Shqiptarët nuk lindin “antishqiptarë” e as tradhtarë!

Analiza

Shqiptarët nuk lindin “antishqiptarë” e as tradhtarë!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 11 korrik 2021 Në ora: 23:13
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** “Shqiptari lind shqiptar para se të jetë patriot a tradhtar; para se të jetë mysliman a i krishter” (Sami Frashëri)

Nëse “zbuluesit” shqipfolës të “teorisë më të re” ( se gjoja paska  “antishqiptarë të lindur”) makiaveliste antishkencore  “kanë ndriçuar” ndonjë rast të tillë, atëherë, do të duhej t'i kishin dokumentuar me referenca të nevojshme të “cituara” në paçavuret e tyre, se kur (në cilën periudhë historike)  “qenkan lindur antishqiptarët”?

Ndryshe ( pa asnjë argument dhe, pa asnjë fakt), kjo është një shpifje  dhe një gënjeshtër e paragjykuar fantastike, sikurse rrena dhe shpifja e serbomadhit antishqiptar Dr.Vladan Gjorgjeviq, se gjoja “shqiptarët janë të egër me bishta…etj.” .

-Asnjë njeri në botë nuk lind i keq, por vetëm pas lindjes dhe zhvillimi të tij, mund të bëhet i keq ose i mirë.

Prandaj, as shqiptarët nuk lindin “antishqiptarë”, por nuk përjashtohet mundësia që,  ndonjëri prej tyre, gjatë fazave të rritjes dhe  të shvillimit të tij jetësor, të “kualifikohet” si “tradhtar”, varësisht nga interesat dhe qëllimet e tij, që ndërlidhen me ndikimin dhe me imponimin e  interesave dhe  të objektivave të shoqërisë në të cilën jeton ai.

Prandaj, vetëm ata diletantë, që nuk kanë studiuar filozofi, etikë, logjikë, pedagogji, psikologji dhe sociologji, pohojnë navisht se gjoja “ njeriu lind me tiparee të këqia”.

Mirëpo, kjo “hipotezë” në kuptimin shkencor, është vetëm një gënjeshtër, injorancë, miopi dhe manipulim me opionin publik, sepse asnjëra nga këto shkenca të përmendura nuk ka provuar  deri më sot, se njeriu lind “i keq” apo  “tradhtar”, “patriot”, “fashist” apo “demokrat”, “i dashur” apo “ i urryer”…etj.

 Xhon Loku: “ Truri i njeriut të sapolidnur është  një “tabula rasa “, domethënë është “një fletë e bardhë, pa asnjë shkronjë të zezë” !

Pra, jo  vetëm shqiptarët, por asnjë njeri në botë nuk lind i keq, kriminel, tradhtar, armik, hajn apo vrastar, këto veti negative dhe të dëmshme njeriu i fiton pas lindjes, varësisht se në çfarë kushtesh dhe rrethanash familjare dhe shoqërore edukohet, rritet, zhvillohet dhe formohet si personalitet.

Për këtë fenomen  kanë shkruar shumë filozofë, psikologë, mjekë, sociologë, antropologë…etj. të njohur botërorë (Zhan Zhak Russo, Tomas Hobs, Sigmund Froid,  Stenli Milgram, Xhon Loku…, etj.), të cilët shkencërisht kanë vërtetuar tezat e tyre se njerëzit nuk lindin të “këqij”, por mund të “bëhen të këqij” gjatë jetës së tyre.

Prandaj, kështu qëndron çështja, edhe me lindjen e shqiptarëve, sepse ata nuk lindin të “këqij” , “tradhtarë” apo “antishqiptarë” !

Këtë shpifje  antinjerëzore dhe antishkencore diletante deri më sot nuk e ka provuar asnjë shkencë shqiptare, as ballkanike, as euvropiane e as botërore.  Ndaj, duhet të kenë kujdes sharlatanët edhe epigonistët “lavërtarë” të “arave pa gardh”  (1990-2021), që  me paçavauret e tyre antivlerore të mos e kontaminojnë florën dhe faunën e ndërgjegjës, të  sakrificës, të krenarisë, të besës, të nderit, të burrërisë, të etikës , të virtyteve, të traditave dhe të zakoneve të shenjta kombëtare shqiptare, që me trimërinë, me atdhedashurinë, me gjuhën e bukur shqipe dhe me luftërat e  kryengritjet e tyre shumëshekullore  ruajtën me shekuj gjuhën e të parëve dhe identitetin kombëtar dhe atdhetar shqiptar në Gadishullin Ilirk.

Prandaj, kujdes  me manipulimin e  “tezave” përgjithësuese, se gjoja shqiptarët po “lindkan antishqiptarë” dhe “tradhtarë” e broçkulla të tjera, që nuk  i hanë as majmunët e uritur të stepave të Zanzibarit, sepse me ato paçavure mashtruese , zhvatëse dhe përimituese, nuk do të mund hidhni baltë e as të krijoni mjegulla të dendura dhe furtuna për ta poshtëruar dhe përçarë popullin  kinse në “antishqiptarë të lindur” dhe në “shqiptarë patriotë” . 

Kjo “filozofi e të menduarit” jo vetëm se është e gabueshme në çdo kuptim, por edhe e dëmshme dhe  armiqësore, që synon  përçarjen dhe diferencimin mes vëllezërëve shqiptarë. Kjo “tezë” akuzuese u shkon për shtati vetëm armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të shqiptarëve., se gjoja “shqiptarët lindin antishqiptarë” !?  Kjo është "rrenë për hava" dhe "përrallë me tupan" !!!

Ky pohim është apogjeu i injorancës, i diletantizmit , i shpifjes,  i intrigës  dhe  i vetëmohimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat