Plani Marshall: A do të ishte një mënyrë për të përballuar krizën e koronavirusit?

Analiza

Plani Marshall: A do të ishte një mënyrë për të përballuar krizën e koronavirusit?

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 22:46
Foto ilustrim

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore me fitoren e aleatëve, kriza në raportin midis dy superfuqive – Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik – që gjatë periudhës së luftës kishin luftuar bashkë kundër nazizmit, nisi qysh në prillin e 1945. Motivi qe vendosja e një qeverie komuniste në Poloni, që i bëri amerikanët të akuzojnë Bashkimin Sovjetik se po shkelte impenjimet e përbashkëta të marra pak kohë më parë në Jaltë, ku «Të Mëdhenjtë» – krerët e qeverive e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë – kishin ndarë botën në zona influence.

Fillimi i Luftës së Ftohtë

Kriza u bë më akute dhe më e rrezikshme për ekuilibrat strategjikë globalë në pranverën e 1946, kur ushtria sovjetike, në kundërshtim me zotimet e marra, nuk e «çmilitarizoi» brenda muajit mars – siç ishte parashikuar – zonën e pushtimit veriiraniane, ndërsa gjysma tjetër ishte braktisur më nga ushtria angleze brenda afateve të parapara, me pretekstin se po i jepnin ndihmë ushtarake një grupi luftëtarësh në luftë me pushtetin qendror. Në realitet, motivet që e shtynin Stalinin të mos e lironte zonën qenë me karakter ekonomik: në fakt, ai synonte që në këtë mënyrë të siguronte aksesin tek nafta e Lindjes së Mesme, gjë që Shtetet e Bashkuara në asnjë mënyrë nuk mund ta lejonin. Prandaj, kur Shahu ju drejtua Kombeve të Bashkuara për të siguruara një deklaratë kundër «pushtuesve» sovjetikë, qeveria amerikane e mbështeti një kërkesë të tillë. Pavarësisht protestave të përfaqësuesit sovjetik Andrej Gromyko, i cili në shenjë proteste e braktisi në mënyrë teatrale sallën, në majin e 1946 Stalini zgjodhi që t’i tërheqë forcat ushtarake sovjetike nga Irani. Përgjigja e vendosur amerikane ndaj ngjarjeve iraniane po nënkuptonte se Uashingtoni i shihte me preokupim synimet ekspansioniste sovjetike si në territoret e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në Mesdheun lindor, strategjikisht i rëndësishëm për kontrollin e Europës. Në fakt, Stalini synonte që të zëvendësonte Anglinë, e cila për motive të politikës së brendshme, kishte manifestuar qëllimin e «lirimit» të këtyre zonave të influencës në domenin e Mesdheut.

Qysh në shkurtin e 1946 George Kennan, i Ngarkuar me Punë pranë ambasadës amerikane në Moskë, kishte paralajmëruar Departamentin amerikan të Shtetit me një kabllogram të gjatë – që hyri në histori si «Telegrami i Gjatë» – me të cilin njoftonte qeverinë e tij të  mos mbante një qëndrim tejet dashamirës apo tejet nënshtrues ndaj kërkesave sovjetike në fushën e politikës ndërkombëtare. Ai nënvizonte nevojën e një «frenimi afatgjatë, të durueshëm, por të vendosur e vigjilent, të tendencave ekspansioniste sovjetike». Stalini, pohonte ai, synonte që ta zgjronte influencën sovjetike në një pjesë të mirë të vendeve perëndimore dhe mendonte se nuk ishte e mundur të avancohej në perspektivë një aleancë politike me fuqitë imperialiste, parasëgjithash Shtetet e Bashkuara.

Termi «frenim», i sugjeruar nga Kennan, u adoptua shumë shpejt nga anëtarët e administratës për të treguar objektivin kryyesor e politikës amerikane në raportet e saj me Bashkimin Sovjetik. Në fakt, qenë të shumtë anëtarët e qeverisë amerikane dhee vetë këshilltarët shtetërorë që i sugjeruan Presidentit Truman t’i vinte një fre lakmive ekspansioniste sovjetike. Sipas Clark Clifford, Ndihmës i Presidentit në Shtëpinë e Bardhë, kompromise dhe lëshime konsideroheshin nga sovjetikët si shenja dobësie politike; kështu që i duhej kundërpërgjigjur me ashpërsi dhe i duhej rezistuar – edhe me forcë po të ishte nevoja – projektit ambicioz stalinist për dominimin komunist të botës dhe tentativës së izolimitt politik të Shteteve të Bashkuara, e ngritur nga Bashkimi Sovjetik menjëherë pas përfundimit të luftës. Sipas vëzhguesve politikë të dërguar nga administrata amerikane në Europë për të luftuar në mënyrë efikase komunizmin në vendet e ekspozuara më shumë nga infiltrimet politike ishte e nevojshme të mbështetej rigjallërimi ekonomik, domethënë të ulej papunësia, të mbahej nën kontroll inflacioni, t’u rikthehej besimi biznesmenëve dhe kjo mund të realizohej vetëm nëpërmjet dollarëve amerikanë. Në rast të kundërt, mungesa e mallrave ushqimore, rritja e papunësisë dhe e inflacionit, domethënë kolapsi i ekonomive kombëtare, do t’i dorëzonin shumë vende në duart e komunistëve.

Një plan i nevojshëm ndërhyrjeje ekonomike

Duke pasur parasysh situatën dramatike e vendeve europiane, të shkatërruara në të gjithë aspektet, lidershipi amerikan e kuptoi se ishte e nevojshme të ndërhyhej ekonomikisht në ndihmë të aleatëve. Më 21 shkurt 1947 Presidenti Truman i paraqiti Kongresit, që ishte me shumicë republikane dhe që kohët ia kishte kritikuar atij politikën ekonomike, e konsideruar si pak e rreptë, për t’i kërkuar një integrim të ndihmave të «Administratës së Kombeve të Bashkuara për Asistencën dhe Rehabilitimin» (UNRRA) prej 350 milion dollarësh, për t’ia destinuar Europës: ndihma që u dhanë në mënyrë të jashtëzakonshme. Po atë ditë, Foreign Office informoi Departamentin e Shtetit se duke filluar nga 31 marsi, qeveria angleze do të tërhiqej përfundimisht nga Greqia e nga Turqia, duke ua pezulluar çdo formë ndihme ekonomike apo ushtarake të dhënë deri më atëhere këtyre vendeve. Spektri i ekspansionit komunist në Mesdhe u shfaq kërcënueshëm në mendjen e administratës amerikane, e cila kishte frikë se mos një ndërhyrje sovjetike në luftën civile që po zhvillohej prej kohësh në Greqi dhe që vetëm ndërhyrja angleze e kishte shpëtuar nga një kthesë probolshevike.

Kjo risi e bëri akoma edhe më urgjent caktimin e fondeve të reja në favor të vendeve europiane të kërcënuara nga komunizmi; kjo e bindi Truman që të përballej një herë të dytë me një Kongres ngurrues që të jepte financime të reja për të ndihmuar vende shummë larg nga Shtetet e Baashkuara dhe pa përfituar ndonjë avantazh ekonomik.

Në këtë rast (25 shkurt) prezantimi i «kauzës interventiste» qe për Presidentin më i lehtë dhe më bindës: çelësi i apelit të bërë nga administrata qe mbështetja në rreziku me të cilin do të ndesheshin vendet e Europës Lindore, tashmë të nënshtruara prej kohësh ndaj presionit sovjetik, në momentin ku anglezët do të tërhiqeshin. «Ne dhe vetëm ne jemi në gjendje që t’ua prishim lojën sovjetikëve, tha në mbrojtjen e tij të zjarrtë Nënsekretari i Jashtëm Dean Acheson».

Për herë të parë Kongresi kuptoi sesa e rëndë ishte situata ndërkombëtare dhe u tregua më i disponueshëm ndaj plotësimit të propozimeve të Presidentit. Nga ana e tij, ky arriti ta luajë mirë kartën e fushatëës antikomuniste, duke propozuar lidhur me një temë të tillë një lloj armëpushimi politik midis demokratëvve – domethënë partisë së tij – dhe republikanëve: i gjithë vendi duhej të ndjehej i bashkuar dhe solidar në luftën kundër armikut të ri të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik, duke formuar një front «bipartizan» ndërhyrjeje, i mobilizuar në mënyrë konstante në mbrojtje të interesave amerikane në Perëndim.

Me efekt të madh qe diskutimi që Presidenti Truman mbajti në Kongres më 12 mars. U përcoll si një lloj manifesti politiko – dramatik i kursit të ri të politikës ndërkombëtare. Sipas Presidentit, në atë moment thuajse çdo vend duhej të vendoste midis sistemeve alternatve të jetesës: një zgjedhje që jo gjithmonë është e lirë. Nga njëra anë, një sistem jetese i bazuar mbi demokracinë, i karakterizuar nga institucione përfaqësuese që garantojnë liritë private e civile të qytetarëve; nga ana tjetër, një sistem jetese i «bazuar mbi vullnetin e një pakice të imponuar me forcë mbi shumicën. Ai ngrihet mbi kontrollin e shtypit e të radios, mbi zgjedhjet e trukuara dhe mbi shtypjen e lirive individuale. Jam i bindur se politika e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë ajo e mbështetjes së popujve të lirë që kërkojnë t’i kundërvihen tentativave të nënshtrimit nga ana e pakicave të armatosura apo e presioneve të jashtme».

Kongresi u bind nga fjalët e Presidentit dhe e pranoi kërkesën e tij për të caktuar 400 milion dollarë, shumë relativisht e mirë, për të «shpëtuar» Greqinë dhe Turqinë nga komunizmi. Ky evolucion në kuptimin interventist i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ndodhte paralelisht me ecurinë negative e Konferencës së Moskës e Ministrave të Jashtëm e 4 vendeve, ku merrte pjesë Sekretari i Shtetit Marshall e që përfundoi më 25 prill me një asgjë lidhur me çështjen delikate e asetit të ri për t’ju dhënë Gjermanisë, për shkak të pretendimeve të tepruara sovjetike. Ndërkaq, funksionarët e Departamentit të Shtetit vërenin me vëmendje të madhe aktivitetet e partive komuniste në Europë, sidomos në Francë e në Itali, duke pasur frikën se mos ishte i afërt një kolaps total ekonomik, të cilin do ta pasonin kaosi politik dhe revolucioni social.

Në prillin e 1947 Sekretari i Shtetit George C. Marshall u kthye nga një vizitë në Europë me një diagnozë të keqe: «Pacienti rëndohet gjithnjë e më shumë, ndërsa mjekët konsultohen për atë se çfarë duhet bërë». Bëhej i nevojshëm një program masiv ndihmash financiare të jashtme për të stimuluar rigjallërimin ekonomik dhe lehtësuar kështu situatën e rëndë, në mënyrë që të pengohej «infektimi» komunist në vende të ndryshme europiane. Për të kundërshtuar synimet e Stalinit ndaj Gjermanisë dhe mbi një pjesë të mirë të Europës Lindore, Marshall  i propozoi qeverisë së tiij që ta mbështeste me çdo kusht «kauzën e Gjermanisë», duke e ndihmuar që të futej midis demokracive perëndimore. Në rast të kundërt, do të bëhej loja e Bashkimit Sovjetik, e prirur që ta izolonte vendin dhe ta nënshtronte politikisht. «Pa rifillimin e prodhimit gjerman nuk mund të ketë një rigjallërim të ekonomisë europiane, pohoi Kennan».

Kështu, brenda një kohe të shkurtër, administrata përgatiti një program ndërhyrjesh ekonomike në Europë, i përqëndruar mbi «rigjallërimin» e Gjermanisë dhe mbi forcimin e fuqizimin ekonomik e të gjitha vendeve të Europës Perëndimore. Sipas administratës Truman, kjo ishte receta e vetme në gjendje që të bllokonte ekspansionin e komunizmit në gjirin e demokracive europiane. Ai qe bërthama e parë e atij që më pas do të quhett «Plani i ndërhyrjes Marshall», që u shpall për herë të parë publikisht në një diskutim informal të mbajtur nga Sekretari i Shtetit në 5 qershor në Harvard University. Me këtë rast, ai deklaroi: «Është logjike që Shtetet e Bashkuara të bëjnë gjithçka është në fuqinë e tyre për të kontribuar që të vendosen në botë ato kushte ekonomike normale, pa të cilat nuk mund të as stabilitet politik, as siguri paqeje».

Financimet e nevojshme për programin e ndihmave qenë vlerësuar në rreth 14 miliard dollarë dhe do të kërkonin miratimin e një Kongresi, që megjithëse ishte konvertuar në kauzën e luftës kundër komunizmit ndërkombëtar, ishte i orientuar drejt një adrese politike me rreptësi më të mëdha financiare. Për të mposhtur frikërat e Kongresit ndaj një financimi kaq masiv, u mobilizua edhe opinioni publik amerikan nëpërmjet fushatash të pilotuara shtypi. U vu në pah rëndësia ekstreme e vështirësive ekonomike të Europës dhe rreziku i rëndë që përbënte kjo për stabilitetin e qeverive demokratike në të gjithë kontinentin. Apele të kalkuluara ju drejtuan edhe interesit ekonomik kombëtar, duke theksuar se eksportet amerikane do të përfitonin shumë nga rigjallërimi ekonomik europian, duke pushtuar tregje të tjera. Anëtarëve të Kongresit, të preokupuar për koston e ndërhyrjes ju dha garancia se qeveria do ta mbante nën kontroll zbatimin e programit të ndërhyrjes dhe se do t’u kërkonte vendeve përfituese bashkëpunim dhe transparencë të plotë në investime. Megjithëse programi kishte qëllim që të bllokonte avancimin e komunizmit në Europë dhe dhënien oksigjen qeverive demokratike, Marshall nënvizoi se, të paktën në fillim, ai ishte i hapur ndaj të gjitha vendeve europiane, edhe atyre të nënshtruar nga regjimet komuniste. «Politika jonë nuk është e drejtuar ndaj ndonjë vendi apo ndonjë doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit, kaosit, tha ai».

Në qershorin e 1947 u mbajt në Paris një takim midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të vendeve që do të përfitonin nga programi. Delegacioni sovjetik, i kryesuar nga Vjaçesllav Molotov, e konsideronte Planin marshall si një alternativë ndaj reparacioneve gjermane, por kur në Paris zbuloi se qeveria amerikane, në këmbim të ndihmës financiare, kërkonte që përfituesit të jepnin informacione lidhur me ekonomitë e tyre dhe t’i siguronin funksionarët amerikane lidhur me investimet, e braktisi Konferencën, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara se po shkelnin sovranitetin e vendeve të veçanta dhe se donin t’i përdornin ndihmat për ta nënshtruar ekonomikisht Europën. Bashkimi Sovjetik i shtrëngoi edhe shtetet mbi të cilat kishte peshë politike që ta refuzonin ndihmën imperialiste amerikane. Plani u miratua nga Kongresi vetëm më 1948, edhe nën përshtypjen e shkaktuar nga grushti i shtetit komunist në Çekosllovaki dhe filloi të funksionojë në pranverën e po atij viti. Vota për ta bërë operativ Planin Marshall ishte ekuivalente me vënien në praktikë e parimeve të Doktrinës Truman: «Duhet të jemi të përgatitur të paguajmë çmimin e paqes ose, me siguri, çmimin e luftës, deklaroi Presidenti».

Në realitet, sapo kishte nisur lufta midis dy superfuqive për dominimin e botës: luftë që do të vazhdonte për mbi 50 vite jo me armatimet luftarake tradicionale, por nëpërmjet armëve më të sofistikuara të politikës, të politikës, të diplomacisë, të shkurajimit dhe të kërcënimit atomi. Ky modalitet i ri i bërjes së luftës në kohë paqeje është quajtur nga një historiografi tashmë më shumë se e konsoliduar si «Luftë e Ftohtë». Praktikisht, një kundërvënie e tillë midis dy superfuqive që në vitin 1945, bashkë me Francën dhe Anglinë, kishin fituar luftën nuk ka përfunduar akoma dhe vazhdon në skenarë të tjerë, anipse me finalitetë të njëjta dominimi. Por kësaj radhë ato duhet të konfrontohen me fuqi të tjera të mëdha emergjente, si Kina dhe India, të cilat aspirojnë – të paktën për momentin, të rivalizojnë me to në luftën politike dhe ekonomike për dominimin e botës.

Europa rivihet ekonomikisht në lëvizje

Pas një diskutimi të gjatë, European Recovery Program, kështu quhej faktikisht Plani Marshall, u miratua më 3 prill 1948, kur disa vende europiane po përgatiteshin për zgjedhjet e para politike të pasluftës. «Ndihmat amerikane» konsistente kontribuan sigurisht në ristabilizimin e rendeve demokratike në Europë dhe në rindërtimin e vendeve praktikisht të falimentuara. Ekonomitë e shteteve më të rëndësishme – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – nisën ta marrin veten dhe në harkun e pak viteve u krijuan institucione të  përbashkëta për të garantuar qarkullimin e lëndëve të para, si çelikut dhe qymyrit. Në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara siguruan aleatë të rinj në luftën kundër kërcënimit të komunizmit.

Plani Marshall shpërndau në vende të ndryshme perëndimore rreth 13.2 miliard dollarë (baraz me 1.1% të PBB-së amerikane dhe me 2.7% e 16 vendeve përfituese), një shifër në atë kohe e jashtëzakonshme edhe për ekonominë më të pasur e më të avancuar të planetit. Italia, përfituesja e katërt e «ndihmës amerikane», mori rreth 1.2 miliard. Plani Marshall funksionoi; kontinenti u rivu ekonomikisht në lëvizje dhe, pak e nga pak, hyri në një periudhë prosperiteti e modernizmi dhe eksperimentoi forma të pazakonta bashkëpunimi midis shteteve. Lidni kështu Komuniteti Europian, i shndërruar më pas në Bashkimin Europian, me qëllimin e deklaruar e garantimit në të ardhmen e paqes dhe bashkëpunimit midis shteteve, jo vetëm në fushën ekonomike, për të përballuar sëbashku emergjencat e rënda të përbashkëta.

Një Plan Marshall për emergjencën e koronavirusit?

Emergjenca aktuale shëndetësore e koronavirusit sigurisht që të futet në këto emergjenca të rënda të përbashkëta, edhe prej faktit që virusi nuk njeh barriera gjeografike dhe i ka goditur pa dallim të gjitha vendet. Kujtojmë se Mario Draghi, ish Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, më 25 mars 2020 ka botuar në Financial Times një artikull të titulluar «Po bëjmë një luftë kundër koronavirusit dhe, për pasojë, duhet të mobilizohemi». Vetë titulli e sintetizon mirë pikën kryesore të problemit, domethënë mbështetjen e nevojës të një «linje ekspansive» për përballimin e kundërgoditjeve të rënda të shkaktuara  nga emergjenca e Covid-19. Ndërkohë, disa kohë më parë, Bashkimi Europian kishte «pezulluar» Paktin e Stabilitetit, në mënyrë që t’u mundësonte vendeve të ndryshme të përballonin emergjencën e rëndë shëndetësore. Por kjo masë, megjithëse e nevojshme dhe e vrullshme, duket krejtësisht e pamjaftueshme. Draghi, që zakonisht duket si një mbështetës i stabilitetit të llogarive publike, mendon se situata aktuaale u imponon shteteve europiane që ta përballojnë bashkë këtë emergjencë të jashtëzakonshme, njëlloj sikur të ishim në luftë. Për të siguruar paqen sociale dhe të ardhmen e Bashkimit Europian, «duhet mbrojtur popullsia nga humbja e vendeve të punës dhe të mbrohet kapaciteti prodhues me mbështetje të menjëhershme likuiditeti».

Më 25 mars Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel kishte komunikuar se qeveritarët po përgatisnin një «strategji stimulimi ekonomik të ngjashme me “Planin Marshall”, e orientuar që të mobilizojë fondet e Bashkimit Europian në kuadër të bilancit europian». Një letër dërguar Michel nga 7 liderë europianë, midis të cilëve Emmanuel Macron, Giuseppe Conte, Pedro Sánchez dhe António Costa, i kërkonte strukturave më të mëdha komunitare, parasëgjithash BQE-së, «resurse të paprecedent» dhe «vendime të politikës fiskale me guxim të ngjashëm», midis të cilave «një instrument borxhi të përbashkët të emetuar nga një institucion i Bashkimit Europian». Për këtë qëllim është folur për emetimin e eurobondeve, të cilët duhet të kenë pas vetes forcën e të gjithë ekonomisë europiane. Një vendim i tillë, nëqoftëse ppranohet, do të tregonte se vendet e euros forcohen reciprokisht dhe, të bashkuar, sigurisht që do të ishin më të fortë. Por Gjermania, që megjithatë ka caktuar 1100 miliard euro për të përballuar koronavirusitn – Austria dhe vendet e tjera e Europës Veriore i janë kundërvënëë kësaj adrese solidariste dhe çdo instrumenti borxhi të përbashkët. Kancelarja Merkel ka bërë të ditur se në një front të tillë «asgjë nuk ka ndryshuar» dhe se, për të luftuar emergjencën, është në favor të përdorimit të Fondit të Shpëtimit të Shteteve (MES).

José Ángel Gurría Treviño, Sekretar i Përgjithshëm i OCSE-së, në një intervistë për Corriere della Sera ka pohuar se jemi të gjithë në «luftë» kundër një virusi që është globalizuar menjëherë dhe që prek të gjitha vendet e botës. Në raport me planin ekonomik, përveç se me atë shëndetësor, ai ka deklaruar se «shërben diçka qqë ka ambicien e një Plani Marshall dhe vizionin e New Deal: politika që kanë impakt maksimal në sektorët e ekonomisë ku rrezikohen të  humben qnidramijëra  apo miliona vende pune. Në harkun e pak ditëve mund të ketë një shpërthim të papunësisë. Duhen luftuar me forcë maksimale pasojat ekonomike e lockdown».

Më 2 prill Komisioni Europian ka miratuar një plan të «mbrojtjes së punës», i ashtuquajturi «Sure», një instrument sigurimi kundër pushimit nga puna (ose antipapunësi) për t’u vënë në dispozicion të shteteve. Bëhet fjalë për një hua deri në 100 miliard për amortizatorët socialë në vendet më të goditura nga Covid-19. Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian, ka pohuar se bilanci i Bashkimit Europian në 7 vitet e ardhshme do të duhet të jetë një «Plan Marshall» në kuptimin e vërtetë të fjalës kundër krizës. Vetëm kështu do të jetë e mundur që të rigjallërohet ekonomia në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Duke komentuar «Sure», ka nënvizuar se qëllimi i tij është t’i mbajë njerëzit në punë dhe t’u mundësojë bizneseve të mbesin në aktivitet. Dhe ka shtuar: «Po bashkojmë forcat që të shpëtojmë jetë dhe të mbrojmë mjetet e subvencionimit».

Në politikë, sidomos në ditët e fundit, është apeluar zbatimi i një «Plani të ri Marshall», për të përballuar kriticizmat e ndryshme globale, si problemet që kanë të bëjnë me klimën, Afrikën dhe tani koronavirusin. Por duhet kujtuar se i sipërpërmenduri Plan Marshall nuk është një teori apo doktrinë e thjeshtë politikë për t’u zbatuar, thuajse automatikisht, kur janë të pranishëm disa kushte, por një ngjarje historike e mirëpërcaktuar, siç e kemi parë, një frut zgjedhjesh politike shumë të sakta dhe që në atë moment, domethënë menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i përgjigjej parasëgjithash interesave të Shteteve të Bashkuara dhe të atyre vendeve europiane që përfituan prej tij. Jemi të bindur se vetëm një «Piano Marshall europian» masiv, kësaj radhe i dëshiruar dhe i financuar nga Bashkimi Europian, mund t’i ndihmojë të gjitha vendet e Bashkimit Europian që të tejkalojnë emergjencën e rëndë shëndetësore të Covid-19, të cilës fatkeqësisht nuk i shikohet ende fundi dhe që vë në rrezik jetët e shumë personave, sidomos të moshuarve. Kjo masë mund të shmangë kolapsin ekonomik (dhe reçisionin) e pjesës më të madhe të vendeve dhe të shpëtojë demokracinë, e vënë në një provë të vështirë këto vitet e fundit nga rikthimi i ideologjive dhe i nacionalizmave të vjetër, dhe vetë të ardhmen e Bashkimit Europian.

Është ajo që Papa Françesku ka thënë në “Messaggio Urbi et Orbi” të Pashkës, duke e ftuar Europën që të japë një provë konkrete solidariteti: «Pas Luftës së Dytë Botërore, ky kontinent ka mundur të ringjallet falë një shpirt konkret solidariteti […]. Është jashtëzakonisht urgjente, sidomos në rrethanat aktuale, që rivalitetet të mos marrin energji, por që të gjithë ta njohin veten pjesë të një familjeje të vetme dhe të ndihmohen reciprokisht». Sot, ka vazhduar Papa, «Bashkimi Europian ka përballë vetes një sfidë epokale, nga e cilave do të varet jo vetëm e ardhmja e tij, por ajo e të gjithë botës». /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat