Tragjedia më e madhe e Rusisë së Putinit: Kush e di këtë, duhet ta kuptoi arsyen

Analiza

Tragjedia më e madhe e Rusisë së Putinit: Kush e di këtë, duhet ta kuptoi arsyen

Nga: Prof Dr. Thomas Jäger  Më: 22 qershor 2022 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Forca shtytëse pas veprimeve të Vladimir Putinit është një ngjarje historike që presidenti rus e përshkruan si "katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të". Tani është koha për t´i rimarrë territoret, është motoja e Putinit. Detyra e "pikës së kthesës" është që t'i tregohet Putinit, se ai i ka zhgënjyer të gjithë.

Presidenti Putin ka vajtuar publikisht humbjen e perandorisë sovjetike të shpërbërë që nga fillimi i mandatit të tij, më shumë se njëzet vjet më parë. Në vitin 2004 ai e përshkroi fundin e Bashkimit Sovjetik si një "tragjedi kombëtare me përmasa të mëdha". Akoma më i njohur është karakterizimi i tij se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte "katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të", siç e tha ai në 2005.

Ky zhvillim u analizua jo vetëm në Kinë – ku lidershipi politik studioi intensivisht fundin e Bashkimit Sovjetik për të parandaluar diçka të tillë në vendin e tyre – por edhe në Rusi , këtu me qëllimin për ta rikthyer atë. Nga këndvështrimi i Putinit, kjo katastrofë nuk duhet të zgjasë. Fakti që ai tani krahasohet me Carin Pjetri i Madh e mbyll misionin e tij: tani po ripushtohet, ajo që ishte dikur!

 

Tani do të ripushtohen të gjitha ato territore! Pse shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një "katastrofë gjeopolitike" për Putinin

 

Arsyet e rënies së Bashkimit Sovjetik ishin të shumëfishta. Identitetet etnike dhe fetare në shtetet e ndryshme të BRSS, të cilat po bëheshin më të forta se ideologjia e Unionit, rënia ekonomike dhe verbëria ekologjike, janë po aq pjesë e kësaj sa edhe minimi i autoritetit qendror politik të Partisë Komuniste. Sekretari i Përgjithshëm Gorbachov nuk realizoi reforma ekonomike dhe politike në të njëjtën kohë. Atëherë liderët e tre republikave më të mëdha - Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë - ia morën pushtetin nga duart.

Bashkimi Sovjetik kishte marrë fund, shtetet pasardhëse hynë në jetën ndërkombëtare. Rusia e shihte veten si "shteti pasardhës" që pretendonte vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe armët bërthamore për vete.

Përveç këtyre shkaqeve të shpërbërjes, të cilat të gjitha ishin domethënëse, kishte edhe një shkak tjetër, sepse Bashkimi Sovjetik kishte kaluar më parë faza të karakterizuara nga beteja shumë më intensive të brendshme dhe të jashtme. Fakti që aleatët, të cilët në interpretimin sovjetik ishin “përgjithmonë” të lidhur me Bashkimin Sovjetik (Doktrina Brezhnev), papritmas ishin në gjendje të vendosnin në mënyrë të pavarur për orientimin e tyre politik, duhet të ketë shqetësuar oficerin e KGB-së Putin, i cili ishte i vendosur në Dresden të Gjermanisë .

 

Ruajtja e perandorisë me çdo çmim: pse për Putinin përdorimi i dhunës dhe brutalitetit është vetëm logjik

 

Në fund të fundit, Bashkimi Sovjetik ra pa rezistencë serioze - dhe duke parë historinë ruse, Putini mund të ketë arritur në përfundimin se mungesa e vullnetit për të përdorur forcën superiore, ishte arsyeja e vërtetë e rënies së perandorisë. Në çdo rast, pak para luftës në Ukrainë në shkurt 2022, i pyetur nga një gazetar nëse gjërat e mira mund të vijnë edhe nga dhuna, ai pyeti: Kur erdhën gjërat e mira pa dhunë?

Në këtë këndvështrim, mësimi i historisë së fundit ruso-sovjetike është se revolucioni, lufta civile dhe trazirat fituan nga ata që përdorën forcën më të pamëshirshme dhe brutale, dhe se ata që u shmangën përdorimit të forcës humbën perandoritë.

Në të gjitha shtetet satelitore të Bashkimit Sovjetik, forcat sovjetike dhe ato aleate mund të kishin shtypur demonstratat; në Bashkimin Sovjetik spastrimet dhe luftimi i armiqve të brendshëm mund ta kishin ruajtur perandorinë. Çmimi me të cilin do të kishte ndodhur kjo, nuk luajti asnjë rol në këtë vlerësim. Sepse ruajtja e perandorisë justifikon çdo sakrificë të njerëzve, mallrave dhe kombeve të tjera. A vlen kjo logjikë edhe për përpjekjen aktuale për të rindërtuar perandorinë ruse?

 

Mesazhi: Putini është gati të përshkallëzojë dhunën - dhe më pamëshirshëm se çdo kundërshtar

 

Kjo mbështetet nga fakti se Presidenti Putin ka ushtruar dhunë të pamëshirshme kundër armiqve të brendshëm që në ditën e parë të mandatit të tij. Brutaliteti i luftës së dytë çeçene, i legjitimuar nga aktet (të supozuara) të terrorizmit kundër qytetarëve rusë, duhet t'u tregojë të gjithëve se nuk ka mëshirë. Kjo vlen edhe për vrasjet e qytetarëve rusë në Moskë ose jashtë saj - në Britaninë e Madhe dhe Gjermani - të cilat nuk ndodhën fshehurazi, por komunikuan qartë se është më mirë të mos ngatërrohesh me udhëheqjen ruse.

Gatishmëria për të përdorur dhunë u komunikua hapur. Po kështu në Siri , ku Rusia u fokusua në bombardimet nga distanca. Dhe tani në Ukrainë. Aneksimi i Krimesë bie jashtë këtij modeli sepse u krye si një sulm i fshehtë. Në Donbass, nga ana tjetër, dhuna është mbështetur që nga viti 2014.

Prej tre muajsh, forcat ruse kanë shkatërruar qytetet e Ukrainës me rrënoja, duke dëbuar miliona njerëz që jetojnë atje dhe duke vrarë civilë qëllimisht. Përfitimet ushtarake janë të kufizuara (dhe territori është gjëja e fundit që i nevojitet Rusisë). Mesazhi politik është i qartë: Putini është gati të përshkallëzojë dhunën - dhe më pamëshirshëm se çdo kundërshtar.

 

Pse, në fund, armët bërthamore do të jenë mjeti i vetëm i fuqisë që i mbetet Rusisë

 

Fakti që Rusia nuk mund ta mbajë këtë për një kohë të gjatë flet kundër tij. Represioni i brendshëm mbron regjimin, por i dëbon rusët largpamës dhe krijues jashtë vendit. Dëmi ekonomik që ka përjetuar tashmë ekonomia ruse, i cili do të intensifikohet në muajt në vijim dhe që do të bëjë që, eksportet të shemben në mënyrë drastike në pak vite, sepse Rusia ka humbur reputacionin e saj si një partner dhe furnizues i besueshëm i energjisë jo vetëm në Evropë.

Vendi do të mbetet prapa teknologjikisht, do të identifikojë armiqtë e brendshëm për të luftuar dhe do të sigurojë regjimin nga jashtë me parandalimin bërthamor. Ky parandalues​​është tashmë efektiv sot, sepse Rusia nuk sulmohet as nga Ukraina, e cila po i bën kërdinë. Armët bërthamore janë mjeti i vetëm i fuqisë që i ka mbetur Rusisë. Në mënyrë konvencionale, forcat e armatosura janë në një nivel, që nuk përmbushin aspiratat e vendit. Ekonomikisht dhe teknologjikisht Rusia do të vazhdojë të mbetet prapa. Kjo do të kufizojë më tej aftësinë e saj për të ushtruar ndikim.

A do të thotë kjo se përdorimi i armëve bërthamore, i cili shpesh është kërcënuar, duhet pritur nëse aftësitë konvencionale të ushtrisë ruse nuk janë të mjaftueshme, për të arritur qëllimet e luftës?

 

Grozny, Aleppo, Mariupol: Pse përdorimi i pamëshirshëm i forcës nga Putin është racional

 

Jo, sepse për tre muaj synimet e luftës janë përshtatur me kapacitetet. Dhe kjo do të thotë se qëllimet janë tërhequr. Blitzkrieg  (blic lufta ) për të kapur Ukrainën, tani është kthyer në një operacion special ushtarak në Donbass. Ndërsa presidenti Putin ishte gjithmonë i gatshëm për përdorimin e pamëshirshëm të forcës, ajo synonte gjithmonë një qëllim që mund të arrihej. Ishte - dhe nuk po tregohem cinik - racional në atë që ishte krijuar, për të shkaktuar reagime të caktuara. Për shembull, frikësimi, demoralizimi i kundërshtarit, bindja e tyre për humbjen e shpresës etj.

Operacionet e pamëshirshme kundër fshatrave, qyteteve dhe civilëve në Ukrainë, po ndjekin gjithashtu këto qëllime. Nga Grozny në Çeçeni, Aleppo në Siri dhe Mariupol në Ukrainë, po vjen i njëjti mesazh: nëse është e nevojshme, e gjithë jeta do të bombardohet. Dëmi që lidhet me përdorimin e armëve bërthamore, jo vetëm që do të kishte dimensione krejtësisht të ndryshme - të cilat nuk janë në interesin e Rusisë sa më afër të jetë përdorimi gjeografikisht - por gjithashtu dërgoi një mesazh tjetër: Rusia ka arritur në fundin e shkallës së përshkallëzimit. Më shumë nuk është e mundur.

Është detyrë e "Zeitenwende" (koha për të bërë kthesë) t'i tregohet Putinit se ai kishte gabuar

Nëse jeni në gjendje të përshkallëzoni situatën, përpiquni ta parandaloni këtë moment. Dhe duke qenë se siguria e Rusisë nuk rrezikohet kurrë seriozisht, nuk ka asnjë arsye të kuptueshme politikisht apo ushtarakisht, për përdorimin e armëve bërthamore.

Përdorimi i forcës kërkon aftësi dhe vullnet për ta bërë këtë. Nuk mjafton vetëm një. Qeveria ruse do të mbledhë vullnetin për sa kohë që qeveriset nga grupi aktual në pushtet. Ata nuk do t'i humbin aftësitë e tyre në planin afatgjatë, por do t'i humbasin gradualisht.

Nga ana tjetër, shoqëritë e kërcënuara nga Rusia do të rrisin aftësinë e tyre për t´u mbrojtur nga dhuna, nëse janë të gatshme ta shohin situatën realisht dhe nëse qeveritë kujdesen për interesat e shteteve përkatëse. Pikërisht këtë, nënkupton presidenti Putin, ata nuk mund ta bëjnë këtë për arsye egoiste. Deri më tani ai është konfirmuar në këtë vlerësim. Është detyrë e “Zeitenwende” (koha për të bërë kthesë) që ta ndryshojë këtë.

Rreth ekspertit:

Prof Dr. Thomas Jäger ishte Kryetar për Politikën Ndërkombëtare dhe Politikën e Jashtme në Universitetin e Këlnit që nga viti 1999. Hulumtimi i tij fokusohet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme amerikane dhe gjermane.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat