A mund të udhëheqë ende Perëndimi?

Analiza

A mund të udhëheqë ende Perëndimi?

Nga: Jaroslav Trofimov Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 00:49
Foto ilustrim

Duke folur para Murit të Berlinit në qershorin e vitit 1987, presidenti amerikan Ronald Reagan iu drejtua homologut të tij sovjetik:“Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur!”. Duke paralajmëruar rënien e bllokut sovjetik dhe rënien e Murit 2 vjet më vonë, Regan shpjegoi se pse triumfon SHBA-ja dhe aleatët e saj:”Ne shohim sot në Perëndim një botë të lirë, që ka arritur një nivel zhvillimi dhe mirëqenie të paparë gjatë gjithë historisë së njerëzimit.

Liria të çon drejt prosperitet dhe fitores”.

Por sot, Perëndimi e sheh veten të zhytur në një krizë ekzistenciale. Roli i tij si një “fanar” global është në dyshim, dhe institucione të tilla si NATO janë sikurse është shprehur presidentit francez Emanuel Makron “në një vdekje klinike”.

Populizmi nacionalist në të djathtë, dhe politika e identitetit në të majtë,po kërcënojnë seriozisht atë që dikur ishte një konsensus i gjerë, i rrënjosur në vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, një konsensus i lindur nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë.

Ndërkohë, rritja e mahnitshme e Kinës gjatë 3 dekadave të fundit,tregon se prosperiteti mund të vijë edhe pa liri. Kjo paradigmë e re, po frymëzon aktualisht autokratët në të gjithë botën. Pandemia e koronavirusit që u shfaq fillimisht në Kinë, ka goditur veçanërisht Perëndimin, duke shkatërruar ekonomitë në të dyja anët e Atlantikut, teksa shumica e qeverive nuk arritën qëta ndalnin valën e dytë të Covid-19.

Dhe kërcënimet ndaj Perëndimit nuk vijnë vetëm nga jashtë. Siç e tregon debati i javës së fundit mbi zgjedhjet në SHBA, besimi në ndershmërinë e institucioneve demokratike, për shumë njerëz nuk është diçka e mirëqenë, mes një polarizimi politik që shpesh i bën jehonë të madhe teorive të konspiracionit.

Nga konspiracionistët e krahut të djathtë “QAnon”, tek anarkistët e Portlendit që rrethojnë ndërtesat e qeverisë federale, tek Jelekët e Verdhë në Francë, apo të ashtuquajturit “Reichsburgers” në Gjermani, zhgënjimi dhe zemërimi me statuskuonë, ka nxitur më shumë qytetarë të demokracive perëndimore të dalin jashtë politikës së sistemit aktual.

Sot vetëm një e treta e evropianëve kanë një pikëpamje pozitive mbi SHBA, sipas një sondazhi të kryer në shtator nga Pew Research, gati po aq sa mendimet pozitive mbi Kinën dhe Rusinë.

Perëndimi gjeopolitik është një krijesë relativisht e kohëve të fundit. Ai u ndërtua nga demokracitë që e fituan Luftën e Dytë Botërore kundër një ideologjie totalitare, nazizmit, dhe u barrikadua në dekadat pasuese të Luftës së Ftohtë kundër një sistemi tjetër totalitar, bllokut komunist të udhëhequr nga sovjetikët.

Vlerat e këtyre demokracive, u bënë themeli i institucioneve të reja që mbështesin Perëndimin, si NATO dhe pararendësit e Bashkimit Evropian, që bënë bashkë-fituesit dhe humbësit e luftës. Karta themeluese e NATO-s në vitin 1949, shpalli një angazhim për “parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës”.

Janë pikërisht këto parime, ato që e bënë Perëndimin kaq tërheqës për ata që iu mohuan liritë themelore në anën lindore të ‘Perdes së Hekurt’, dhe që i bëri vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore aq të etura t’i bashkoheshin BE-së dhe NATO-s pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Por fakti që këto vlera formuan thelbin e konsensusit politik në Perëndim për më shumë se 7 dekada, ishte më shumë një produkt i përvojës historike, sesa një tipar i lindur i civilizimit perëndimor. Mbi të gjitha, dy ideologjitë totalitare që e përgjakën Evropën në gjysmën e parë të shekullit XX, duke theksuar se liritë individuale duhej të shtypeshin në emër të luftës së klasave apo epërsisë racore, janë po aq produkt i kulturës dhe i historisë perëndimore sa edhe idealet e ndriçuara demokratike, që në fund fituan epërsinë.

Këto ideologji totalitare, nuk u zhdukën kurrë plotësisht, dhe trashëgimtarët e tyre mutantë po nxjerrin sërish kokën në sipërfaqe në kuadrin e lëvizjeve të ndryshme populiste. Një dekadë pasi Frensis Fukujama shpalli “fundin e historisë” dhe triumfin e demokracisë liberale pas Luftës së Ftohtë, një konflikt i ri i konsumoi energjitë e Perëndimit: lufta globale kundër islamizmit militant të Al Kaidës, Talibanëve dhe më vonë Shteti Islamik.

Arroganca fillestare me të cilën SHBA-ja dhe aleatët u përpoqën të ri-formatojnë Afganistanin dhe Irakun, u la vendin frustrimeve mbi kufijtë e fuqisë së Perëndimore. Njëherazi, përhapja e sulmeve terroriste në shtëpi, e shoqëruar me krizën e refugjatëve të vitit 2015, krijoi të çara të reja brenda shoqërive perëndimore.

Sulmet terroriste vazhdojnë ende, me disa viktima në Francë dhe Vjenë ditët e fundit. Edhe pse armiku i ri ishte më shumë ideologjia e Islamit politik radikal,sesa besimi mysliman në vetvete, shumë në Perëndim reaguan duke iu drejtuar një botëkuptimi më të vjetruar dhe jo liberal në mesin e valëve të emigracionit mysliman.

Lëvizjet populiste që i shfrytëzuan këto ankthe, dhe u ngjitën në pushtet në disa vende, përkrahën një ide tjetër – dhe më të vjetër – të Perëndimit si një bastion i Krishterimit dhe i vlerave tradicionale të kërcënuara nga një pushtim islamik, në vend të një model universal të lirisë dhe gjithë-përfshirjes.

”Perëndimi do të bjerë, pasi Evropa është e pushtuar pa e kuptuar ende këtë gjë.Shpresa e fundit për të është Krishterimi”- deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban në vitin 2018, duke shënuar numrin e myslimanëve të lindur në kombet e BE.

Debati që ndodh sot në Perëndim, është nxitur nga terrorizmi, emigracioni, zhgënjimi mbi thellimin e pabarazisë ekonomike, sidomos pas krizës financiare të vitit 2008. Ndërsa udhëheqësit autokratikë të vendeve të NATO-s si Orban në Hungari dhe Erdogan në Turqie forcuan pushtetin e tyre, besimi dikur gati universal tek demokracia përfaqësuese, nisi të zbehej në të dyja anët e Atlantikut.

Sipas një studimi të Pew Research, vetëm 46 për qind e amerikanëve besonin vitin e shkuar se qeveria amerikane po qeveriste për të mirën e të gjithëve, nga 65 për qind që ishte kjo normë në vitin 2002. Në Gjermani, kjo përqindje ra në 48 nga 86 për qind, në Itali në 30  nga 88 për qind.

Kritikët në të majtë, fajësojnë për situatën lakminë e shfrenuar kapitaliste, kapjen e institucioneve shtetërore të Perëndimit nga lobet e korporatave të mëdha, që janë të fokusuara në maksimizimin e fitimeve të tyre, por edhe përçarjen e shkaktuar nga presidenca Trump.

Ndërkaq të djathtët argumentojnë se kriza e demokracive perëndimore, është shkaktuar nga një hendek i madh midis publikut të gjerë, sidomos në rajone të lëna jashtë globalizimit dhe elitave teknokratike, liberale që janë larg njerëzve të thjeshtë.

Në kohën e Theçerit dhe dhe Reganit, virtytet e Perëndimit dukeshin të vetëkuptueshme.

Për evropiano-lindorët që qëndronin në radhë të gjatë nëpër dyqane, demokracia dhe prosperiteti i Perëndimit u dukeshin të pandashme. Një ekonomi e sofistikuar, moderne, cilësohej e papajtueshme me diktaturën.

Pjesërisht falë teknologjive të reja që e bëjnë shumë më efikas kontrollin e shtetit mbi qytetarët, Kina po provon se kjo është e gabuar, të paktën deri më tani. Pekini ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria, dhe ka krijuar produkte dhe kompani të reja që janë globalisht konkurruese, duke ruajtur një sistem politik gjithnjë e më shtypës.

Këto ditë, dimri i zymtë i bllokimeve të rivendosura në Angli, Belgjikë dhe Francë, ku restorantet dhe bizneset jo-thelbësore janë mbyllur pas një ringjalljeje të koronavirusit, kontraston me një jetë gati normale dhe rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike të Kinës.

Natyrisht, Partia Komuniste Kineze arriti të eleminonte kryesisht virusin,përmes zbatimit të masave tejet të ashpra dhe një mbikëqyrjeje ndërhyrëse që do të ishte e pakonceptueshme në Perëndim. Profetizimi i rënies së Perëndimit, ka qenë në modë për më shumë se një shekull.

Kështu libri “Rënia e Perëndimit” e Osvald Shpenglerit, që ankohej mbi ndikimin korruptues të demokracisë dhe shtypit, u bë bestseller në Gjermaninë e viteve 1920. Dhe në SHBA, bestselleri i Pat Bukanan i vitit 2002 “Vdekja e Perëndimit”, parashikoi shembjen e qytetërimit perëndimor, për shkak të niveleve të larta të lindshmërisë së emigrantëve.

Por përmes krizave dhe sprovave, Perëndimi ka arritur në mënyrë të përsëritur ta ri-shpikë veten, duke treguar kapacitetin për inovacion dhe ndryshim – një fleksibilitet që Kina e fillimit të shekullit XIX-të, apo Perandoria Osmane e shekullit XVII, në atë kohë në kulmin e prosperitetit dhe fuqisë, nuk arritën që t’a tregonin.  /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat