Muri u shemb, historia nuk mbaroi dhe Gjermania ka zgjedhje të vështira për të bërë

Analiza

Muri u shemb, historia nuk mbaroi dhe Gjermania ka zgjedhje të vështira për të bërë

Nga: Philip Stephens Më: 5 tetor 2020 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Gjermania ka përparuar në kohërat më të mira. Tani, asaj i duhet të lundrojë nëpër ato që po formësohen si më të këqijat. Muajin tjetër, ajo feston 31 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Mes një vale në rritje mosmarrëveshjesh ndërkombëtare, ribashkimi paqësor i Gjermanisë ka qenë një triumf për demokracinë liberale dhe një spirancë stabiliteti politik. Tani, rendi global që e bëri të mundur, po zhduket në horizont.

Kërkoni përshkrime të Gjermanisë së sotme dhe përgjigjet zakonisht përfshijnë fjalër “e begatë”, “e qëndrueshme”, “e moderuar”. Disa mund të shtojnë “e vetëkënaqur”, dhe gjithmonë do të ketë disa mbështetës të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, që jetojnë makthin e një Rajhu të katërt. Në kohë të trazuara, kombi më i fuqishëm i Evropës përcaktohet nga stabiliteti i tij – një qëndrueshmëri kombëtare e rrënjosur në refuzimin e ekstremeve.

igurisht, Gjermania ka qoshet e saj të errëta. Ajo nuk ka qenë imune ndaj ndarjeve ekonomike dhe sociale që sfidojnë elitat politike në të gjithë Evropën. Ka populistët e vet – Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë, Linke në ekstremin e majtë. Ata që supozonin se kapitalizmi gjerman gjithmonë luan sipas rregullave, janë tronditur nga mashtrimet në kurriz të mjedisit, në industrinë legjendare të makinave. Adhuruesit e aftësive të saj të pashoqe inxhinierike e kanë të vështirë të shpjegojnë një infrastrukturë kombëtare të shkatërruar.

Me të njëjtën monedhë, ribashkimi ka sjellë zhgënjime. Investimi i madh në ish Republikën Demokratike Gjermane nuk e ka zhdukur vijën ndarëse midis lindjes dhe perëndimit. Leipzigu dhe Dresdeni kanë rilindur si qytete të mëdha, por lindja nuk ka arritur të tërheqë biznese private të vetëqëndrueshme. Më të mirët dhe më të zgjuarit shkojnë në perëndim. Një brez i “të lënëve pas” vazhdon të kërkojë siguritë e komunizmit. Ostalgia, e quajnë.

Të gjitha këto sfida janë relative. Shumica e qeverive të tjera evropiane nuk do të hezitonin aspak, që t’i shkëmbenin problemet e Berlinit, me të vetat. Në një epokë zhgënjimi popullor, ajo që bie në sy është niveli i lartë i besimit në institucionet politike dhe civile të Gjermanisë – besim që qëndron në themel të aftësisë për të përballuar dhe zbutur tronditje të papritura.

Hapja e kufijve në 2015 për 1 milion imigrantë nga Siria dhe më gjerë, dukej për pak kohë se do të mund të mbingarkonte administratën e Kancelares Angela Merkel. E djathta ekstreme në formën e AfD vuri këmbë në Bundestag. Procesi pasues i integrimit nuk ka qenë i përsosur, por kriza ka kaluar prej kohësh – e mbytur nga nivelet e larta të angazhimit civil, që shënojnë sistemin federal të Gjermanisë.

Përgjigja ndaj pandemisë Covid-19 ka shfaqur të njëjtën aftësi. Përgjegjësia është ndarë midis niveleve të ndryshme të qeverisjes. Qytetarët janë angazhuar. Shkalla e infeksioneve dhe vdekshmërisë së Gjermanisë është më e ulta ndër vendet e mëdha të Evropës.

Atëherë, pse të kemi frikë nga kohë më të këqija? Për më shumë se tre dekada, historia ishte në anën e Gjermanisë. Tani, stabiliteti i jashtëm mbi të cilin ajo ndërtoi suksesin e saj të brendshëm, i ka lënë vendin pasigurisë më të madhe gjeopolitike të epokës së pasluftës. Prania e SHBA në Evropë garantonte sigurinë e kontinentit. Mençuria e udhëheqësve politikë të Bonit në përballjen me tmerret e nazizmit, krijoi një strehë pas së cilës Gjermania mund të rindërtonte ekonominë e saj ndërsa nguliste demokracinë.

Pajtimi franko-gjerman dhe krijimi i BE tërhoqi në të njëjtin drejtim, drejt një sistemi të bazuar në rregulla, në të cilin lulëzoi ekonomia e tregut social. Ujdia u shkonte për shtat të gjitha palëve. Frika midis fqinjëve për një riarmatosjes gjermane ua la përgjegjësinë e sigurisë – dhe barrën e shpenzimeve të mbrojtjes – amerikanëve, francezëve dhe britanikëve.

Për më shumë se një dekadë pas rënies së murit, gjermanët mund t’i thoshin vetes se ky bashkim do të zgjaste përgjithmonë. Modeli gjerman i fuqisë së normave, do të shërbente së bashku me fuqinë ushtarake amerikane si një roje e bashkimit. Siç shprehej ish-kancelari Helmut Kohl: “Për herë të parë në historinë tonë, ne jemi të rrethuar vetëm nga miq”.

Ky ishte kopshti i rrethuar me mure, pas të cilit lulëzoi republika. Të them të drejtën, gjermanët nuk ishin vetëm në mendimin se bota kishte arritur në fund të historisë. Jeta e vërtetë ka dalë ndryshe.

Rusia e Vladimir Putinit është rishfaqur si një fuqi revanshiste, duke kërkuar të rishikojë kufijtë kombëtarë me forcë. Kina ka hedhur poshtë modelin perëndimor në favor të kapitalizmit të kontrolluar nga shteti, i lidhur ky me shtypjen politike.

SHBA-të janë kthyer nga vetja ndërsa Kina shtyn jashtë. Nacionalizmi është kthyer në Evropë. Kjo është më shumë bota e lojërave të fuqive të shekullit të 19-të, sesa internacionalizmi bashkëpunues i gjysmës së dytë të 20-të.

Udhëheqësit e Gjermanisë e kanë kuptuar këtë. Frank-Ëalter Steinmeier, ish-ministër i jashtëm dhe tani president federal, ka folur me elokuencë mbi nevojën që Gjermania të marrë pjesën e saj të barrës së sigurisë. Shumë e kujdesshmja zonja Merkel zakonisht ofron një dremitje retorike, sa i përket më të madh gjerman në mbështetje të një rendi të bazuar në rregulla.

Megjithatë ka ende pak shenja për një ndryshim korrespondues në mendësinë kombëtare. Në kohë krizash, instinkti i parë i Gjermanisë është të ndërmjetësojë. Në një botë ku shumë të tjerë preferojnë që në fillim të qëllojnë, kjo nuk është gjë e keqe. Por pavarësisht nëse është agresion rus, aventurizëm turk apo ekspansionizëm kinez, çrregullimi i ri global paraqet zgjedhje të pashmangshme. Ka raste kur kombet – përfshirë Gjermaninë – duhet të zgjedhin në cilën anë reshtohen. / FT – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat