Lufta në një botë që nuk mbron asnjë parim apo ideal

Analiza

Lufta në një botë që nuk mbron asnjë parim apo ideal

Slavoj Zizek Nga Slavoj Zizek Më 21 prill 2022 Në ora: 06:41
Foto ilustrim

Të ashtuquajturit oligarkë në Rusi dhe në vende të tjera ish-komuniste janë homologët borgjezë të asaj që Marksi e quajti “proletariat fluid”, pra një grupim i ndjeshëm ndaj manipulimit politik, pasi anëtarët e tij nuk bartin një vetëdije klasore apo potencial revolucionar.

Por në dallim nga proletariati, borgjezia që u shfaq në këto vende nga fundi i viteve 1980 dhe më tutje kontrollon kapitalin, kryesisht falë “privatizimit” kaotik të aseteve shtetërore. Një shembull tipik është Rok Snezhiç, bashkëpunëtor dhe mik i kryeministrit të krahut të djathtë të Sllovenisë, Janez Jansha. 

Një “këshilltar i pavarur fiskal”, Snezhiç i ndihmon kompanitë sllovene të strehojnë paratë e tyre në juridiksionin me taksa më të ulëta të Republika Srpska (pjesa serbe e Bosnje dhe Hercegovinës). Ai vetë nuk ka zyrtarisht asnjë pasuri private dhe i ka fshirë faturat e tij të kaluara tatimore duke shpallur falimentimin.

E megjithatë, Snezhiç udhëton me makina të reja luksoze dhe i ka mjetet financiare për të paguar reklamat në billbordet e mëdha në anë të rrugëve. Zyrtarisht figuron i punësuar në një kompani në pronësi të gruas së tij, ku ai merr një pagë mujore prej 37.362 eurosh.

Por kapitalizmi “normal” gjeneron gjithashtu një “borgjezi fluide”. Snezhiç nuk është aq i ndryshëm nga Donald Trump, që vepron në mënyrë të ngjashme duke pasur sukses, pikërisht sepse nuk ka asnjë parim apo ideal, por motivohet vetëm nga paratë dhe kurthet e pasurisë materiale.

Vlerat e tregut kanë diktuar gjithashtu edhe konturet e luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti i së cilës, Volodimyr Zelenski, ka denoncuar mënyrës se si funksionojnë realisht kapitalizmi dhe demokracia globale. Që nga fillimi i luftës, Evropa i ka dërguar Rusisë pothuajse 40 miliardë dollarë pagesa për naftë dhe gaz, gjë që e ka detyruar Zelenskin të deklarojë se vendet perëndimore janë më të shqetësuara për rritjen e çmimeve të energjisë sesa për jetën e ukrainasve. 

Tregu kapitalist – ai që ka ushqyer makinerinë ruse të luftës – e ka braktisur Ukrainën. Përfundimi i kësaj tregtie të përgjakshme do të kërkonte nga qeveritë perëndimore të heqin dorë nga mbështetja e tyre tek mekanizmat e tregut, dhe fillimin e organizimit të drejtpërdrejt të furnizimit me energji, siç duhet menaxhuar në fakt edhe kriza globale e ushqimit që po shkakton lufta e Rusisë në Ukrainë.

Paradoksalisht, vetëm masat që kujtojnë “komunizmin e luftës” në fillimet e Bashkimit Sovjetik, mund ta shpëtojnë Ukrainën dhe të ruajnë fuqinë e Perëndimit. Kjo pasi Rusia po koordinohet me Kinën, jo vetëm për të sfiduar Perëndimin gjeopolitikisht, por edhe për të zhvendosur dollarin amerikan dhe euron si monedhat kryesore në tregjet globale.

Meqë solidariteti perëndimor është i kufizuar nga interesat ekonomike, ukrainasit janë të detyruar të pranojnë se nuk mjafton as “mbrojtja e Evropës”. Ukraina po mbron gjithashtu edhe popullin rus nga vetë–shkatërrimi i presidentit të tyre, Vladimir Putin, dhe “borgjezia e tij fluide”.

Në një koment të fundit të botuar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA News, Timofej Sergejcev paraqet synimin e plotë të projektit gjenocidal të Kremlinit në Ukrainë. Premisa bazë është se Ukraina duhet të “de-nazifikohet”, dhe në këtë mënyrë të de-evropianizohet, sepse “një pjesë e konsiderueshme e njerëzve – me shumë gjasa shumica – është joshur nga regjimin nazist i Kievit”. 

Në këto kushte nuk funksionon hipoteza “njerëzit janë të mirë dhe qeveria është e keqe”. Sergejcev jo vetëm që e barazon politikën e Ukrainës me nazizmin, por ai pretendon se “ukronazizmi” përbën një kërcënim edhe më të madh për botën dhe Rusinë sesa nazizmi hitlerian. Sipas tij duhet të eleminohet edhe emri “Ukrainë”.

Pra, Rusia planifikon të bëjë me Ukrainën atë që Bertolt Breht e përshkruan në poezinë e tij të vitit 1953 “Zgjidhja”: të shpërndajë popullin dhe zgjedhë një popull tjetër. Duke lexuar idetë e çmendura të Sergejcev së bashku me pretendimin e Putinit se Lenini e shpiku Ukrainën, ne mund të dallojmë pozicionin aktual rus. 

Ukraina ka dy baballarë: Leninin që e shpiku dhe Hitlerin, që frymëzoi “ukronazistët” e sotëm për të aktualizuar shpikjen e Leninit. Atëherë, çfarë nënkupton kjo për situatën gjeopolitike të Rusisë? Sipas Sergejcev: “Rusia ka një potencial të lartë për partneritete dhe aleatë me vendet që Perëndimi i ka shtypur me shekuj, dhe të cilat nuk do të vendosen sërish në zgjedhën e saj. 

Pa sakrificën dhe luftën ruse, këto vende nuk do të ishin çliruar. Denazifikimi i Ukrainës është në të njëjtën kohë dekolonizimi i saj, të cilin popullsia e Ukrainës do të duhet ta kuptojë ndërsa fillon të çlirohet nga dehja, tundimi dhe varësia e së ashtuquajturës zgjedhje evropiane”.

Pra Rusia duhet të riorientohet rrënjësisht, duke thyer lidhjet e saj me Perëndimin për të krijuar lidhje të reja me të gjitha ato vende që u shfrytëzuan brutalisht nga fuqitë koloniale perëndimore. Është Rusia, ajo që do të udhëheqë një proces global të dekolonizimit.

Shfrytëzimi brutal i jugut të botës nga fuqitë perandorake perëndimore, është një e vërtetë që nuk duhet harruar kurrë. Por është e çuditshme të dëgjosh një diskurs të tillë nga Rusia, me historinë e saj të gjatë të sjelljeve të tilla. Në shekullin XVIII, Katerina e Madhe pushtoi Ukrainën juglindore dhe territorin nga Siberia në Alaska deri në Kaliforninë Veriore. 

Tani na thuhet se Kazakistani, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Ukraina do të “de-kolonizohen” me anë të…kolonizimit rus. Territoret do të çlirohen kundër vullnetit të njerëzve të tyre (të cilët do të duhet të riedukohen ose të shkojnë gjetiu tjetër). 

Nëse do të shmanget një luftë e re botërore, kjo do të ndodhë përmes një “paqeje të nxehtë”, me investime ushtarake të mëdha që mbështesin një ekuilibër të ri e të brishtë të fuqive. Brishtësia e situatës nuk buron vetëm nga konfliktet e interesave ekonomike, por edhe nga interpretimet kontradiktore të realitetit, të cilat nuk kanë lidhje vetëm me zgjidhjen e fakteve.

Por përpjekjes për të vërtetuar se pretendimet ruse janë të rreme, i shpëton argumenti i Aleksandër Dugin, filozofit të oborrit të Putin: “Post-moderniteti tregon se çdo e ashtuquajtur e vërtetë është çështje besimi. Pra, ne besojmë në atë që bëjmë, dhe besojmë tek ajo që themi. Dhe kjo është mënyra e vetme për të përcaktuar të vërtetën. Pra, ne kemi të vërtetën tonë të veçantë ruse, të cilën ju duhet ta pranoni”.

Mesa duket besimi dominon mbi dijen. Sipas “së vërtetës speciale ruse”, ushtarët rusë nuk lanë pas kufomat e civilëve të masakruar në Buça, si dhe në qytete e fshatra të tjerë të Ukrainës. Supozohet se ato mizori u kryen nga propagandistët perëndimorë.

Duke pasur parasysh këto rrethana, perëndimorët duhet të ndalojnë së propozuari që Zelenski të takohet me Putinin për të negociuar një zgjidhje paqeje. Kjo do të ishte një idiotësi. Çdo negociatë e mundshme duhet të kryhet nga burokratë të nivelit më të ulët. Putini dhe rrethi i tij i ngushtë janë kriminelë që duhet të injorohen sa më shumë që të jetë e mundur. 

Tek e fundit këtë duhet ta shohë edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Në ish-Jugosllavi, policët e korruptuar ishin objekt i shumë anektodave. Në njërën prej tyre, një polic kthehet në shtëpi dhe e gjen gruan e tij vetëm në shtrat, gjysmë të zhveshur dhe të eksituar. 

Duke dyshuar se i dashuri i saj ishte fshehur nën krevat, ai përkulet dhe sheh poshtë. Disa sekonda më vonë, ai ngrihet në këmbë dhe mërmërit me zë të ulët: “Gjithçka është në rregull, poshtë nuk ka njeri”, dhe fut me shpejtësi një tufë kartëmonedhash në xhepin e tij.

Në një farë mënyre, të gjithë ne jemi ky polic: e pranojmë mjerimin dhe poshtërimin, si çmimin e një forme kënaqësie të tepërt. Në Rusi, popullsia e vuajtur kompensohet jo me kartëmonedha, por me krenarinë patriotike e cila nuk kushton shumë. Dhe ne në Perëndim, lejojmë që tregu të diktojë forcën e angazhimit tonë ndaj të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe gjetkë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat