Amerika ende nuk është aleate e Serbisë

Analiza

Amerika ende nuk është aleate e Serbisë

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 25 tetor 2020 Në ora: 06:10
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Një fjalë urtë popullore thotë: “Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë”. Ose si thonë anglezët : “ From  words to deeds is a great  sea”.

*** Edhe pse A.Vuçiqit këtë ia "kana" shumë, që edhe Amerika të jetë një aleat i Serbisë sikurse Rusia dhe Kina, mirëpo, ai, duhet të ketë parasysh faktin se ka për të kryr shumë "detyra shtëpie" për ta bindur Amerikën dhe aleatët e saj evro-perëndimorë, se Serbia vërtet e meriton që Amerikën ta ketë aleat të saj, A. Vuçiqi, së pari, duhet ta njohë Republikën e Kosovës, ashtu si e ka njohur Amerika. Ndryshe, Serbia  nuk ka gjasa minimale që ta  përfitojë Amerikën si aleat të saj ndërkombëtar.

*** Natyrisht, këtë do ta dëshironte shumë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbia, mirëpo, derisa  Beogradi zyrtar nuk e njeh Reublikën e Kosovës, është e pabesushme dhe joreale, që Amerika të jetë  aleate e Serbisë, ashtu sikurse janë Rusia dhe Kina.

Me gjithë ndihmën e deritashme ekonomike, tregtare, të bizneseve dhe të investimeve të ndryshme të Amerikës në Serbi (2001-2020), si dhe të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore diplomatike midis Beogradit dhe Uashingtonit, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes ekonomike në Uashington, më 4 shtator 2020, ku presidenti Donald Tramp me emisarin e tij shtetëror Richard Grenell për Dialogun e Brukselit të palëve negociuese serbo – shqiptare (Beograd-Prishtinë) inkurajoi dhe mbështeti presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kreyeministrin Avdulla Hoti, që të nënshkruanin marrëveshjen  për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk do të thotë se tani, pas 4 shtatorit, Amerika  “është bërë aleate e Serbisë”, ashtu sikurse është prononcuar  naivisht A. Vuçiq : “Me gjithë standradin e dyfishtë, Serbia nuk ka rrugë tjetër  përveç rrugës evropiane, të cilën, duhet ta vazhodjë dhe, njëkohësisht  t’i ruajë aleatët  dhe miqtë e vet tradicionalë siç janë Rusia, Kina dhe SHBA-ja”.

Edhe pse presidenti A.Vuçiq Amerikën e konsideron si aleat të mundshëm, duke i riparuar dhe, duke i ngritur marrëdhëniet dhe lidhjet në shkallën më të lartë ndërshtetërore, jetësimi në praktikë i kësaj  skeme strategjike nuk është fare e lehtë, sepse derisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës (17.02.2008), ashtu siç e ka njohur Amerika dhe më se 100 shtete të tjera të OKB-së, as presidenti Aleksandar Vuçiq, as Serbisa nuk mund të llogarisin e as të shpesojnë se Amerika do bëhet aleat i tyre. Kjo nuk do të ndodhë pavarësisht  nga dëshira e presientit A. Vuçiq, si dhe nga  shkalla e tanishme e marrëdhënieve diplomatike të Beogradit me Uashingtonin.

Në Bruksel nuk do arrihet kurrfarë kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës, nëse Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës!

Kjo nuk e vështirë për t’u ditur, sepse qe 8 vjet presidenti serb Aleksandar Vuçiq me fanatizëm mbron konceptin strategjik të politikës, të diplomacisë dhe propagandës së regjimit të Slobodan Milosheviqit, të Kishës Ortodokse Serbe, të Akademisë Shkencave dhe të Arteve Serbe të Beogradit, si dhe të “Velika Srbija” të Vojislav Sheshelit, se  “Kosova është e Serbisë”. Kështu thuhet edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë së vitit 2006.

Prandaj, ata liderë politikë  me medium e tyre të verdha ditore, që po propagandojnë se Serbia do ta njohë Kosovën me të përfunduar Dialogu i Brukeslit,  janë duke parë  “ëndrra duke ecur”, përkatësisht janë duke e mashtruar  dhe dezorientuar popullin shqiptar në Kosovë, që ai t’u japë ndonjë “dritë të gjelbër” përfaqësuesve të vet në qeveri apo në parlament, në mënyrë që të bëjnë ndonjë “kompromis të dhembshëm” , të keq, të dëmshëm dhe katastrofik për fatin e Kosovës shqiptare.

Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve të sajt ekzistues. Këtë pazar të keq-anipavarësi dhe antisovranitet territorial dhe shtetëror të Kosovës, do ta prishë Lëvizja Vetëvendosje së bashku me popullin, i cili nuk do të lejojë copëtimin e territorit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, ashtu si i konvenon politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të saj.

“Kompromisi” sipas “syzeve diplomatike” të presidentit A. Vuçiq !?

Ende pa u arritur Marrëveshja e Uashingtonit (4 shtator 2020) për normalizimin e marredhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq që në mbledhjen trilaterale në Bruksel (16 korrik 2020), ku veç palëve negociuese serbo – shqiptare të Serbisë dhe të Kosovës, morën pjesë edhe  ndërmjetësit e BE-së, Zhosep Borell dhe Miroslav Lajçak, pati deklaruar se gjoja “pala negociuese shqiptare me kryeministrin Abdulla Hoti në krye, nuk i kanë të qarta temat për të cilat duhet biseduar, duke qenë se kryeministri Hoti 20 herë përsëriti sintagmën  ‘dy shtete’. –E,  çfarë, do bëhej nëse,  edhe unë do përsërisja çdo herë ‘ një shtet dhe një krahinë autonome. Kjo do të thoshte se ndokush ka ardhur këtu jo të bisedojë, por të mendojë se ekziston mundësia për  ndonjë nënçmim të rëndë, që të pranohet ajo çfarë është në interesin e tyre.”

Së pari, ky është  një budallallëk apolitik i Vuçiqit, i cili  kurrë nuk do ta shpierë drejt BE-së dhe Amerikës, pa e njohur de fakto dhe de jure shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, edhe pse  sipas Kushtetutës në fuqi të Serbisë, “Kosova është krahinë e Serbisë”(2006),  Kosova është shtet i pavarur, ashtu si Serbia , edhe pse Kosova ende nuk është e njohur nga OKB-ja, si rrjedhim i VETO-s së Rusisë dhe abstenimit të Kinës, që duke favorizuar kolonializmin gjenocidal dhe hegjemonizmin e Serbisë,  duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS-së të OKB-së (10.VI.1999), e cila nuk e njeh  shtetin e pavarur të Kosovës. Mirëpo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e së OKB-së, në bazë të Opinionit të saj këshillëdhënës e njeh Republikën e Kosovës (22 korrik 2010), duke vlerësuar se, është shpallur në përputhje me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare.

-E tërë kjo gjendje faktike dhe juridike, do të thotë se Kosova është shtet i pavarur, edhe pse  këtë nuk e njeh Beogradi zyrtar. Mirëpo, kjo është çështje e brendshme politike e Serbisë, jo e së drejtës ndërkombëtare , siç ka konstatuar në mënyrë të argumentuar dhe me plot të drejtë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Pra, në rastin konkret, presidenti Serb A.Vuçiq nuk ka pse ta kritikojë kryeministrin Avdullah Hoti, pse ai  “20 herë e paska përsëritur togfjalëshin-DY SHTETE”. -Hoti, shumë mirë ia paska qëlluar, se vërtet Kosova dhe Serbia janë dy shtete, pavarësisht kundërshtimit të gabuar të Vuçiqit, i cili, sikurse dikur kryekrimineli Slobodan Milosheviq, ashtu edhe sot krimineli Vojislav Sheshel nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran jashtë Serbisë kolonialiste.

Mirëpo, kryeministri A. Hoti ka të drejtë dhe, sipas Kushtetutës, është i detyruar të shprehet, se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të barabarta, edhe pse nuk janë të barabarta në OKB, sepse Rusia dhe Kina kanë bllokuar ndryshimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit  të OKB-s. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është shtet i pavarur nga Serbia, edhe pse kjo, Rusia, Kina, Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe gjysmëqiproja greke nuk e njohin  Republikën e Kosovës.

Prandaj, kështu, si Avdullah Hoti, “edhe SHBA-ja, edhe shumica e BE-së, Kosovën dhe Serbinë i konsiderojnë si dy shtete të pavarura”. Këtë e ka deklruar vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq”.

Andaj, Aleksandar Vuçiqit nuk ka pse t’i “dhembë koka” ,dhe, pse të “ndihet alergjik”  ose “ i nënçmuar”, kur ulet përballë Hotit, dhe nga ai dëgjon akuzat e tij të drejta dhe të argumentuara se “ shqiptarët janë viktima e serbët kriminelë, se ne duhet t’i paguajmë reparacionet e luftës…, se Kosova është shtet etj. Të gjitha këto i kam  hedhur poshtë, duke mbyllur çdo bisedë lidhur me to.” !?

Po, meqë Vuçiqi qenka  alrgjik në cilësimin e serbëve si “kriminelë”, ashtu sikurse akademiku Frashër Demaj, i cili në një panel televiziv me kryeakademikun Mehmet Kraja,  deklaroi se “Serbët nuk janë ata që kanë kryer terror dhe vrasje në Kosovë; se Gjykatat serbe nuk janë ato që kanë dënuar me qindra e me mija shqiptarë, por ishin gjykatat jugosllave”

-Atëherë, shtrohet pyetja serioze, pse, ç’kërkon presidenti Aleksandar Vuçiq në negociatat e Brukselit, kur ai nuk pranon ta njohë Republikën e Kosovës (2008); nuk pranon që të paguajë të gjitha reparacionet e luftës së Serbisë, e  cila ka shkatërruar dhe djegur Kosovën, si dhe ka vrarë e maskaruar mbi “13.0000” shqiptarë të të gjitha moshave.

-Ja,  këto janë faktet dhe argumentet  për të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duhet të ndihet keq dhe të kërkojë falje publike në emër të të gjithë serbëve dhe të Serbisë për shkak të krimeve të gjenocidit të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999).

Sipas  “Telegrafi.com” të Prishtinës,  bilanci i vrasjeve  në njerëz, si dhe i shkatërrimeve dhe i dëmeve materiale në Kosovë nga ana e Serbisë gjenocidale pushtuese , është ky:  ““Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358; zyra të vendit: 71; shtëpi kulture: 30; biblioteka publike dhe shkollore: 93; objekte shëndetësore: 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; kisha katolike: 5; objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101; pasojat e luftës në njerëz, masakra të mëdha, vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999; Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova,  1.392 fëmijë deri në 18 vjeç;  296 fëmijë deri në 5 vjeç;  1.739 femra;  1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare;  1.450 banorë ende janë të pagjetur; Janë dhunuar 20.400 femra shqiptare. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatët të dëbuar prej Kosove, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së. Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një totali prej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.”” 

Sa më sipër, këto shifra statistikore të kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë ndaj shqiptarëve nuk mund të cilësohen ndryshe veçse krime kundër njerëzimit,që kanë pasur për qëllim shfarosjen e  një pjese të kombit shqiptar në Kosovën e Shqipërisë Etnike.

Këtë të vërtetë  dhe tragjedi të hidhur historike, kombëtare dhe të përgjkashme të mbi 90% të shqiptarëve nuk mund ta shlyejnë as  pseudoakademikët serbomëdhenjë të ASHAS-së,  as priftërinjtë, peshkopët dhe patriarkët falsifikatorë dhe manipulues serbomëdhnejë, të cilët me shekuj kanë misitifikuar dhe shtrembëruar të vërtetën historike, kombëtare, territoriale dhe shtetëore shqiptare dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1389-2020).

Gjithashtu, këtë të vërtetë të gjenicidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999) nuk mund “retushojnë”  dhe ta shlyejnë nga kujtesa historike e  brezit të sotëm dhe, e asnjë brezi të nesërm shqiptar, as ato paçavure të  alla-akadmikëve shqipfolës, të cilët pohojnë dhe shkruajnë botërisht, se në “Kosovë serbët nuk kanë kryer krime dhe terror; se në Kosovë, shqiptarët nuk i kanë dënuar gjykatat serbe, por ato jugosllave” !?

-Letra duron gjithëçka, por faktet dhe argumentet e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë janë të parrëzueshme dhe nuk parashkruhen kurrë sipas së drejtës ndërkombëtare. Zbardhja e këtyre fakteve varet vetëm nga vetë shqiptarët, domethënë  nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, duke u bazuar edhe në “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë,  të miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 16 maj 2019”, në mënyrë të ngritet procedura ligjore për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat