Gjeti kohën më të keqe: Efektet negative të nismës së Makronit për “Komunitetin Politik Europian”

Analiza

Gjeti kohën më të keqe: Efektet negative të nismës së Makronit për “Komunitetin Politik Europian”

Nga: Shaban Murati Më: 12 maj 2022 Në ora: 19:23
Shaban Murati

Kohë më të keqe politike dhe diplomatike se kjo e tanishmja, nuk do të kishte gjetur dot presidenti i Francës, Emanuel Makron, i cili propozoi në 9 maj krijimin e një organizate të re paneuropiane me emrin “Komuniteti Politik Europian”.

Në fjalimin e tij të mbajtur në parlamentin europian në 9 maj presidenti Makron e paraqiti “Komunitetin Politik Europian” si alterantivë për anëtarësimin e shteteve europiane, të cilat aspirojnë të bëhen anëtare të BE. Makron deklaroi:

“BE, sipas nivelit të integrimit dhe të ambicjes, nuk mund të jetë mjeti i vetëm i strukturimit europian. Ne duhet të krijojmë atë, që unë e quaj “Komuniteti Politik Europian”. Kjo organizatë e re e Europës do t’u lejojë shteteve demokratike të Europës, të cilat mbështesin parimet tona kryesore, që të kenë mundësi bashkëpunimi në fushat politike, të sigurisë, energjitike, transportit, investimeve, kalimit të kufijve”.

Në komentet e tij para mediave pas fjalimit, Makron deklaroi si kriter të bashkimit të shteteve me “Komunitetin Politik Europian” respektimin e vlerave të përgjithëshme dhe përkatësinë gjeografike në Europë.

Me këtë kriter liberal politik të padyerve, presidenti francez përcaktoi se do të bëjnë pjesë në këtë organizatë të re të gjitha shtetet aspirante për në BE, që nga Ukraina e Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor, dhe madje i bëri ftesë edhe Britanisë së Madhe, që iku nga BE, dhe madje ftoi indirekt edhe Rusinë, duke iu referuar idesë së vitit 1989 të presidentit të dikurshëm francez Miterran për krijimin e një konfederate europiane, ku edhe Rusia të ishte pjesë.

Përsa u takon shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, efekti i parë është se nisma e re franceze u përplas në fytyrë derën e BE, pavarësisht se këto shtete po punojnë prej vitesh që të plotësojnë kushtet dhe kriteret e anëtarësimit në BE. Prindi 1 i BE, po të përdorim kodin absurd civil francez, pra Franca, i braktisi foshnjet ballkanike, që quhen shtete kandidate të BE në Ballkan.

Është naive të besosh se kjo mbyllje dere e BE me emrin “Komuniteti Politik Europian” ka të bëjë me Ukrainën, për të cilën presidenti francez theksoi se i duhen disa dekada të bëhet anëtare e BE, pavarësisht se Komisioni Europian ka njoftuar që në muajin qershor t’i japë asaj statusin e shtetit kandidat të BE, që duhet thenë se është thjesht një qendrim i përkrahjes morale, sepse nuk e pranon logjika të japësh statusin e shtetit kandidat për Ukrainën, e cila është në luftë e sipër dhe e pushtuar nga Rusia në një pjesë të madhe të territorit të saj.

Pamundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në BE presidenti francez e përdori si argumentin kryesor për të justifkuar nevojën e krijimit të një organizate të re paneuropiane, duke përjashtuar nga anëtarësimi në BE edhe të gjitha shtetet kandidate dhe aspirante të BE nga Ballkani.

Kur tërhoqa vëmendjen për kohën më të keqe politike dhe diplomatike kam parasysh që agresioni rus në Ukrainë është në zhvillim e sipër dhe rendi europian dhe ndërkombëtar i sigurisë është përmbysur. Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka krijuar të çarën apo konfliktin më të madh midis Perëndimit dhe Rusisë qysh nga mbarimi i luftës së dytë botërore dhe Rusia po kërkon me dhunë të ringjallë sferën sovjetike të influencës, duke pushtuar ushtarakisht hap as hapi territore të ish-republikave sovjetike.

Në këtë situatë rreziku europian del presidenti francez dhe propozon “Komunitetin Politik Europian” si strukturë të re sigurie në kontinentin europian, ku parashikon të bëjë pjesë edhe Rusia. Franca me këtë nismë krijon një premisë të favorëshme për Rusinë, duke i shpallur se BE nuk do t’i pranojë anëtarë as Ukrainën, as Gjeorgjinë dhe as Moldavinë.

Në këtë impostim të ri strategjik francez të tre ish-republikat e mësipërme sovjetike, që aspirojnë zyrtarisht të lidhen organizativisht dhe strategjikisht me BE dhe me Perëndimin, lihen në udhëkryq. Një udhëkryq që Moska mund ta interpretojë si një pranim indirekt nga Franca të së drejtës së Rusisë mbi sferë e saj të influencës në hapësirat postsojetike.

Nisma e re e presidentit franncez u cilësua në Moskë si provë e dobësisë së BE për t’u bërë fuqi globale dhe portali rus “Nacionalnaja slluzhba novostjej” në 9 maj, pas anketimit të tij për nismën franceze me zyrtarë të Dumës Ruse dhe të Këshillit të Federatës ruse, konkludonte që në titull: “Perëndimi i Europës”.

Efektet direkte negative nisma franceze e mbylljes së dyerve të BE për anëtarësime të reja pritet të jenë më direkte dhe me të mëdha në Ballkanin Perëndimor. “Përtej Ballanit Perëndimor ne duhet të ridimensionojmë hapësirën politike europiane”,-deklaroi presidenti francez në Strasburg, duke shprehur qartë se Ballkani Perëndimor mund të sakrifikohet për projekte të mëdha franceze.

Nisma e re e Parisit merr formën e një goditje direkte për aspiratat dhe ambicjet europiane të shteteve dhe të popujve të Ballkanit Perëndimor për integrim europian. Janë në rajon katër shtete kandidate në BE dhe dy shtete, që kanë hyrë në procesin zyrtar të integrimit, dhe të gjithë po presin me ankth anëtarësimin në BE. Dy shtete kandidate, Mali i ZI dhe Serbia, kan hapur edhe bisedimet e pranimit me BE, ndërsa dy shtete kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin me padurim thjesht datën e hapjes së bisedimeve të pranimit.

Befas nga Franca, në ditën e Europës në 9 maj, ditën fitores së koalicionit të madh antifashist botëror, vjen mandata që dera e BE mbyllet me veton franceze dhe në vend të saj u ofrohet hyrja në një organizatë politike paneuropiane të quajtur “Komuniteti Politik Europian”. Një organizate e re e paqartë, që duket identike me OSBE-në, ku bëjnë pjesë të gjitha shtetet e kontinentit, përfshirë edhe republikat aziatike ish-sovjetike.

E zbërthyer në një plan më konkret idivudual efekti negativ rajonal i nismës franceze pritet të çfaqet në inkurajimin e agresivitetit dhe të ambicjes hegjemoniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Së pari, Serbia që ka hapur bisedimet e pranimt në BE dhe e cila ka deklaruar se ka si shtylla të politikës së jashtëme edhe BE, edhe Rusinë, tani me nismën franceze merr argumentin që ta lerë anash BE dhe Europën, dhe të shkojë hapur dhe zyrtarisht te Rusia.

Nisma franceze i jep fund diskutimit se në cilën karrige do të qendrojë Serbia, sepse duke hequr karrigen europiane, për të mbetet vetëm karrigia e Rusisë, ku ulet tani e qetë Serbia. Së dyti, nisma franceze i jep Serbisë argumentin e përligjies së kursit të saj antieuropian të refuzimit të sanksioneve të BE ndaj Rusisë.

Meqë Franca deklaron se dera e BE është e mbyllur, Serbia pretendon tani të drejtën të mos rreshtohet me politikën e jashtëme të BE dhe me qendrimet e saj ndaj Rusisë, dhe të vazhdojë refuzimin e sanksioneve antiruse të BE. Së treti, me nismën e re franceze Serbia fiton çlirimin e saj nga kushti i njohjes së Kosovës për anëtarësimin e saj në BE.

Serbia kishte detyrimin e kushtit të deritanishëm të BE për njohjen e Kosovës para anëtarësimit në BE, kusht që çvleftësohet me mbylljen e dyerve të anëtarësimit në BE. Së katërti, nisma franceze përmbys bazamentin e dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE, sepse ndryshon raportet e dy shteteve me BE si dhe pakëson peshën e BE si ndëmjetëse.

Së pesti, me drynin francez të anëtarësimit në BE Serba merr inkurajim të madh për projektin e saj të “Ballkanit të hapur”, i cili lindi si kundërvënie ndaj BE dhe ndaj projekteve të BE për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Pritet që Beogradi të manifestojë një agresivitet më të madh, duke përdorur si pretekst drynin francez të BE për presione të reja të forta mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat me të drejtë nuk i janë bashkuar projektit të presidentit Vuçiç për integrimin serb të Ballkanit Perëndimor.

Nisma franceze e “Komunitetit Politik Europian” pritet të dëmtojë më së shumti dy shtete të Ballkant Perëndimor, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat nuk janë as anëtare të NATO-s, dhe kanë brenda tyre gjeneratorë serbë të tensioneve etnike dhe kufitare. Sipas nismës franceze BE nuk pritet të ketë më angazhimin, që ka pasur deri tani në këto dy shtete në kuadrin e integrimit të tyre në BE.

Shpresa e vetme e shteteve properëndimore dhe proatlantike të rajonit, të cilat aspirojnë të bëhen anëtarë të BE, është që kjo nismë e beftë të mos jetësohet. Shpresat janë që Gjermania, e cila ka qenë dhe mbetet promotorja kryesore e një integrimi në BE të shteteve kandidate dhe aspirante, të mos tërhiqet nga qendrimi i saj i njohur strategjik i një BE-je, që përfshin të gjitha shtetet europiane me orientim perëndimor.

Në konferencën e përbashkët të shtypit në 9 maj, që kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidenti francez Makron mbajtën në Berlin, ku Makron shkoi pas fjalimit të tij në Strasburg për “Komunitetin Politik Europian”, kancelari gjerman u shpreh se ky është një propozim interesant.

Por u duk qartë një disonancë në qendrimet e dy udhëheqësve kryesorë vendimmarrës të BE, kur kancelari gjerman deklaroi se propozimi i presidentit francez “nuk duhet të frenojë BE-në nga pranimi i anëtarëve të rij, veçanërisht të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të mbajmë premtimet tona për anëtarësimin. Ne duhet të gjejmë mënyrat që të mos i deziluzionojmë ata”.

Disonanca Francë-Gjermani qysh ditën e parë të shpalljes së nismës franceze për krijimin e “Komunitetit Politik Europian” mund të konsiderohet si një shenjë pozitive që Gjermania do t’i përmbahet qendrimit të saj, që e ka mbajtur edhe BE deri tani, për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuptim edhe Shqipëria përfiton nga qendrimi gjerman për integrimin e saj në BE, gjë që ka rëndësi strategjike./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat