Një realitet i ri në një rend global të vjetër

Analiza

Një realitet i ri në një rend global të vjetër

George Friedman Nga George Friedman Më 28 maj 2022 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Kina nuk ka luksin ta ndihmojë Rusinë politikisht ose ekonomikisht, dhe Rusia nuk e ka luksin ta ndihmojë Kinën ushtarakisht. Rezultati i gjithë kësaj situate është që SHBA-ja është rishfaqur si një hegjemon global, edhe pse në fakt nuk ishte zhdukur kurrë nga skena. Rritja e Rusisë dhe Kinës e detyroi SHBA-në të rimerrte pozicionin që kishte pasur midis viteve 1945-1991. Por e njëjta rritje e ka bërë më të pambrojtur Moskën dhe Pekinin

Shtetet e Bashkuara deklaruan së fundmi se do ta mbrojnë Tajvanin në rast se Kina e pushton atë. Edhe më interesant është fakti që të njëjtën gjë pohoi edhe Japonia, një vend që nuk ka ndërmarrë veprime ushtarake që nga viti 1945.

Kjo deklaratë e fortë nuk ndryshon shumëçka nga pikëpamja ushtarake, pasi raketat amerikane do të lëshoheshin kundër sulmit amfib të Kinës para se ai të mbërrinte në brigjet e Tajvanit. Prandaj Pekini flet shumë për pushtimin, por pa e ndërmarrë atë vërtet. Megjithatë ajo e ndryshon në mënyrë dramatike mjedisin politik. Jo më pak për shkak të pasojave të saj ekonomike. Uashingtoni dhe Tokio mburren se kanë jo vetëm dy nga ekonomitë më të mëdha në botë, por se janë klientët kryesorë të Kinës. Paralajmërimi ushtarak shoqërohet në mënyrë të hapur edhe me një paralajmërim ekonomik.

Situata ndërlikohet më tej nga një deklaratë e asaj që Uashingtoni po e quan Korniza Ekonomike e Indo-Paqësorit, që me sa duket do të përfshijë Japoninë, Australinë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Indinë, Singaporin, Malajzinë, Indonezinë, Vietnamin, Filipinet, Tajlandën dhe Brunein.

Nuk është e qartë se çfarë do të bëjë ky grupim, apo kur do ta bëjë. E qartë është se ka shumë vende aziatike, të cilat janë të gatshme të marrin pjesë në një grupim ekonomik të sponsorizuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, me Japoninë si anëtaren e saj të parë.

Dhe ky nuk është një problem i vogël. Kina ka aktualisht probleme ekonomike, dhe presidenti Xi Jinping është në telashe bashkë me të. Mrekullia ekonomike kineze varej nga eksportet për të gjeneruar kapitalin vendas. Por për një sërë arsyesh, kërkesa për eksportet e saj po tkurret, dhe situata është rënduar nga probleme të tjera që e kanë destabilizuar sistemin financiar të Kinës.

India është e etur të zërë vendin e Kinës si eksportuesja kryesore në botë. Ndërkohë Malajzia, Indonezia, Vietnami, Filipinet dhe Tajlanda do të donin të merrnin një pjesë të këtij roli. Pra, nëse situata i jep ndonjërës prej tyre qasje të lirë ose më të lirë në tregjet amerikane dhe japoneze, Kina do të bëhet më pak konkurruese.

E megjithatë, origjina e problemit të Kinës ishte politike. SHBA-ja ishte klientja e saj më e madhe (dhe ende është, por jo aq shumë), dhe kjo dëmtoi një pjesë të grupeve sociale në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti Donald Trump vendosi tarifa për mallrat që tregtoheshin në SHBA, duke sinjalizuar një zhvendosje të SHBA-së dhe duke ndryshuar psikologjinë e brendshme të Kinës mbi eksportet e pakufizuara.

Në terma afatgjatë, kjo ishte një krizë besimi, e cila e dëmtoi sistemin financiar kinez, i bazuar kryesisht tek pronat e paluajtshme, të cilat duhet të stabilizohen me koston e  ristrukturimit ekonomik. Nga ana tjetër kjo krijon një krizë politike, e cila çon ose në ngritjen e sundimtarëve të rinj ose në më shumë shtypje nga të vjetrit.

Kina ka aktualisht 2 “armë” të drejtuara drejt saj. Njëra është ushtria, e cila përfshin Dialogun Katërpalësh të Sigurisë midis Japonisë, Indisë, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara (QUAD). Tjetra është ekonomike, duke qenë një sfidë serioze për strategjinë kineze të eksporteve shumë kohë përpara se ajo të jetë gati të kalojë në konsumin e brendshëm.

Luftërat mund t’i zgjidhin problemet ekonomike siç bëri Lufta e Dytë Botërore për Shtetet e Bashkuara. Koalicioni ushtarak i ngritur kundër Kinës, nuk ka gjasa të nisë ndonjë luftë, ndërsa Pekini do të përballej me një koalicion të rrezikshëm nëse do ta fillonte vetë atë.

Dy “armët” mbështesin njëra-tjetrën. Kjo po ndodh në një kohë kur është ndezur lufta Rusi-Ukrainë. Rusia zgjodhi ta pushtonte Ukrainën me supozimin se kjo e fundit do të shkatërrohej. Kjo nuk ndodhi, kryesisht për shkak të dërgesave të mëdha me armë të Perëndimit në mbështetje të Ukrainës, si dhe një goditje ekonomike ndaj Rusisë.

Tani kërcënimi ushtarak i Kinës, po përballet me një kundërvënie ushtarake gjithnjë e më të fuqishme. Po ashtu edhe Kina është gjithnjë e më e izoluar. Disa muaj më parë, ajo kishte krijuar një lloj aleance me Rusinë. Nuk ka qenë asnjëherë e qartë se si do të përfitonte nga kjo aleancë secili nga vendet.

Por tani për shkak të pushtimit të pasuksesshëm të Ukrainës nga Rusia, këtë nuk do ta dimë kurrë. Kina nuk ka luksin ta ndihmojë Rusinë politikisht ose ekonomikisht, dhe Rusia nuk e ka luksin ta ndihmojë Kinën ushtarakisht. Rezultati i gjithë kësaj situate është që SHBA-ja është rishfaqur si një hegjemon global, edhe pse në fakt nuk ishte zhdukur kurrë nga skena. Rritja e Rusisë dhe Kinës e detyroi SHBA-në të rimerrte pozicionin që kishte pasur midis viteve 1945-1991. Por e njëjta rritje e ka bërë më të pambrojtur Moskën dhe Pekinin.

SHBA-ja është e angazhuar me Rusinë dhe Kinën, dhe për atë që ia vlen, në Evropë.

Kjo është diçka të cilën unë e parashikova në vitin 2009. Thashë se Rusia do ta sulmonte Ukrainën, edhe pse gabova për kohën e pushtimit, dhe mbi performancën e Rusisë në këtë sulm. Unë parashikova gjithashtu që lufta do të çonte në një krizë të brendshme, dhe një krizë ekonomike në Kinë do të krijonte një krizë politike, duke e lënë SHBA-në si fuqinë de facto dominuese në botë.

Shënim: George Friedman, strateg gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht. Libri i tij   i fundit bestseller titullohet “Stuhia përpara qetësisë: Mosmarrëveshja e Amerikës, kriza e ardhshme e viteve 2020 dhe triumfi”. / “Geopolitical Futures” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat