadkar në Irlandë, në fjalimin e tij para kombit me temë “qetësia para stuhisë”.

Por një gjë është e qartë: udhëheqja tradicionale “alfa” nuk po rezulton shumë e dobishme në këtë krizë. Ata që përpiqen të projektojnë autoritet nga lart poshtë dhe shfaqen si të gjithëditur në një situatë, ku vetëm siguri nuk ka, sigurisht që nuk janë njerëzit të cilëve mund t’u besojmë në këtë moment.

Ata që munden të shprehin kombinimin e vështirë mes dhembshurisë, udhëzimeve të qarta dhe pasigurisë, pa shfaqur frikë? Këta janë ndihmuesit që na nevojiten.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat