Pse sondazhet e zgjedhjeve gabojnë kaq shpesh

Analiza

Pse sondazhet e zgjedhjeve gabojnë kaq shpesh

Nga: Tim Harford Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Irving Fisher, që një shekull më parë ishte një nga ekonomistët më të njohur në botë, deklaroi në një rast:”Biznesmeni i zgjuar parashikon vazhdimisht”. Epo, ndoshta është kështu. Por sa veprim i zgjuar është të parashikosh vazhdimisht, kur parashikimet dalin kaq shpesh të gabuara?

Shuma të mëdha parash, për të mos përmendur rezervate pallogaritshme të energjisë intelektuale dhe emocionale, u investuan mbi problemin e gjetjes se kush do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale amerikane këtë javë. Sondazhet në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme sugjeruan një fitore të madhe të demokratit Xho Bajden.

Por gjërat nuk shkuan saktësisht kështu. Çfarë dinim më parë? Që nëse sondazhet do të gabonin ashtu si në vitin 2016, zgjedhjet do të përfundonin me Donald Trumpin shumë afër fitores në Florida dhe Pensilvani. Është e vërtetë që epërsia e Bajdenit ishte më e madhe dhe më e qëndrueshme se ajo e Hilari Klintonit në vitin 2016.

Dhe anketuesit në parim i kishin korrigjuar gabimet e tyre të mëparshme. Në fakt sondazhet në nivel shtetesh u zhvilluan në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtat vende sikurse ishin kryer në vitin 2016 dhe në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2018.

Anketuesit nuk duan që të gabojnë, dhe sidomos nuk u pëlqen të gabojnë në të njëjtën mënyrë dy herë me radhë. Pra, ndërsa gabimet në sondazhe janë të zakonshme, është e çuditshme se si “rrufeja” goditi dy herë në të njëjtin vend.

Në këtë fazë të hershme, mund të merret me mend se çfarë shkoi keq. Por vlen të nënvizohet vështirësia me të cilën përballen anketuesit. Për shembull kini parasysh situatën në Florida, ku sondazhet sugjeronin se Bajden do të fitonte 51 për qind të votave, dhe Trump 48-49 për qind.

Rezultati aktual ishte i kundërt. Por të dhënat parazgjedhore, sugjerojnë që në një sondazh tipik me 500 përgjigje pozitive, 255 shkuan pro Bajden dhe 243 për Trumpin. Por nivelet tipike të përgjigjes janë 5 në 100 dhe shpesh më i ulët, thotë Endrju Gelman, statisticien dhe modelues i zgjedhjeve.

Ai thotë se vetëm rreth 1 në 100 njerëz përgjigjen në sondazhet e opinioneve. Tani kini parasysh 10.000 njerëz, 255 prej të cilëve deklaruan votën e tyre për Bajdenin, 243 për  Trumpin dhe 9.500 të tjerë që nuk u përgjigjën. Sa të sigurt ndihemi tani?

Ç’është më e keqja, njerëzit që përgjigjen do të jenë sistematikisht të ndryshëm nga ata që nuk e bëjnë: më të moshuar dhe të bardhë, dhe me shumë gjasa gra. Ankuesit mund të përpiqen t’i korrigjojnë këta faktorë, për të garantuar që demografia e sondazhit të përputhet me demografinë e regjistrimit të popullsisë.

Ndoshta kubanezo-amerikanët në Florida janë të nën-përfaqësuar në sondazh me një faktor 3. Ok:Le të themi që numrin e kubano-amerikanëve që përgjigjen, e shumëzojmë me 3. Por a ndihmon kjo gjë? Çfarë sigurie kemi që pakica e vogël e atyre që mundohen të përgjigjen, të jetë përfaqësuesja më e mirë e shumicës dërrmuese që nuk do të përgjigjet?

Një anketues më tha:”Në gjysmën e rasteve, rregullimet tona i përmirësojnë gjërat. Në gjysmën tjetër i përkeqësojnë ato”.Ajo që i ndërlikon më shumë gjërat është çështja e pjesëmarrjes. Dikush mund t’u tregojë anketuesve se ka në plan të votojë.

Por a do ta bëjnë vërtet këtë gjë? Kjo shkaktoi probleme në parashikimin e rezultatit të referendumit për Brexit në Britaninë e Madhe. Votuesit e moshuar, më pak të arsimuar u thanë anketuesve se do të paraqiteshin në qendrat e votimit, për të votuar pro largimit të vendit nga BE.

Zgjedhjet e mëparshme, kishin sugjeruan të kundërtën. Ankuesit të cilët i vunë më shumë peshë historikut sesa të dhënave të tyre konkrete u përgënjeshtruan. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit në SHBA ka qenë jashtëzakonisht e lartë, duke i shkaktuar anketuesve një tjetër dhimbje koke.

Por nuk duhet që ta ekzagjerojmë këtë problem. Sondazhet prodhojnë informacion. Çdo shtet që “Financial Times” parashikoi se do të votojë për Bajdenin, votoi në fakt për të. E njëjta gjë ndodhi edhe me Trumpin. Këto parashikime nuk u bënë me intuitë politike, por duke parë se ku sondazhet parashikuan një diferencë më të sigurt.

Dhe nuk është se sondazhet nuk na thanë asgjë. Problemi se ato nuk mundën të na tregonin ato që ne dëshironim që të dinim. Ne duam parashikime të sigurta, por s’mund ta marrim gjithnjë atë që duam. Në një garë të ngushtë, ku shumica e njerëzve refuzojnë të flasin me anketuesit, sondazhet e opinionit nuk mund të zhdukin pasigurinë.

Fisher kishte mjaft të drejtë kur theksonte nevojën për të menduar mbi të ardhmen. Tek e fundit, duhet të peshojmë shanset tona, dhe të marrim vendimet tona. Por, siç vuri në dukje bashkëkohësi i tij Xhon Mejnard Kejnesi, ndonjëherë “ne thjesht nuk e dimë”.

Dhe meqë Fisher humbi në fund gjithçka, ndërsa Kejnesi vdiq si milioner, një mosbesim sado i vogël ndaj parashikimeve është shumë i dobishëm. Në çdo rast, ne duhet të mësojmë të jetojmë me pasigurinë. Ndoshta duhet të fiksohemi më pak pas pyetjes:“A do të ndodhë?”,  dhe t’i kushtojmë më shumë mendime asaj, se çfarë do të bënim nëse do të ndodhte. / FT

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat