Pse Trumpizmi nuk do të zhduket me humbjen e Trumpit?

Analiza

Pse Trumpizmi nuk do të zhduket me humbjen e Trumpit?

Nga: Torben Lütjen Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 20:13
Donald Trump

Pavarësisht nga lehtësimi i përhapur pas humbjes së Donald Trumpit, zgjedhjet e 3 Nëntorit ishin një zhgënjim për Amerikën liberale. Shumë demokratë, kishin shpresuar në një fitore të madhe të Xho Bajdenit, dhe një humbje shkatërruese të republikanëve dhe presidentit të tyre.

Ata shpresonin në një fitore të dukshme, për ta shpjeguar fitoren e Trumpit në vitin 2016 si një devijim historik, dhe për të pastruar turpin nga librat e historisë amerikane. Në vend të kësaj, në terma absolutë, Trump mori edhe më shumë vota sesa 4 vjet më parë.

Siç ndodh gjithmonë kur rezultatet nuk kanë shumë kuptim, kalohet tek metafizikja. Dhe ashtu siç ka ndodhur disa herë në 4 vitet e fundit, diskutimi nisi të përqendrohej me shpejtësi tek “kulti i Trump”, tek “sekti” i mbështetësve të presidentit, që ishte i gatshëm ta ndiqte atë kudo që të shkonte.

Por kjo pikëpamje, ka shumë pak të bëjë me realitetin. Besnikëria e ndjekësve të Trump, nuk ishte e para dhe më e rëndësishmja për presidentin në ikje. Në fakt, shumica e votuesve të tij janë para së gjithash republikanë dhe konservatorë. Ata janë të krishterë të devotshëm ungjillorë dhe janë kundër rritjes së taksave, si dhe fondamentalistë të Amendamentit të Dytë dhe nacionalistë të bardhë.

71.5 milion njerëz që votuan për Trumpin këtë herë, nuk janë një bllok monolit. Përkundrazi, janë një koleksion heterogjen, i bashkuar vetëm në një bindje të fuqishme, se vlerat dhe statusi i tyre në shoqëri janë të rrezikuara. Për votuesit e tij, ky realitet ishte gjithmonë më i rëndësishëm, sesa kush ishte në krye të vendit.

Ajo që e stabilizoi Trumpin për kaq gjatë në pushtet, ishte polarizimi ekstrem në vend, zhvillimi i fraksioneve hermetike, si në politikë ashtu edhe në shoqëri – një dukuri që nisi shumë kohë para daljes në skenë të Donald Trumpit.

Marshimi i tij drejt Shtëpisë së Bardhë, ndoqi një rrugë të ‘tokës së djegur’ gjatë 3 dekadave të luftës kulturore që i parapriu. Diskursi civil kishte degraduar prej kohësh, dhe retorika e ngarkuar me dhunë ishte bërë një normë.

Baza republikane ishte egërsuar si moralisht ashtu edhe intelektualist, shumë kohë përpara daljes në skenë të Trumpit. Polarizimi është gjithashtu arsyeja kryesore, pse mbështetja e tyre ndaj Trumpit nuk u lëkund kurrë. Amerika konservatore i pa shkeljet e tij të panumërta në detyrë si gjëra të vogla, në krahasim me atë që ishte në lojë në betejën shumë më të madhe për “shpirtin” e Amerikës.

Shumë republikanë, kanë një marrëdhënie shumë më transaksionare me presidentin, sesa besohet gjerësisht. Jo pak prej tyre e dinin shumë mirë që Trumpi është një njeri i lig, por të paktën ai është i “ligu i tyre”.  Në lojën brutale me shumë zero të politikës amerikane, ata menduan se mosruajtja e mbështetjes për Trump, vetëm sa do të ndihmonte kundërshtarët e tyre të urryer.

Duke pasur parasysh atë që perceptohet gjerësisht si një konflikt ekzistencial, shumica e mbi 70 milion votuesve Trump, do të kishin votuar për këdo që do të shfaqej si kandidat i republikanëve. Ashtu si demokratët, që do të kishin votuar për këdo që do të emërohej si kandidat nga Partia Demokratike.

Ekziston sigurisht, edhe një segment i Partisë Republikane që ka një lidhje personale ekstreme me Trumpin, një fiksim që nuk mund të shpjegohet ekskluzivisht me anë të ideologjisë tradicionale të partisë. Ky grupim përbëhet nga ata amerikanë, që e nderojnë atë si një idhull të vjetër.

Në media, ata prezantohet shpesh dhe në mënyrë të gabuar si arketipi i “votuesit të Trump”. Ishin ata pjesëmarrësit kryesore në tubimet e Trump, dhe ata që flisnin mbi shërimin e Covid-19 përmes injektimit të trup të zbardhuesve që përdoren për larjen e rrobave.

Në mbulimin mediatik, Trump portretizohet ende shumë shpesh si një nga “Mesitë” e totalitarizmit, nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore. Kjo është narrativa e udhëheqësit karizmatik, siç përshkruhet nga sociologu i ndjerë gjerman Maks Veber – një udhëheqës që mbështetet mbi besimin e pasuesve të tij tek “cilësitë e tij të jashtëzakonshme”, dikush që u dërgua nga “historia” apo “Zoti”.

Por lidhja e Trump me bazën e tij, është më në përputhje me parimet e besnikërisë populiste. Sipas kësaj narrative, mbështetja ndaj tij nuk ka të bëjë me jashtëzakonshmërinë, por me bindjen e verbër. Ndjekësit nuk e duan dhe adhurojnë Trumpin sepse ai është i ndryshëm nga ata, por sepse ata e shohin veten të reflektuar tek ai.

Ata besojnë se ai flet, mendon dhe ndihet siç flasin ata. Udhëheqësi populist nuk është dërguar nga Zoti. Ai shërben si mishërimi i pasuesve të tij, të cilët flasin dhe veprojnë përmes tij. Kjo është arsyeja pse popullariteti i Trump, u rrit gjithnjë e më shumë.

Ai arriti atë që e ëndërrojnë të gjithë populistët:që ndjekësit e tij ta perceptonin secilin sulm ndaj tij, si një sulm ndaj vetes së tyre. Tek e fundit, ishte media ajo që e bëri Trumpin atë që është sot. Së pari përmes raportimit mbi atë fillimisht dukej se ishte një vrapim i kotë drejt Shtëpisë së Bardhë, dhe pastaj për shkak të luftës së përditshme që Trump zhvilloi kundër tyre.

Pas përfundimit të kësaj presidence, si një ish-president Trump do të humbasë joshjen e tij.

Por “festa” do të vazhdojë si më parë. Gjatë ditëve të fundit, është thënë shpesh që presidenca Trump ka prodhuar vetëm humbës, por kjo nuk është e vërtetë.

Në Uashington, ndodhet një burrë që mund ta shohë me një kënaqësi të madhe punën e tij të fundit:udhëheqësi i shumicës republikane në Senatit Miç Mekonell, një njeri që ndonëse ka pamjen e një breshke miqësore, është padyshim politikani më i mprehtë dhe më i pamëshirshëm i pushtetit në Uashington.

Kur në vitin 2016, u pa e se fushata e Trump po krijonte shumë mbështetës, dhe disa në Partinë Republikane nisën të mendojnë disa lëvizje të rrezikshme për të bllokuar ngritjen e Trump, Mekonell nuk pranoi të bashkohej me ta.

Ai besonte se nëse Trump përfundonte në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte më i lehtë për t’u kontrolluar, dhe ishte i bindur se Trump do të nënshkruante gjithçka që republikanët do i vendosnin në tryezë. Shumë në atë kohë mendonin se Mekonell ishte tepër naiv.

Ata e panë Trumpin, si versionin e sotëm të politikanëve konservatorë të epokës së Vajmarit, që besuan se mund ta mbanin nën fre Adolf Hitlerin, vetëm për t’u shkatërruar nga lëvizja e tij masive. Por kjo gjë nuk ndodhi. Trump në përgjithësi e zbatoi axhendën republikane, duke ulur taksat, lehtësuar rregulloret mbi sipërmarrjen, dhe duke emëruar një seri gjyqtarësh konservatorë nga lista e dhënë nga partia.

Narrativa ishte që Trump kishte marrë kontrollin e Partisë Republikane, por ishte po aq e lehtë të argumentohej e kundërta. Dhe nëse zgjedhjet për 2 vende në janar, i jep përfundimisht shumicën në Senat republikanëve, Mekonell do të bëjë atë që ka bërë tashmë në vitet 2010-2016:do t’ia nxisë jetën një presidenti demokrat dhe do bllokojë gjithçka, këtë herë me garancinë e një shumice konservatore në Gjykatën e Lartë.

Nëse vendi nuk zhytet në dhunë – gjë që Mekonell nuk do e donte për shkak të efektit që do

të kishte mbi bursat – atëherë basti i tij mbi Trumpin, do të ketë qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. Dhe në vitin 2024, ai ka të ngjarë mbështesë “populistin” e ardhshëm që bën thirrje për një revoltë, dhe që premton ta pastrojë “Uashingtonin” dhe thajë “kënetën”. Por kjo nuk do ta shqetësojë aspak Mekonell. Tek e fundit, askush nuk e njeh “kënetën” më mirë se ai. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat