“Ekonomia e luftës”: Ndaj koronavirusit mund t’ia dalim vetëm bashkë

Analiza

“Ekonomia e luftës”: Ndaj koronavirusit mund t’ia dalim vetëm bashkë

Nga: Nicholas Mulder Më: 28 mars 2020 Në ora: 13:35
Foto ilustrim

A është bota në luftë me koronavirusin? Muajin e kaluar, Xi Jinping e quajti përpjekjen e vendit të tij ndaj virusit një “luftë të popullit”. Javën e shkuar, Donald Trump e etiketoi veten një “president të kohës së luftës”, ndërsa Emanuel Makron, tha se Franca është “në luftë” me COVID-19.

Në Itali, vendi më i prekur nga Evropa, kryminitri ka bërë thirrje që vendi të “pajiset me një ekonomi të luftës” për t’u përballur me këtë sëmundje. Gjatë krizës globale financiare të vitit 2008, politikëbërësit u dashuruan me një gjuhë luftarake, për të përshkruar përpjekjet e tyre të stabilizimit, duke përdorur termat “bazukat e mëdha” apo “shok dhe frikë”.

Qeveritë duhet të menaxhojnë sot një emergjencë shëndetësore, në një kohë kur bankat qendrore po veprojnë për të qetësuar tregjet financiare. Por termi “luftë” nuk është qasja e duhur për t’u përballur me një pandemi globale. Është koha që qeveritë perëndimore të heqin dorë nga retorika e kohës së luftës.

Kjo pasi historia e ekonomive të luftës të shekullit të XX-të, na jep disa leksione të rëndësishme, të cilat politikëbërësit e sotëm duhet t’i kenë parasysh në reagimin e tyre ndaj krizës aktuale. Fushata jonë kundër koronavirusit, më kujton emergjencat e kohës së luftës, kur duhej zgjeruar prodhimi dhe kujdesi shëndetësor.

Ndërsa rastet me COVID-19 i tejkalojnë njësitë e kujdesit intensiv në të gjithë botën, ne kemi nevojë për më shumë tamponë për testet, shtretër spitalorë, respiratorë, maska ​​dhe veshje mbrojtëse. Prodhimi i ekomonisë së luftës, konceptohet shpesh si sipërmarrje kombëtare.

Por shumica e ekonomive të luftës në shekullin XX-të ishin thellësisht ndërkombëtare në linjat e tyre të furnizimit. Ndaj edhe mobilizimi mjekësor kundër COVID-19, duhet të jetë po ashtu, global. Aktualisht SHBA-ja ka rreth 173.000 respiratorë. Në një periudhë afatshkurtër, vetëm rritja e nevojave amerikane, do të tejkalojë të gjithë prodhimin vjetor global të 40-50 mijë pajisjeve të tilla.

Por mungesa e tyre, nuk mund të zgjidhet brenda kufijve kombëtarë. Azia Lindore, ku virusi është nën një kontroll relativ, është vendi ku respiratorët mund të prodhohen në një shkallë serioze. Ashtu siç Lend-Lease dhe Ura Ajrore e Berlinit, siguruan materiale luftarake të prodhuara nga SHBA-ja për pjesën tjetër të botës në vitet 1940, edhe sot realitetet e bazës globale të prodhimit, sugjerojnë se për të pasur një përballim të sukseshëm të pandemisë në Perëndim, që do të duhen avionë të mëdhenj të mbushur me respiratorë dhe pjesë këmbimi nga Kina.

Por përtej trajtimit të menjëhershëm të atyre që janë infektuar nga koronavirusi, qeveritë perëndimore kanë mbyllur thuajse në mënyrë universale aktivitetet prodhuse, në vend të se rrisnin prodhimin. Dhe siç theksoi një analist financiar, “ekonomia e karantinës”, është në shumë mënyra e kundërta e ekonomisë së mobilizimit total të kohës së luftës.

Gjatë dy luftërave botërore, mobilizimi ekonomik regjistroi në mënyrë të pashembullt

miliona meshkuj dhe femra në sektorin e prodhimit masiv. Ndërkohë sot prishja e zinxhirëve të furnizimit nga virusi, si dhe masat e distancimit shoqëror, kanë lënë aktualisht pa punë miliona punonjës në sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve.

Megjithë natyrën indiviuale të jetës nën karantinë, është e qartë se koronavirusi i ngjan luftës në një aspekt thelbësor:si një virus shumë infektiv, dhe me një shkallë të madhe të vdekshmërisë, ai ka potencialin të shkaktojë më shumë vdekje në një shkallë të paparë në shoqëritë evropiane që nga vitet 1940 .

Dhe përballja me këtë realitet është politikisht e vështirë, por gjithsesi pashmangshme. Kryeministri italian Xhuzepe Konte, u ka kërkuar bashkatdhetarëve të tij të bëjnë “60 milionë sakrifica të vogla të mëdha”. Edhe ata që me të drejtë e shmangnin gjuhën e luftës, siç është kancelarja gjermane Angela Merkel, e pranojnë se koronavirusi kërkon një nivel të veprimit kolektiv, që nuk është parë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Përtej të sëmurëve, të plagosurve dhe të vdekurve, ekonomitë e luftës bazohen edhe në sakrifica të tjera. Në kushtet e kapitalizmit, ekonomia e luftës shtron pyetjen se sa nga burime janë të gatshme të heqin dorë shoqëritë për të mbrojtur veten e tyre. Fuqia ushtarake dhe kujdesi shëndetësor, hyjnë në kategorinë e shpenzimeve që janë në thelb mbrojtëse, sesa prodhuese në natyrën e tyre.

Në ekonominë e luftës të fillimshekullit XX-të, dilema kryesore ishte zakonisht një zgjedhje midis prioritetit të mbrojtjes apo prodhimit civil:armë apo gjalpë. Në një periudhë afatshkurtër, kërkesat për parandalimin e sëmundjes (masa e karantinës) dhe kujdesi shëndetësor (shtrimi në spital), do të vënë në rrezik jetesën e atyre që varen nga format e tjera të prodhimit kapitalist.

Vetëm ndërhyrja masive e qeverisë për të mbrojtur kanalet e qarkullimit ekonomik, mund ta zgjidhë këtë tension, në një mënyrë që të mos sakrifikojë të parën për këtë të fundit. Ne mund ta quajmë këtë dilemë “respiratorë ose gjalpë”.

Ndërkohë, ekonomitë e luftës mund të jenë inkubatorë të fuqishëm të ndryshimeve politike.

Në rastin e shtetit të mirëqenies evropiane, frytet e vërteta të menaxhimit të krizave të luftës, u korrën vetëm pas përfundimit të konfliktit. Në Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, ishin ndihmat për “viktimat e luftës”, ato që hodhën themelet për pensionet e mëvonshme universale dhe kujdesin për fëmijët.

Nëse masat e reagimit ndaj emergjencës së COVID-19, zgjerohen për të përfshirë një grup mjaft të madh njerëzish- për shembull miliona punonjës të administratës të larguar nga puna – kjo gjithashtu mund të krijojë një grupim të ri gjysmë të organizuar me një rol të ardhshëm politik.

Në fillim të shekullit XX-të, prodhimi i luftës i bëri sindikatat më të fuqishme në Britani, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.

Por në këtë aspekt, karantinat e koronavirusit nuk paraqesin sot ndonjë rrezik, pasi ekonomitë perëndimore e kanë kufizuar ndjesdhëm rolin e sindikatave. Ndërkohë, vetëm masat ekonomike dhe financiare nuk janë të mjaftueshme, pasi duhen ndërhyrje të mëdha në strehim dhe shërbime

Padyshim që SHBA dhe BE, zotërojnë mjete materiale dhe financiare, për të kapërcyer krizën e koronavirusit, dhe dëmet sociale dhe ekonomik të shkaktuara prej tij. Për më tepër, ndonëse numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë i lartë, ne e dimë se pandemia një ditë do të zhduket.

Por përtej zgjidhjes së krizës COVID-19, na afrohet një problem tjetër:ndryshimi i klimës. Efektet globale të koronavirusit, që ka ulur për momentin emetimet e karbonit në atmosferë, dhe shpëtuar shumë jetë duke e reduktuar ndotjen e ajrit, përbëjnë një shans për një kthesë historike drejt politikës së gjelbër së mbarë botën.

Shkathtësia e ekonomive të kohës së luftës, na ofron një model të dobishëm për të menduar mbi një kontekst më të gjerë të krizës së koronavirusit. Pavarësisht thirrjeve për rikthim në normalitet, është e vështirë të imagjinohet që ekonomia botërore pas pandemisë, sido që të duket ajo, të jetë një lloj restaurimi i asaj që ishte deri disa javë më parë.

Ekonomitë e luftës të shekullit XX-të, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lejimin e lulëzimit të ekonomive të paqes që i pasuan ato. Tani është thelbësore që të ndjekim leksionet e tyre të solidaritetit dhe inovacionit, teksa koronavirusi përballet me ekonominë botërore të shekullit XXI-të me një lloj të ri qasjeje luftarake.

Shënim: Nicholas Mulder, është një historian politik dhe ekonomik, lektor në Universitetin Cornell. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat