Pse po qëndroj në Kiev

Analiza

Pse po qëndroj në Kiev

Veronika Melkozerova Nga Veronika Melkozerova Më 26 mars 2022 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po vazhdon prej një muaji. Çdo mëngjes nga dritarja e shtëpisë sime, shoh qindra makina që qëndrojnë në radhë për të kaluar në një urë aty pranë që të çon jashtë Kievit. Pikërisht pranë tyre, shoh trenat e evakuimit që shkojnë në Perëndim në seksionin hekurudhor të së njëjtës urë.

Sipas autoriteteve, gati 2 milionë njerëz janë larguar tashmë nga qyteti im i dashur Kiev. Unë jam një nga rreth 2 milionë që kanë qëndruar. Më shumë se 200 qytetarë të Kievit janë vrarë dhe më shumë se 900 të tjerë janë plagosur gjatë bombardimeve ruse.

Rusët kanë shkatërruar tashmë më shumë se 70 ndërtesa në kryeqytet. Gati çdo orë, dëgjoj ose të shtënat e artilerisë ukrainase që godet pozicionet ruse në veriperëndim të Kievit ose një sistem ukrainas të mbrojtjes ajrore që rrëzon një tjetër raketë ruse që ishte drejtuar drejt  qytet. 

Tashmë arrij të dalloj ndryshimin midis dy tingujve. Mjerisht edhe raketat e shkatërruara godasin gjithmonë diçka. Çdo mbrëmje, shpresoj që ajo të mos jetë nata kur një nga ato raketa godet apartamentin tim apo banesat e anëtarëve të familjes, kolegëve dhe miqve të mi.

Çdo natë, zgjohem nga sirenat e sulmit ajror ose shpërthimet rreth orës 4 të mëngjesit, dhe kontrolloj në telefon për të lexuar atë që është shënjestruar atë natë. Vetëm pak ditë më parë, rusët përdorën një raketë për të shkatërruar një qendër tregtare në Kiev dhe ndërtesat aty pranë, duke vrarë të paktën 8 persona.

Tani që ky është bërë realiteti im i ri, vazhdoj të pyes veten, pse pavarësisht gjithçkaje, nuk dua që të largohem nga Kievi? Në ditët e para të luftës, disa nga miqtë e mi por dhe punëdhënësit më kërkonin që të largohesha nga Kievi. Por unë kam vendosur të qëndroj. 

Ka kaq shumë arsye, ndaj nuk mund të identifikoj as atë më kryesoren. Para së gjithash, nuk mund të braktisësh kurrë të dashurit e tu, dhe Kievi është dashuria ime. Është qyteti ku unë kam lindur 31 vjet më parë, në vitin 1991, viti kur vendi im rifitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. 

Është qyteti ku gjeta edhe bashkëshortin tim, edhe ai nga Kievi. Është qyteti ku kam ndërtuar karrierën time në gazetari. Ku kam lënë një kujtim në thuajse çdo rrugë të Kievit. Është qyteti ku u zhvilluan 3 revolucione kundër regjimeve pro-sovjetike apo ruse. 

Është qyteti ku ukrainasit rrëzuan një lider kukull të korruptuar pro-rus, dhe e detyruan të largohej nga vendi. Kodrat dhe kupolat e arta të Kievit e kanë parë historinë e Kievanit Rus, një shtet i lashtë sllavësh që ekzistonte shumë kohë përpara se të ndërtohej një pallat në kënetat e Moskës.

Por gjëja kryesore për Kievin, është se ai është një qytet i lirisë. Këtu, ju mund të jeni kushdo që dëshironi, të doni cilindo që dëshironi, dhe të ndiheni të lumtur nëse punoni shumë. Kievi është mikpritës për të huajt dhe për ukrainasit që vijnë nga qytetet e tjera. 

Dikur ishte shumë i populluar. Sot që jetojnë vetëm rreth 2 milionë njerëz, rrugët e zbrazëta dhe të heshtura të qytetit ngjallin trishtim. Kremlini nuk mund ta lërë Kievin të lirë. Shumë rusë e quajnë Kievin “nënën” e qyteteve ruse. Në propagandën e tij, që tenton të justifikojë pushtimin e Ukrainës, Kremlini pretendon se Ukraina nuk është një vend i vërtetë, por një pjesë historike e Rusisë.

Kievi është një qytet i lirë, ndërsa Moska është një qytet i kontrollit policor dhe i imperializmit agresiv. Moska është një qytet ku njerëzit kanë frikë të thonë mendimin e tyre, ku ata shohin sesi policët rrahin egërsisht protestuesit kundër luftës. 

Kievi është një qytet që u ngrit kundër brutalitetit të policisë në vitin 2014, gjatë revolucionit të Euromaidanit. Tani, në qytetet dhe qytezat e tjera të Ukrainës, njerëzit nuk kanë frikë që t’i bëjnë rezistencë pushtuesve të armatosur rusë, dhe të përpiqen të ndalojnë tanket e tyre me duart në xhepa.

Sigurisht, kur vendosa të qëndroj në Kiev, nuk mendova menjëherë për të gjithë historinë dhe frymën që ai përçon. Kur rusët po bombardonin një termocentral në lagjen time, mendja më shkoi në çast tek gjyshja dhe nëna time. Gjyshja ime është 76 vjeçe, dhe më tha se nuk donte të largohej nga apartamenti i saj.

Ajo tha se më mirë do të preferonte të vdiste atje sesa në ndonjë bodrum të pisët. Për mijëra ukrainas, këto bodrume të pista janë bërë shtëpia e tyre e re. E kuptova që gjyshja ime nuk do t’ia dilte nëse do të vendosnim të bënim një udhëtim të gjatë për të kërkuar siguri në qytetin e Lvivit. 

Bashkëshorti i ri i nënës sime është i sëmurë me kancer, dhe ai nuk mund të largohet nga banesa e tij. Jeta në Kiev është bërë shumë e vështirë për njerëzit që nuk mund të kujdesen plotësisht për veten e tyre. Duhet ecur më këmbë për të shkuar kudo, pasi transporti publik është një gjë e rrallë në ditët e sotme. 

Ka kudo radhë të gjata njerëzish, dhe çdo dalje për pazar, për të blerë ndonjë ilaç apo ushqim, kthehet në një kalvar pritje. Së fundmi u detyrova të qëndroja 2 orë në radhë përpara  një farmacie për të marrë ilaçe për zemrën për gjyshen time. Arrita të marr flakonin e fundit. 

U trishtova që njerëzit pas meje nuk do të merrnin atë ditë asnjë ilaç për zemrën. Sigurisht, furnizimet e reja erdhën shpejt. Por kjo nuk i zvogëloi radhët. Shumë njerëz varen nga ilaçet e zemrës, insulina dhe hormonet e tjera. Para luftës i urreja radhët dhe përpiqesha që t’i shmangia sa më shumë të ishte e mundur. 

Si për ironi, gjatë luftës këto radhë dhe mënyra se si njerëzit janë sjellë në to, më kanë bërë të dashurohem edhe më shumë me qytetin tim. Në Kiev, një qytet i vijës së parë të frontit, ku tingujt e shpërthimeve janë bërë një normalitet i ri, njerëzit janë të sjellshëm dhe mbështetës ndaj njëri-tjetrit. 

Edhe pse të panjohur më njeri-tjetrin, ata bëjnë shaka dhe diskutojnë lajmet më të fundit teksa mbajnë radhën për të blerë ushqime dhe ujë. Heshtin vetëm kur bie sirena që njofton sulmin ajror të radhës apo ka një shpërthim. Nuk kam parë njerëz që përpiqen të rrëmbejnë gjithçka për veten e tyre; ata presin dhe marrin vetëm sa u duhet.

Në të gjithë qytetin ka një frymë solidariteti. Një ditë pashë në rrugë forcat e mbrojtjes territoriale që hapnin llogore. Të rinjtë po ndihmonin njëri-tjetrin të tërhiqnin thasë me rërë. Në një pikë kontrolli pranë një ure, një burrë i veshur me një kapele të kuqe kauboji dhe me një pushkë “Winchester” në supe po kontrollonte makinat. 

Menjëherë pasi kaluam pranë tij, pashë një tabelë ku shkruhej “kujdes nga minat”. Mbi tabelën, në urë, punonjësit e shërbimeve lokale po ndërtonin një barrikadë duke përdorur një buldozer. Asnjë nga njerëzit që pashë nuk ishte pjesë e ushtrisë ukrainase. 

Ata ishin banorë vendas, që bënin gjithçka që mundeshin për ta mbrojtur Kievin. Ndërsa disa si unë, po shkonin për të blerë furnizime ushqimore dhe ilaçe për veten e tyre ose të moshuarit, të tjerët po shpërndanin ndihma humanitare për ata më në nevojë ose po hapnin llogore. 

Ndjeva se nuk isha vetëm në zemër të Ukrainës. Monumenti ynë i Mëmëdheut, që mban  mburojën dhe shpatën e saj, na shikonte që të gjithëve nga lart. Njerëzit përreth meje po bënin maksimumin për ta mbajtur Kievin gjallë, dhe për ta mbrojtur atë nga pushtimi rus, që nuk ka sjellë gjë tjetër veçse dëshpërim dhe vdekje. 

U ndjeva shumë mirënjohëse dhe e sigurt. As që mund ta mendoja se çfarë do të ndodhte nëse ata njerëz do të largoheshin nga qyteti. Ishte hera e parë që ndjeva thuajse fizikisht, sesa thellë janë ngulur rrënjët e mia në qytetin tim të lindjes. Kjo është arsyeja pse unë nuk mund ta braktis atë. 

Sepse nëse Vladimir Putin do të na dëbojë të gjithëve, ai do të fitojë. Çdo sulm tjetër rus qëgodet një ndërtesë banimi, një kopsht fëmijësh apo një maternitet, synon të na trembë, të na detyrojë të braktisim rrënjët tona, të largohemi ose të vdesim nëse nuk i nënshtrohemi diktatorit të Kremlinit.

Deri më tani ai është padyshim duke humbur. Kievi është zemra e Ukrainës. Qyteti që shumë ekspertë parashikuan se mund të bjerë brenda 72 orëve, ka qëndruar për një muaj si një grusht i  hekurt. Njerëzit këtu janë të gjithë një. 

Ata janë gati të vdesin për zemrën e vendit tonë. Unë e di se banorët e Kharkiv, Kherson, Mariupol dhe shumë qyteteve dhe qytezave të tjera të Ukrainës që janë përgjakur, pushtuar ose shkatërruar nga ushtria ruse, janë po aq të gatshëm për të mbrojtur shtëpinë e tyre. Të gjithë e dimë se Putini mund të na vrasë, por ai nuk do të mundë kurrë të shkëpusë rrënjët tona me këtë tokë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat