Ku është bota sot, me prodhimin e një vaksine koronavirusi? - Bota Sot
Ku është bota sot, me prodhimin e një vaksine koronavirusi?

Analiza

Ku është bota sot, me prodhimin e një vaksine koronavirusi?

Më: 14 prill 2020 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Shkencëtarët në të gjithë botën janë në garë kundër kohës për të zhvilluar një vaksinë për koronavirusin e ri, që ka vrarë më shumë se 100,000 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 1.7 milion në të gjithë botën.

Në disa nga vendet më të prekura siç janë Kina dhe Italia, infeksionet dhe vdekjet janë rrafshuar në ditët e fundit, por ekspertët paralajmërojnë se rreziku i një vale të re shpërthimesh është i afërt, pa një vaksinë.

Por zhvillimi i përshpejtuar i një vaksine mbetet një proces i gjatë, shpesh kërkon vite, me shumë pengesa shkencore pavarësisht përpjekjeve serioze dhe të koordinuara ndërkombëtare nga laboratorët, kompanitë private dhe qeveritë.

Ekspertët thonë se një vaksinë për koronavirusin e ri, SARS-CoV-2, mund të zgjasë të paktën një vit deri në një vit e gjysmë për t’u provuar e sigurt, efektive dhe e disponueshme.

Deri më tani, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), thotë se tre kandidatë për vaksina janë në fazën e testimit klinik, që do të thotë se ata janë në gjendje të testohen te njerëzit, ndërsa 67 vaksina të mundshme janë në fazë paraklinike.

Ja ku ndodhet bota aktualisht, në lidhje me prodhimin e një vaksine për koronavirusin e ri:

Shkenca

Një vaksinë funksionon duke futur molekula të caktuara, të njohura edhe si antigjene të patogjenit (virusit), në sistemin imunitar të trupit të njeriut, shpjegon Dr Sara Kayat.

Këto antigjenë janë tradicionalisht në një formë të dobësuar ose joaktive, kështu që ata nuk mund të shkaktojnë sëmundje. Sidoqoftë, sistemi ynë imunitar është në gjendje të njohë antigjenin si një pushtues të huaj të padëshiruar, dhe kështu formon antitrupa që refuzojnë patogjenin, nëse përpiqet t’ju infektojë në të ardhmen.

Shumë vaksina potenciale që po zhvillohen, duke përfshirë njërën nga të treja, për të cilat OBSH thotë se është në fazën e testimit klinik, përdorin këtë metodë më tradicionale.

Shkenca e re po përdoret gjithashtu për të krijuar vaksina nga një kod gjenetik i kopjuar nga virusi, që bëhet në laborator. Të paktën dy vaksina potenciale të bëra në këtë mënyrë aktualisht po testohen te njerëzit. Sidoqoftë, asnjë vaksinë që është bërë në këtë metodë të re, nuk është aprovuar deri më sot për ndonjë sëmundje.

Koha

Shkencëtarët kanë një avantazh të kohës në krijimin e një vaksine për virusin që shkakton COVID-19, sipas Dr Kayat.

Për shkak të sekuencës së gjenomit të koronavirusit të ri të siguruar nga ekspertët në Kinë, shkencëtarët e dinë që ai ndan 79 përqind të të njëjtit material gjenetik si SARS, dhe 50 përqind të të njëjtit material si MERS. Kjo u lejon zhvilluesve të përdorin bazat e krijuara tashmë në hulumtimin për vaksinat ndaj atyre viruseve.

Testimi i vaksinave fillon me testimin te kafshët, megjithëse të paktën një zhvillues i vaksinës së koronavirusit e ka kapërcyer këtë hap dhe ka lëvizur drejt e në testimin njerëzor, dhe të tjerët kanë bërë testime paralele njerëzore dhe shtazore.

Testimi njerëzor zakonisht përbëhet nga tre faza.

Testet në fazën e parë janë në shkallë të vogël, zakonisht përfshijnë rreth 100 pjesëmarrës, për të vlerësuar nëse vaksina është e sigurt për njerëzit. Në fazën e dytë të provave shpesh përfshihen disa qindra persona, dhe kryesisht vlerësojnë efikasitetin e vaksinës kundër sëmundjes. Kjo fazë mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vjet.

Faza përfundimtare është në një shkallë edhe më të madhe me mijëra njerëz, shpesh nëpër disa institucione mjekësore, për të vlerësuar më tej efikasitetin e vaksinës gjatë një periudhe kohe të caktuar. Kjo fazë mund të zgjasë disa vjet.

Muajin e kaluar, Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, tha se një vaksinë për koronavirusin është “të paktën një vit larg”.

Sidoqoftë, Sarah Gilbert, një profesore e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit që po drejton një ekip në Mbretërinë e Bashkuar për zhvillimin e një vaksine, i tha Times on Sunday se ajo ishte “80 përqind e sigurt” se vaksina e tyre mund të ishte efektive dhe e gatshme deri në shtator – duke shkurtuar kohën e parashikuar deri në gjashtë muaj.

Gilbert i tha gazetës se provat me njerëzit ishin caktuar të fillonin për rreth dy javë.

Ajo shtoi se po punonte me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të hartuar një plan të mundshëm për të filluar prodhimin para se të përfundojë vaksina, gjë e cila mund të lejojë që publiku të hyjë në program vaksinimi, sapo të vërtetohet se është efektive.

Testimi tek njeriu

Në Australi, agjensia kombëtare e shkencës njoftoi në fillim të prillit se kishin filluar testimin e vaksinës së Universitetit të Oksfordit, tek qelbësit. Eshtë një vaksinë me bazë vektori që përdor një sekuencë të dëmtuar të virusit.

Provat tek njerëzit kanë filluar për të paktën dy vaksina të mundshme.

Jennifer Haller, 43 vjeç, bëri një vaksinë në 16 mars në Seattle, shtetin Uashington, duke u bërë i pari person në botë që bëri një vaksinë e mundshme për koronavirusin e ri.

Kjo vaksinë, e quajtur me kod mRNA-1273, u zhvillua nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA (NIH) dhe kompania bioteknologjike me bazë në Massachusetts, Moderna Inc.

Në fillim të prillit, Inovio Pharmaceuticals, një kompani tjetër me qendër në SHBA, filloi të testonte një vaksinë të ngjashme, të quajtur kodi INO-4800, mbi njerëz në Filadelfia dhe Kansas City, Misuri. Kompania me qendër në Pensilvani është gjithashtu duke punuar me studiuesit kinezë për të filluar së shpejti një studim të ngjashëm në atë vend.

Në Kinë, një vaksinë e mundshme e krijuar nga CanSino Biological Inc së bashku me Institutin e Bioteknologjisë së Pekinit është gjithashtu në fazën e testimit klinik.

Kjo vaksinë potenciale është një vaksinë vektoriale jo riprodhuese, e cila mund të zhvillohet ose duke përdorur një virus që vritet ose një pjesë të virusit që do të shkaktojë sistemin imunitar të krijojë antitrupa, i cili do të luftojë sëmundjen nëse prekemi në të ardhmen. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat