Cili duhet të jetë prioriteti i qeverive, gjatë periudhës së distancimit social?

Analiza

Cili duhet të jetë prioriteti i qeverive, gjatë periudhës së distancimit social?

Nga: Michael Spence Më: 3 prill 2020 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Koronavirusi ka zënë për fyti ekonominë globale. Si shumë miq dhe kolegë në Kinë, edhe unë, jemi mbyllur, së bashku me pjesën tjetër të Italisë. Shumë nga bashkëqytetarët e mi në Shtetet e Bashkuara janë tani në të njëjtën situatë; të tjerët në mbarë botën do të ndjekin këtë rrugë, mjaft shpejt.

Për shkak se virusi me sa duket mund të transmetohet nga njerëzit pa simptoma, ai është përhapur gjerësisht, edhe pa u vënë ree prej autoriteteve të shëndetit publik. Për të parandaluar mbingarkimin e sistemeve shëndetësore, masat agresive të distancimit social dhe të izolimit janë zbatuar dhe pranuar gjerësisht nga publiku. Nëse ato do të ngadalësojnë shkallën e transmetimit dhe do të kufizojnë numrin e rasteve kritike në Perëndim, kjo mbetet për t’u parë.

Provat se epidemia është kufizuar apo madje edhe frenuar në Kinë dhe disa ekonomi të tjera aziatike, janë premtuese. Megjithatë, këto vende nuk mbështeteshin vetëm në distancimin social, por edhe në një grup të gjerë mjetesh që nuk janë zbatuar në Evropë dhe SHBA: testime të përhapura, gjurmime të kontakteve, izolime të detyruara, etj.

Sidoqoftë, masat për të zbutur pandeminë kanë prodhuar kudo, një ndalesë të papritur për një tërësi aktivitetesh ekonomike, ku shpesh janë përjashtuar vetëm sektorët e shërbimeve thelbësore. Rezultati do të jetë një rënie e mprehtë e PBB-së dhe të ardhurave, një rritje e papunësisë (siç shihet tashmë në SHBA), një kalendar shkollor i ndërprerë dhe pezullimi i pothuajse çdo aktiviteti që përfshin grumbullim të më shumë se disa njerëzve.

Për disa, videokonferencat, arsimimi në internet dhe aplikacionet e tjera dixhitale kanë zbutur goditjen. Por rezultati i pashmangshëm ekonomik do të jetë një recesion i thellë dhe një dëm i gjerë kolateral, për jetesën dhe mirëqenien e njerëzve.

Mbyllja totale e ekonomisë është parë me të drejtë si një mënyrë për të blerë kohë për të zgjeruar kapacitetin dhe për të zvogëluar kërkesën e lartë për sistemet shëndetësore. Por nuk është një strategji e plotë. Edhe kur kombinohet me kompensime monetare dhe një program të madh fiskal, i cili orientohet drejt mbrojtjes së njerëzv dhe të cënueshëm, një ngrirje e thellë ekonomike nuk mund të mbahet gjatë. Sepse kështu vendos kosto të papërballueshme për individët dhe shoqërinë.

Një pjesë e madhe e ekonomisë moderne – duke filluar që nga restorantet, shitjet me pakicë, teatrot, ngjarjet sportive, muzetë, parqet dhe shumë forma të turizmit dhe transportit (siç është udhëtimi ajror) – thjesht nuk mund të funksionojnë në kushte të distancimit social. Këta sektorë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të punësimit të përgjithshëm. Sektorë të tjerë të mëdhenj mund të funksionojnë, por jo me fuqi të plotë.

Prandaj, çështja është se çfarë mund të bëhet tani për të siguruar që rimëkëmbja dhe kthimi në normalitet të ndodhë sa më në mënyrë të sigurt, që të jetë e mundur. Një bllokim me një kohëzgjatje ekonomikisht të tolerueshme, nuk mund të zvogëlojë në vetvete rreziqet që lidhen me ndërveprimet ndërpersonale. Brenda disa javësh – thuhet katër deri në gjashtë – kostot ekonomike të bllokimit do të fillojnë të rriten, deri në atë pikë sa disa grupe njerëzish do të fillojnë të kthehen në punë – nëse u ka mbetur një e tillë – thjesht sepse ata nuk kanë zgjidhje.

Megjithëse rreziqet e infeksionit do të mbeten të larta, ata nuk do të kenë burimet që të qëndrojnë të izoluar. Në të njëjtën kohë, megjithëse kostot e mbylljes së shkollave për periudha të gjata janë shumë të larta, shkollat nuk do të rihapen, ose nuk do të duhet të rihapen derisa rreziqet e rikthimit të koronavirusit të jenë të ulta.

Shpejtësia dhe siguria e rikuperimit do të varen në mënyrë kritike nga fakti nëse rreziqet e aktiviteteve në grup janë ulur sa duhet. Një element i rëndësishëm i uljes së rrezikut ka të bëjë me aftësinë e sistemit shëndetësor. Fokusi aktual në pajisjen dhe mbrojtjen e duhur të mjekëve dhe stafit mjekësor me atë që u nevojitet për të siguruar kujdes kritik, është pra plotësisht i justifikuar.

Por këto përpjekje të vijës së parë nuk do të zvogëlojnë rreziqet e kontakteve ndërnjerëzore në përgjithësi. Për ta bërë atë, ne duhet të përdorim periudhën e bllokimit, për të zgjeruar kapacitetin për testimin, gjurmimin e kontaktit, izolimin dhe trajtimin.

Këtu, një konferencë e datës 25 mars nga Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, ia vlen të lexohet. “T’u kërkosh njerëzve të qëndrojnë në shtëpi dhe të bllokosh lëvizjen e popullatës, kjo është një lëvizje që duhet të blejë kohë dhe të ulë presionin ndaj sistemeve shëndetësore,” shpjegon Ghebreyesus. “Por të vetme, këto masa nuk do të shuajnë epidemitë. Qëllimi i këtyre veprimeve është të mundësojnë masat më të sakta dhe të targetuara, që janë të nevojshme për të ndaluar transmetimin dhe për të shpëtuar jetë”. Nëse do të ndryshoja këtë deklaratë që shpreh qartë qëllimin, fokusuar tek shëndeti, unë vetëm do t’i shtoja asaj fjalisë së fundit: “… dhe për të zvogëluar rreziqet e infeksionit, ristartuar ekonominë dhe përshpejtuar rimëkëmbjen”.

Pasi shpjegoi se çfarë kërkojnë ato masa më të sakta dhe të targetuara, Ghebreyesus shtoi se saktësisht të njëjtat hapa do të kërkohen në vendet – përfshirë shumë ekonomi në zhvillim, me të ardhura më të ulëta – që ende kanë numër të ulët të infeksioneve. Tashmë mund të parashikojmë që disa prej këtyre vendeve do të kenë nevojë për ndihmë të jashtme për t’u përgatitur për shpërthime brenda tyre. Kështu që bashkëpunimi dhe mbështetja ndërkombëtare janë thelbësore për administrimin e krizës në nivel global.

Në çdo rast, pika kryesore është se hapat e nevojshëm për të ristartuar ekonominë janë të njëjta me hapat e nevojshme për të ngadalësuar transmetimin e virusit. Ndërsa parashikojmë fundin e distancimit agresiv sociale, ndërtimi i aftësive për testim, gjurmimit të kontakteve, izolimit dhe trajtimit, bëhet një përparësi urgjente ekonomike. Ne absolutisht duhet të eleminojmë rreziqet e kontaktit ndërnjerëzor, në mënyrë që ata që mendojnë se duhet të kthehen në punë, të mund ta bëjnë këtë, dhe në mënyrë që ata të prirur të vetëizolohen vullnetarisht, të mund të kthehen në shkolla dhe aktivitet të plotë ekonomik, duke u ndier relativisht i sigurt.

Rastet aziatike sugjerojnë që teknologjitë dixhitale janë mjete efektive për shënjestrimin dhe monitorimin e infeksioneve, dhe për mbajtjen e njerëzve dhe autoriteteve të informuar për rreziqet. Disa nga teknikat më efektive mbështeten në të dhënat e vendndodhjes dhe mund të krijojnë shqetësime për privatësinë në disa vende. Por duke pasur parasysh përmasën e sfidës, këto metoda nuk duhet të hidhen poshtë menjëherë. Platformat kanë tashmë të dhëna për vendndodhjen që mund të përdoren për të informuar qytetarët për ekspozimin e mundshëm. Mbi të gjitha, infrastruktura dixhitale tashmë ka provuar të jetë një burim kryesor i aftësisë ekonomike në këtë krizë. Pa atë, puna dhe shkollimi në distancë, tregtia elektronike dhe shërbimet financiare dixhitale nuk do të ishin të mundshme, dhe distancimi agresiv social do të bënte që ekonomia të ndalej plotëisht. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat