Nuk duhet të mësohemi me katastrofat

Analiza

Nuk duhet të mësohemi me katastrofat

Nga: Slavoj Žižek Më: 5 tetor 2020 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Fjalët e fundit të personazhit Big Boss tek videoloja Metal Gear Solid 4 e Hideo Kojima sot janë më aktuale se kurrë: “Nuk bëhet fjalë për ndryshimin e botës. Bëhet fjalë për të bërë më të mirën, për ta lënë ashtu siç është”. Janë fjalë aktuale, por me disa shtesa: thatësira, djegia e pyjeve, koronavirusi, varfëria si rezultat i të pasurve të rinj. Nëse duam ta lëmë botën ashtu siç është, duhet ta ndryshojmë rrënjësisht. Nëse nuk bëjmë asgjë, ajo shpejt do të bëhet e panjohëshme. Dhe tani për tani ne nuk po bëjmë pothuajse asgjë: marrëveshjet kundër krizës klimatike e maskojnë këtë asgjë.

Një shembull i këtij qëndrimi janë zjarret në Shtetet e Bashkuara. Siç shpjegon shkrimtari Mike Davis: “Në fund të viteve 1940, rrënojat e Berlinit u bënë një laborator ku studiuesit e shkencave natyrore analizonin rilindjen e bimëve pas tre vjetësh bombardime.

Ata prisnin që bimësia e rajonit të rikthehej shpejt. Por zbuluan se nuk ndodhi kështu. Ato që dominuan ishin bimët e ardhura nga kush e di se ku. Lindi një debat mbi ‘Natyrën II’. Teza ishte se nxehtësia e zjarreve të shkaktuara nga bombat dhe pluhurizimi i strukturave me tulla kishte krijuar një tokë të re, që favorizonte kolonizimin nga bimë të tilla si pema e parajsës, e cila kishte evoluar në Pleistocen, në zonat akullnajore.

Një luftë bërthamore, paralajmëruan shkencëtarët, mund të riprodhojë këto kushte ‘kudo'”. Davis vazhdon më tej: “Në vitin 2009, pas zjarreve të së Shtunës së Zezë në Victoria, shkencëtarët australianë llogaritën që energjia e lëshuar nga flakët ishte e barabartë me shpërthimin e 1.500 bombave të Hiroshimës. Zjarret në shtetet e Paqësorit të SHBA janë më të përhapura dhe fuqia e tyre është e krahasueshme me atë të qindra bombave me hidrogjen. Një natyrë e re ogurzezë del nga zjarre”.

Ne si “njerëzim” jo vetëm që jemi “duke shkatërruar natyrën”, por jemi duke favorizuar njëkohësisht lindjen e një natyre të re, në të cilën nuk do të ketë vend për ne. A nuk është pandemia covid-19 një shembull? Pra, nuk duhet të shqetësohemi shumë për natyrën: ajo do të mbijetojë, do të ndryshohet vetëm deri në pikën që të na pengojë ta njohim. Le t’ia bëjmë atëherë vetes pyetjen e Leninit: çfarë të bëjmë? Ekzistojnë katër zgjidhje të rreme, që duhen shmangur ashtu si një një vampir shmang hudhrën.

Së pari, fakti që jemi përballur me një kombinim krizash të ndryshme nuk duhet të jetë një justifikim për t’i trajtuar ato veçmas, në kurriz të gjërave të tjera, siç duan të thonë ata që shprehen se në luftën kundër pandemisë kemi të drejtë të anashkalojmë krizën e klimës ose që rendi publik është më i rëndësishëm sesa zbutja e pandemisë. Protestat e “Black lives matter” janë një reagim jo vetëm ndaj brutalitetit të policisë, por edhe ndaj padrejtësive ekonomike; pandemia i ka rrënjët në marrëdhënien tonë të shtrembëruar me natyrën e kështu me radhë.

Së dyti, nuk duhet të konkludojmë se nevojitet një lloj progresi moral, vetëm sepse po përballemi me një krizë komplekse. Ata që janë në pushtet gjithmonë kërkojnë një etikë të re si një rrugëdalje. Pas krizës financiare të vitit 2008, figurat publike – nga papa e poshtë – na bombarduan me ftesa për të luftuar kulturën e konsumizmit. Edhe sot kemi dëgjuar zëra të ngjashëm: ndërhyrjet ekonomike nuk janë të mjaftueshme, vetëm një etikë e re mund të na shpëtojë.

Zgjidhja e tretë e rreme është urtësia e gënjeshtrët e medias, sipas së cilës pandemitë dhe kriza e klimës janë fakte të jetës dhe ne thjesht duhet të mësojmë të jetojmë me to, që do të thotë të mësohemi me “natyrën e re të keqe”. Kjo urtësi është e rreme, sepse infeksionet, ngrohja globale, dhe kështu me radhë, nuk janë fakte të jetës, ato vijnë nga bashkëveprimi ynë me natyrën dhe me njëri-tjetrin, thjesht mendoni se si ka ndryshuar ndotja e ajrit gjatë bllokimit të marsit dhe prillit.

Zgjidhja e katërt e rremë është të mendojmë se ai që na duhet sot është një perceptim i qartë i të gjitha dimensioneve të krizës që po kalojmë, dhe ndryshimit rrënjësor shoqëror që na imponon ky perceptim. Veprimi duhet të ndjekë mendimin. Por armiqtë tanë gjithashtu mendojnë, megjithëse në mënyrën e tyre: për shembull, paralelisht me “zonat pa Covid”, konservatorët polakë flasin për “zona pa lgbt” që janë krijuar tashmë në një të tretën e vendit. Të tjerët e lidhin pandeminë me multikulturalizmin, kështu që ata e shohin një identitet të fortë kombëtar si një formë mbrojtjeje.

Atëherë, cila është mënyra e duhur për të vepruar? Nëse ju, të dashur lexuese ose lexues, nuk e keni menduar, nuk ka shpresë për ju. Ne nuk duhet të presim për veprime globale, por të përfshihemi në beteja specifike dhe t’i koordinojmë ato me beteja të tjera: për të luftuar krizën e klimës na duhen shumë Assange, për të mposhtur pandeminë na nevojitet një kujdes shëndetësor global, për të eleminuar racizmin dhe seksizmin ne kemi nevojë për ndryshime ekonomike. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat