“Dora e shtetit” në ekonomi më e dukshme me Covid-in, por ja cilat janë rreziqet

Analiza

“Dora e shtetit” në ekonomi më e dukshme me Covid-in, por ja cilat janë rreziqet

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Këto kohë ngado që të hedhësh sytë sheh dezinfektues duarsh. Më parë një produkt i  përdorur për raste shumë të veçanta, ai po promovohen sot si një nga masat mbrojtëse më efektive kundër koronavirusit.

Por ky është një simbol i një ndryshimi shumë më të gjerë:gjatë kësaj pandemie, “dora” e padukshme e tregut, po i lë vendin “dorës” së dukshme të shtetit. Dhe çështje kryesore nuk është nëse a po rikthehet apo jo shteti të jetë shumë dominues në ekonomi, por çfarë forme do të ketë prania e tij.

A do të jetë një “dorë” e kujdesshme, që do të ofrojë ndihmë ekonomike dhe sociale pa dëmtuar ndërmarrjen private, apo një “dorë grabitqare” e elitave oligarkike, që e përdorin atë për përfitime ekonomike dhe politike private? Përgjigja nuk është dhe aq e qartë sa duhet.

Rënia e komunizmit në vitet 1990, tregoi pa asnjë dyshim se ato shtete, nuk kishin arritur të ndërtonin një ekonomi moderne. Ndaj zgjidhja logjike, ishte miratimi i modelit perëndimor të ekonomive të bazuara në sektorin privat, ku roli kryesor i shtetit ishte krijimi i institucioneve për funksionimin e tregut.

Që nga ajo kohë, kriza financiare dhe recesioni i vitit 2008, pabarazia ekonomike në rritje, dhe kriza e ndryshimit të klimës, kanë nxitur dëshirën për një rol më të madh të shtetit në ekonomi. Në sondazhet e viteve 2017-2020 në ekonomitë post-komuniste, 45 për qind e të anketuarve favorizuan zgjerimin e pronësisë së qeverisë mbi biznesin dhe industrinë.

Covid-19 e ka përshpejtuar këtë tendencë, dhe mund të ketë ndryshuan përgjithmonë edhe preferencat. Epidemitë e kaluara, kanë treguar se e dëmtojnë besimin e njerëzve tek institucionet që e mbështesin ekonomitë e tregut dhe demokracinë, ndërsa ata që janë në moshë madhore gjatë recesioneve të mëdha, priren të kenë një pikëpamje më pozitive të pronësisë publike dhe rishpërndarjes së të ardhurave.

Ata që rriten gjatë një epidemie, kanë rreth 2-4 pikë për qind më pak gjasa ta mbështesin pronësinë private. Ndërsa qeveritë po i përkrahin kompanitë private në vështirësi, duke u blerë një pjesë të aksioneve apo duke marrë pronësinë e plotë, mund të ketë probleme serioze.

A do t’i politizojë rritja e përfshirjes së shtetit postet menaxheriale në këto biznese? A do të çojë kjo në nepotizëm, dhe në krijimin e interesave, që do t’i bëjnë të pamundura privatizimet transparente më vonë? Bankat shtetërore, janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në shumë ekonomi në rajonet e BERZH.

Banka Kombëtare e Egjiptit, PKO e Polonisë dhe Sberbank e Rusisë janë lojtare të fuqishme në rajonet e tyre, dhe në disa raste edhe më gjerë. Ato po shfaqin një oreks më të madh për të rrezikuar. Për shembull duke siguruar kredi për kompanitë e reja që shmangen nga sektori privat.

Por disa kanë qenë të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike, gjë që mund të çojnë në dhënien e kredive në lokalitetet ku partia në pushtet përballet me zgjedhje të kontestuara. Prandaj, është urgjente të përmirësohet qeverisja e kompanive dhe bankave shtetërore.

Ato nuk duhet të marrin një mbështetje financiare indirekte, që u jep avantazh ndaj konkurentëve privatë – pa financime preferenciale, pa kufizime të buta buxhetore, apo pa ose inpute të subvencionuara (të tilla si energjia ose uji). Transaksionet ndërmjet tyre duhet të bëhen në kushte thjesht tregtare.

Përndryshe, zgjerimi i pronësisë së shtetit do të anojë fushën e lojës në dëm të sektorit privat.

Pasojat e përfshirjes më të madhe të shtetit në ekonomi, do të varen shumë nga cilësia e institucioneve dhe qeverisja publike. Kur institucionet janë të dobëta, vendet mund të shkojnë drejt një kokteji toksik të korrupsionit, nepotizmit dhe privatizimeve klienteliste, siç ndodhi pas daljes së vendeve nga komunizmi.

Aty ku ato përmirësohen, “dora” e kujdesshme e shtetit mund ta orientojë tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër, duke siguruar mbështetje thelbësore në një sjellje transparente, dhe duke miratuar politika që shohin nga e ardhmja. Edhe një herë, ekonomitë e rajoneve ku operon BERZH-it janë në një udhëkryq, me vendimet mbi politikat dhe institucionet, që do të përcaktojnë potencialisht rrugët e tyre për dekadat e ardhshme.  /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat