Trump vs Biden: A do të mbajë Amerika zgjedhje të ndershme në nëntor?

Analiza

Trump vs Biden: A do të mbajë Amerika zgjedhje të ndershme në nëntor?

Nga: Courtney Weaver Më: 21 gusht 2020 Në ora: 19:09
Trump vs Biden

Është një skenar që Departamenti Amerikan i Shtetit e ka paralajmëruar për botën:një politikan në pushtet në një demokraci me institucione të dobëta, përpiqet ta mbajë pushtetin me zor, duke hedhur dyshime mbi cilësinë e zgjedhjeve, që duhet ta kishin larguar atë nga detyra.

Tani në një kthesë ironike të ngjarjeve, ekspertët e DASH po shqetësohen se kjo mund të ndodhë pikërisht më SHBA-në:falë një pandemie globale, besimi tepër të ulët të qytetarëve tek qeveria, një sistemi zgjedhor arkaik, dhe mbi të gjitha, një presidenti që ka dëshmuar shumë herë gatishmërinë për të zhbërë normat e qeverisjes demokratike.

Në librin e tij të ri “A do të largohet? Trump dhe katrahura zgjedhore e 2020-ës”, profesori i drejtësisë në Kolegjin Amherst, Lorenc Dagllas, përshkruan se si mund të ndodhë një skenar i tillë, duke filluar që nga mesnata e datës 3 nëntor.

Shumica e rrjeteve televizive, shpallin fitues të zgjedhjeve sfidantin demokrat Xho Bajden, me përjashtim të Fox Neës. Donald Trump refuzon të pranojë rezultatin. Ajo që mund të pasojë, argumenton Dagllas, është një krizë kushtetuese, me Trumpin dhe kryetaren e Kongresit Nensi Pelozi, që duke iu referuar Aktit të Zëvendësit të vitit 1947, e shpallin secili veten kryekomandantë të forcave të armatosura në ditën e inaugurimit, 20 janar 2021, ndërsa Kushtetuta e SHBA-së dhe ligjet federale janë pafuqishme për të mundësuar gjetjen e një zgjidhje.

“Ne nuk kemi mjetet judirike për të dalë nga një situatë e tillë”- thotë Dagllas. “Nëse kemi një president në detyrë që nuk pranon të largohet. . . ligji ynë zgjedhor federal vetëm sa do ta përkeqësonte më tepër se sa do të zbuste krizën”- shton ai.

Një skenar i tillë, mund të dukej dikur më shumë si një fantazi. Por pikëpyetjet në lidhje me zgjedhjet e nëntorit janë në rritje muajt e fundit, teksa zoti Trump, që aktualisht ndodhet pas në sondazhe me një distancë të konsiderueshme, e ka kritikuar përdorimin e votimit me postë në zgjedhje.

Dhe dilemat arritën kulmin të enjten e shkuar, kur presidenti ngriti idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, edhe pse data është e përcaktuar në kushtetutë. “Zgjedhjet e 2020-ës do të jenë më të manipuluarat në histori. A mos vallë do të ishte ndonjë turp i madh për SHBA-në, shtyrja e tyre derisa njerëzit të mund të votojnë siç duhet, të sigurtë???”- shkroi ai në rrjetet sociale.

Politikanët dhe aktivistët demokratë, por edhe analistët më neutralë, besojnë se deklarata e  Trump mbi zgjedhjet buron nga frika e tij për humbjen në zgjedhje. Ndaj ai po përpiqet të de-motivojë votuesit e mundshëm të Bajden, apo të krijojë terren për të kontestuar rezultatin.

Nga ana tjetër, potenciali për një proces zgjedhor me shumë probleme, është duke u rritur si pasojë e rrethanave të krijuara nga pandemia e koronavirusit.

Shumë ekspertë janë të shqetësuar se kur kanë mbetur më pak se 100 ditë nga zgjedhjet, një numër i madh shtetesh janë shumë prapa përgatitjeve për të menaxhuar dhe numëruar votat përmes postës elektronike, apo radhët e votuesve para qendrave të votimit.

Ata paralajmërojnë se vonesat në numërimin e votave me postë, mund të nënkuptojnë se në “Natën e Zgjedhjeve” mund të mos ketë një fitues të qartë. “Dhe kjo do të ishte një katastrofë në zhvillim të ngadaltë”-thotë Rebeka Grin, bashkë-drejtore e programit zgjedhor në shkollën juridike “William & Mary” në Virxhinia.

Në fakt, nuk është hera e parë që Trump ka tentuar të hedhë baltë mbi procesin zgjedhor. Në debatet e fundit televizive përballë Hilari Klintonit, ai tha se nuk ishte i sigurt nëse do të pranonte rezultatin e presidencialeve të 2016-ës, teksa i ka kaluar 4 vitet e fundit duke diskutuar mbi rezultatin, përfshirë humbjen që pësoi në votën popullore.

Trump ngriti një Komision Këshillëdhënës Presidencial për Integritetin Zgjedhor, që shpenzoi një vit e gjysmë duke hetuar pretendimin e presidentit se miliona vota të paligjshme, i kishin kushtuar atij votën popullore. Në fund, komisioni u shpërnda.

I pyetur në muajin korrik nga Fox News, nëse ai do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve në nëntor, Trump tha:”Të shohim. Unë nuk do të them vetëm po!”. Ndërkohë, disa demokratë kanë vënë në dyshim edhe ngjarjet që çuan në rezultatin e vitit 2016, duke akuzuar për ndërhyrjen e rusëve, dhe ngritur pikëpyetje nëse vendimi i drejtorit të atëhershëm të FBI-së, Xhejms Komej për të rihapur një hetim mbi postën elektronike të Hilari Klintonit, pati një ndikim në zgjedhje.

Edhe rivali Bajden është shprehur i shqetësuar se Trump mund të jetë duke hedhur bazat për të manipuluar presidencialet e këtij viti. “Shqetësimi im më i madh dhe i vetëm është: Ky president do t’i vjedhë këto zgjedhje!”- deklaroi Bajden gjatë një interviste në “The Daily Shoë”.

Ned Folej, drejtor i programit mbi ligji zgjedhor në Fakultetin e e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Ohajos, thotë se retorika nga të dyja palët është alarmuese. “Bajden ka deklaruar se vendi nuk mund t’i rezistojë një mandati të dytë të Trump. Ndërsa Trump ka paralajmëruar një rezultat të manipuluar, dhe se nuk do të njohë votat e hedhura me postë. Nëse zgjedhjet mbyllen brenda këtij viti, do të jemi mirë. Në rastin e kundërt, do të kemi shumë probleme”- thotë Folej.

Në këë skenar mund të kontribuojë erozioni i qëndrueshëm i besimit të qytetarëve tek institucionet amerikane, që është përshpejtuar gjatë mandatit të Trump. Situata është rënduar nga kritikat e shpeshta të presidentit ndaj mediave kryesore në vend, komunitetit të  inteligjencës, gjykatave, dhe çdo institucioni tjetër që e sfidon atë.

Në të njëjtën kohë, mediat hiper-partizane dhe informacioni shpesh i shtrembëruar në internet, dhe që shpesh s’ka lidhje me realitetin, mund të inkurajojë një kandidat të kundërshtojë rezultatet zyrtare. Zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se një rritje e madhe e votimeve me postë si pasojë e koronavirusit, do të çojë në vonesa në raportimin e rezultateve, të cilat nuk ka gjasa të shpallen brenda natës.

Dhe disa ekspertë kanë frikë së kjo vonesë, mund të nxitë kandidatin humbës të hedhë dyshime mbi rezultatin. Në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2018, në një numër zonash zgjedhore në Kaliforni dhe Arizona, republikanët festuan natën e zgjedhjeve, ndërsa ditë më vonë kur u llogaritën edhe votat me postë, fitorja përfundimtare u takoi demokratëve.

Një skenar tepër i diskutueshëm do të ndodhte nëse një rezultat i tillë do të vërehej në Pensilvani, Miçigan apo Uiskonsin, 3 shtete ku Trump dhe Bajden do të rivalizojnë ashpër midis tyre për të fituar. Të tria shtetet kanë në krye guvernatorë demokratë, ndërsa legjislatura të kontrolluara nga republikanët.

Sipas këtij skenari, mund të përsëriten ngjarjet e presidencialeve të 1876-ës, thotë Dagllas, duke iu referuar garës midis Radhërfor Hajes dhe Samuel Tildenit, që u vendos vetëm 2 ditë para ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri. Pas atyre zgjedhjeve, Kongresi miratoi Aktin e Numërimit të Votave, duke i ndaluar shtetet e veçanta të kishin më shumë se një numër votash për çdo kolegj zgjedhor.

Studiuesit e zgjedhjeve, thonë se edhe shumë prej problemeve që e dominuan rinumërimin e votave në përballjen Bush-Gor në vitin 2000 në Florida, mbetën gjithashtu të pazgjidhura.

Ndërsa zgjedhjet e vitit 2000 përfunduan kur Gjykata e Lartë, vendosi në favor të zotit Bush, ishte vendimi i zoti Gor për të pranuar vendimin e gjykatës, ai që garantoi transferimin paqësor të pushtetit, argumenton Dagllas, një skenar për të cilin ai thotë se ai nuk mund të parashikohet se si do të dukej në epokën Trump. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat