Përplasja mbi sundimin e ligjit, po shndërrohet në një luftë kulturore brenda BE-së

Analiza

Përplasja mbi sundimin e ligjit, po shndërrohet në një luftë kulturore brenda BE-së

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Disa ditë pasi Bashkimi Evropian zgjidhi një mosmarrëveshje që kishte me Poloninë dhe Hungarinë, mbi Mekanizmin e Sundimit të Ligjit, që kërcënoi të bllokonte miratimin e buxhetit prej 1.8 trilionë eurosh të bllokut si dhe fondit të rimëkëmbjes nga koronavirusi, përplasja midis të dyja palëve po vijon që të zgjerohet.

Të dyja vendet panë se kishin sërish mendime të ndryshme nga të tjetër, mbi elementet e procesit të azilit në Hungari dhe reformat gjyqësore në Poloni. Ajo që nisi si një konfrontim mbi demokracinë dhe ligjin, po shndërrohet shpejt në një luftë kulturore.

Qeveria nacionaliste hungareze e partisë Fidesz, zgjodhi këtë javë për t`a ndryshuar kushtetutën e saj, të miratuar vetëm në vitin 2011, që e specifikonte tashmë martesën si bashkimin e një burri dhe një gruaje, duke e bërë të paligjshme martesën midis homoseksualëve.

Amendamenti më i ri shton se në familje “nëna është grua, babai është burrë”. Së bashku me një ndryshim tjetër ligjor, që thotë se vetëm çiftet e martuara mund të birësojnë fëmijë, ndërsa birësimi i fëmijëve nga çiftet e të njëjtit seks është i jashtëligjshëm.

Ndërkohë, Polonia ka përjetuar protesta të mëdha kundër synimit të qeverisë për një ndalim gati të plotë të abortit, pas një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, të cilën partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS), e ka mbushur me gjyqtarë konservatorë.

PiS ka bërë shumë përpjekje për t`a shndërruar veten si një mbrojtëse të vlerave tradicionale. Gjatë një fushatës për rizgjedhjen në detyrë këtë verë, presidenti i mbështetur nga PiS Andrzej Duda, u zotua të vendosë një ndalim kushtetues kundër birësimeve nga çiftet homoseksuale, dhe të vazhdojë të bllokojë martesat e të njëjtit seks.

“Ideologjia e LGBT, ishte më shkatërruese për njeriun sesa komunizmi sovjetik. Dhjetëra komuna polake e kanë deklaruar veten të lirë nga kjo ideologji”- tha ai. Pavarësisht se kanë secila një rini urbane me mendje liberale, Polonia dhe Hungaria mbeten në përgjithësi, më konservatore në aspektin social sesa shumë shoqëri të Evropës Perëndimore.

Për të dyja partitë në pushtet, evokimi ndaj vlerave familjare rezonon shumë tek mbështetësit e tyre në zonat rurale dhe ato në moshën më të thyer. PiS ka qenë nën presion për të forcuar ligjet kundër abortit nga mbështetësit konservatorë dhe Kisha Katolike e fuqishme e Polonisë.

Por evokimet e vlerave tradicionale, krijojnë njëherazi një narrativë që e errëson natyrën e vërtetë të përballjes me Brukselin dhe anëtarët perëndimorë të Bashkimit Evropian. Ajo ka të bëjë me demokracinë dhe sundimin e ligjit:reformat në drejtësi, kufizimet ndaj medias, dhe zbehjen e kontrollit dhe ekuilibrave, që po e ndihmojnë PiS dhe Fidesz të qëndrojnë shumë gjatë në pushtet.

Pavarësisht asaj që ka ndodhur, të dyja palët pretendojnë se po luftojnë kundër përpjekjeve të pretenduara të BE-së, për të imponuar vlera liberale “të huaja”,tek shoqëritë që nuk i dëshirojnë ato. Në Hungari, kjo po i shtohet një narrative ekzistuese thelbësisht të rreme, se Brukseli është i angazhuar në një komplot, për t’i detyruar vendet anëtare të pranojnë “34 milionë emigrantë”.

Ajo ndihmon gjithashtu për të shmangur vëmendjen nga pretendimet se aleatët e Orban, janë pasuruar shumë përmes projekteve të financuara nga Bashkimit Evropian. Megjithëse  e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, BE ua ka lënë më herët shteteve anëtare  çështjet familjare.

Megjithatë, pjesërisht si përgjigje ndaj ngjarjeve në Poloni dhe Hungari, Vera Xhurova,  nënkryetare e Komisionit Evropian, ka propozuar që deklaratat homofobike të jenë një krim i urrejtjes në të gjithë bllokun.

BE duhet që të jetë e ndjeshme ndaj qëndrimeve të ndryshme socio-kulturore midis anëtarëve. Por si një union i ndërtuar mbi demokracinë dhe ligjin, ajo nuk mund të lejojë që këto vlera të gërryhen nga vende të caktuara, apo që të diskriminohen pakica të caktuara. Është mbrojtja e këtyre parimeve themelore demokratike, dhe jo çdo përpjekje për të imponuar norma të huaja, ajo që është në qendër të ngërçit mbi sundimin e ligjit. / “Financial Times” – Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat